E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Gazsjellësi Trans – Adriatik, do kalojë në Shqipëri – projekti ka marrë mbështetje politike

16-11-2011 / Gazeta 55

2012-a nis me 3 projekte madhore, kaskada e Devollit dhe gazsjellësi TAP. “Ndërtimi i 3 HEC-eve në Kaskadën e Devollit, realiteti më i madh i investimeve private në Shqipëri – tenderi shpallet në fillim të vitit të ardhshëm”

UPDATE- Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave, se tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e Kaskadës së Devollit, që parashikon ndërtimin e tre hidrocentraleve do të hapet muajt e parë të vitit të ardhshëm. Një ditë pas kthimit nga Norvegjia, Berisha theksoi se tashmë ka përfunduar gjithçka dhe kompanitë autriake dhe norvegjeze pasi kanë zgjidhur të gjitha problemet gjatë muajve të parë të vitit që vjen hapin tenderin për fillimin e punimeve. “Kjo është vepra më komplekse, më madhore që është krijuar në vend që bazohet në ndërtimin e dhjetra tuneleve dhe ka investimin më të madh. Në takimet e mia është rënë dakort që qeveria të nisë vitin e ardhshëm rrugën dhe qytetarët e Gramshit të kenë të gatshme rrugën e re që sjell drejt kryeqytetit para se t’ju ndodh përmbytja e rrugës së vjetër. Do të jenë 18 km rrugë dhe do të jetë rruga më panoramike e rajonit. Kam kënaqësinë t’ju informoj që kaskada e Devollit do të jetë realitiet më i madh i investimeve private në Shqipëri”- u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se skeptikët duhet të jenë të qetë pasi shpejt kjo ëndërr do të bëhet realitet ndërsa shtoi se muajin e parë të vitit 2012 do të hapet edhe tenderi për kompanitë që do e ndërtojnë kaskadën e Devollit.
Një tjetër pikë ku kryeministri Berisha u ndal ishte edhe gazsjellësi Trans – Adriatik (TAP), i cili fillon në Detin Kaspik, kalon në Turqi, për të vijuar më pas nëpër Shqipëri dhe Itali. Sipasm kryeministrit, ky është projekti më fizibël i të gjithë sistemeve të gazsjellësve deri më sot i cili do të çojë gazin e Kaspikut drejt Europës. “Është projekti i cili kushton 2 miliard euro, më lirë se të gjithë projektet e tjera që shkojnë drejt Italisë dhe mund të ndërtohet në kohë rekord për shkak të distancës më të shkurtër. Ky projekt ka avancuar dhe ka një mbështetje të fuqishme, shumë të rëndësishme politike dhe e ka të qartë perspektivën”- u shpreh kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›