E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi Europian mes reformave dhe presionit të krizës globale

16-11-2011 / Nga Ilirian Dahri

Në trimestrin e tretë Gdp e Eurozonës dhe ajo e Bashkimit europian është rritur veçse me 0,2%, krahasuar me trimestrin e dytë të këtij viti. Këto janë shifrat e fundit të eurostatit. Ndërsa kundrejt trimestrit të tretë të vitit 2010, Gdp është rritur  në të dyja zonat, +1,6%, në eurozonën dhe 1,7%, në Bashkimin Europian.  Sidoqoftë shifrat më shqetësuese kanë të bëjnë me më së shumti me shtetin fqinj të Greqisë ekonomia e të cilit vazhdon të përkeqësohet krahasuar me trimestrin e të njëjtës periudhë të vitit të shkuar. Janë të dhëna që vijnë nga vetë agjencitë e statistikave të Greqisë. Madje parashikohet, këtë radhë nga institucionet ndërkombëtare, se kriza do të vazhdojë për të gjithë vitin 2012.  Por problem shihen edhe përsa i përket papunësisë ku vendet e zonës euro po vazhdojnë të ecin me shifrat që kanë qëndruar të palëvizura që prej shtatorit me 8,2%. Bën ndoshta një përjashtim Spanja ku papunësia është rritur me 0,4 pikë. Pak më e lartë është papunësia në zonën euro, madje është rritur deri në shifrën 10,2%, një ndër nivelet më të larta që prej qershorit 2010, ku spikat veçanërisht Hungaria ndërsa po shkojnë mirë shtete si SHBA dhe Kanadaja. Sidoqoftë sipas disa sondazheve debia publike në Greqi dhe Itali e ka rritur së tepërmi pasigurinë dhe prespektivën në zonën e euros duke sjellë nga ana tjetër edhe një ulje të konsiderueshme të  tregtisë ndërkombëtare. Më mirë nga të gjitha shtetet duket se është padyshim Gjermania e cila po qëndron në një territor pozitiv edhe pse, sipas shumë analistëve, ndoshta kriza do të fillojë të ndihet edhe atje. Gjithsesi kërkohet që vendet europiane, në veçanti  Italia dhe Greqia  të përballen me reformat strukturore. Duket se nën presion ndodhet e gjithë eurozona dhe ky moment i krizës globale nuk do të mund të kalohet lehtë. Për të kujtuar lidhjen që ekziston mes situatës italiane dhe asaj të europës ka folur edhe presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy i cili ka nënvizuar se Komisioni, Banka qendrore europiane dhe Fondi monetar ndërkombëtar do të monitorojnë nga afër Italinë edhe pse nuk është një vend nën shpëtim. Është e nevojshme që  kjo situatë të kalohet sa më shpejt . Por nga ana tjetër,  New York Times, nënvizon se tashmë Banka qendrore europiane duhet të jetë ‘bujare’ me shtetet ashtu siç ka qenë edhe me bankat. Sepse sipas saj ndërsa vendet e eurozonës janë në vështirësi vetëm bankat po marrin ndihma – shkruan në këtë gazete opinionisti Jack Ewing - duke shtuar se: “që prej fillimit të krizës financiare, Banka qendrore europiane i ka dhënë hua bankave të eurozonës duke kërkuar të mbante likuiditetin që është “limfa jetësore” e sistemit financiar global. Por nuk ka dashur të ofrojë të njëjtin shërbim për të dhënë kredi për vende si Italia apo Spanja”. Sipas opinionistit Ewing, Banka qendrore europiane “nuk po përballon problemin kryesor të eurozonës”; që është  shitja e madhe e debisë të vendeve në vështirësi dhe që po shtyn kostot e vetë debisë në “nivele shumë të rrezikshme”. Në vend të një përgjigje Mario Dragi, presidenti më i ri i Bankës qendrore europiane, nënvizon se çdo vend duhet të ndihmojë vetveten, duke shkurtuar shpenzimet dhe duke marrë masa për ekonominë. Ndërsa Jens Weidmann, president i Bundesbak dhe anëtar i këshillit ekzekutiv të Bankës qendrore europiane ka shkuar më përtej duke shtuar se do të ishte e paligjshme të përdorej Banka qendrore europiane për të zgjidhur problemet e bilanceve të qeverive. Por - shton përsëri Jack Eving – atë që kërkojnë të dëgjojnë tregjet nuk kanë të bëjë vetëm  me reformat afatgjata por nga ana tjetër edhe banka qendrore europiane duhet që të pakësojë panikun.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›