E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita rikthehet në realitet, por me një mijë probleme

16-11-2011 / Redaksionale

I porsaardhur nga Franca, i rehabilituari Edi Rama në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së predikoi për debate të hapura, konstruktive, gjithëpërfshirës si dhe të bazuara në rekomandimet e ndërkombëtarëve, reformat si ajo zgjedhore dhe parlamentare të përfundojnë brenda 4 muajsh. I habiti, pothuajse, të gjithë. Ndërsa 300 metra larg në vijë ajrore, në sallën e Komisionit të Ligjeve, nënkryetari socialist Fatmir Xhafaj, si duket, nuk kish dëgjuar fjalët e Ramës dhe kryetarit të grupit parlamentar Gramoz Ruçi, që janë shprehur për një konsensus për disa ligje me 3/5, aq të nevojshme për integrimin Europian. Ky separatizëm individual i deputetit Xhafa vjen si pasojë e prekjes në sedër që shpjegohet vetiu me fjalët e tij: “Ne nuk jemi këtu për të qenë numra, për të qenë kartona që mund të na përdorni apo kushdo tjetër sipas mënyrës së tij”.
Megjithatë këto fjalë të papërgjegjshme  janë të rëndësishme për të kuptuar dhe një herë tjetër për  parëndësinë që kanë deputetët socialistë në vendimmarrjen personale të Ramës. Sepse sa herë Rama ka vendosur për të bojkotuar, deputetët socialistë kanë dalë kokulur, “që fësht”, nga parlamenti, duke mos-marrë pagën për rreth 6 muaj. Sa herë Rama dhe një grup vogël besnikësh kanë vendosur për protesta dhe grevë urie, deputetët socialistë  kanë protestuar anekënd vendit dhe janë futur në grevë urie, duke rrezikuar shëndetin për arsye të pamotivuara. Sa herë Rama kërkonte manifestime në bulevard, deputetët socialistë nga katër anët e Shqipërisë paguanin autobusë  linjash ndërqytetëse për të sjellë njerëz në Tiranë. Kur Rama dhe “një grup njerëzish me një agjendë tjetër” organizuar 21 janarin, deputetët socialistë ishin të painformuar për pasojat e asaj dhune të tmerrshme. Kësisoj “shpërthimi emocional” i Xhafës është i kuptueshëm, dhe ndoshta nuk do jetë i fundit.
Përtej zhvlerësimit konstant dhe frustrimit të deputetëve socialistë, janë dhe krerët e partive të opozitës të hutuar prej rreth-rrotullimeve 180 gradë të kreut të Partisë Socialiste, i cili nga radikalizmi ekstrem për dy vite me radhë është shndërruar në një qengj të butë, që blegërin për reforma, debate të hapura, konstruktive, gjithëpërfshirëse, etj. Kryetarët e partive të vogla të opozitës ndjehen të keq-trajtuar prej Ramës, pasi ky i ka keqpërdorur gjatë agjendës radikale dy vjeçare, çka do të thotë se e kanë më të vështirë për të ndryshuar kurs sa hap e mbyll sytë. Në politikë kanë një koherencë për t’u mbrojtur, aq më shumë kur je një faktor me mundësi të kufizuara politike. Më të qejfmbetur janë kreu i PBDNJ Vangjel Dule dhe kreu i PDS Paskal Milo, dy parti që kanë rreth 100 mijë vota opozitare, sipas zgjedhjeve të fundit lokale. Dule dhe Milo i kanë refuzuar të gjitha ftesat për tryezë të përbashkët të opozitës, qëkurse Rama shpalli surprizë “kursin e ri”, që përkthehet me heqjen dorë të protestave dhe manifestime të dhunshme, hyrje në parlament dhe bashkëpunim  për të votuar disa ligje me 3/5. Të painformuar për këtë ndryshim, që i nxirrte jashtë loje, nga reformat e mëdha, të dy këto parti janë tërhequr nga mbështetja për Ramën.
Sido që të jetë ekuacioni me shumë të panjohura, që po tenton të zgjidhë Rama, mund të ketë rezultate po aq të panjohura. Janë 142 mijë vota për t’u “gjetur” deri më 2013. Sa besueshmëri ka Rama për të fituar kaq shumë “zemra”? Çfarë propozon Rama realisht, përveç më shumë taksa për të gjithë? Këto pyetje kanë dy vite kohë për të pasur përgjigje. Dhe përgjigja do të jetë vendimtare për t’u mbushur mendjen qytetarëve pse nuk është më njeriu i protestave me djegie gomash, i grevës së urisë në mes të bulevardit, njeriu që thirri me të madhe vdekjen në manifestime të dhunshme anti-Kushtetuese. Dhe kjo përgjigja nuk mund të jepet t’u jepet qytetarëve shqiptarëve me editoriale, me libra të mbushur dingas me apologji shfajësuese apo/dhe me cicërima në rrjetet sociale.     

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›