E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi Europian - Pesë vjet pas zgjerimit historik në Lindje

Pesë vjet  nga vala e fundmit dhe më e madhja në historinë e zgjerimit të BE-së, Unioni vështron nga Ballkani. Ndërkohë pritet me entuziazëm konsensual ardhja e Islandës

Komisari i zgjerimit në BE, Olli Rehn është i gëzuar. “Frikërat se mund të dështonim, nuk u kornfimuan “, thotë Rehn ndërsa bën bilancin në pesëvjetorin e valës më të madhe të zgjerimit të Unionit me anëtarë të rinj, qëkurse ai u themelua. Thelbi i asaj çka ai pretendon është pak a shumë: pranimi i të rinjve nga këto vende, ka siguruar një ndryshim demokratik paqësor dhe ka sjellë një zgjerim të zonës së lirisë dhe mirëqenies në Europë, me - ndërkohë - rreth 500 milionë banorë”. Dhe me Islandën finlandezi ka paralajmëruar zgjerimin edhe më një anëtar të ri që është mëse i mirëpritur.
Më 1 maj 2004, BE-ja shënoi edhe zgjerimin më të madh në historinë e vet, duke thithur dhjetë anëtarë të rinj. Në këtë listë përfshiheshin: Polonia, Çekia, Hungaria, Sllovenia, Sllovakia dhe tri vendet balltike; Estonia, Letonia dhe Lituania si edhe vendet e vogla ishullore në ujrat e Mesdheut, Malta dhe Qipro. Pesë vjet më vonë - thotë Rehn - ky hap nuk ka qenë vetëm një detyrim moral i BE-së, por përbënte edhe themelin e synimeve të Europës.
Anëtarësimi në BE, për anëtërët e rinj, i përkthyer në shifra e investime ka rezultuar i dobishëm. Prodhimi i tyre i brendshëm kombëtar u rrit sipas shifrave të bëra publike nga Zyra Federale Gjermane e Statistikave me rreth 22,5 përqind në krahasim me vitin në të cilin ata u anëtarësuan, pra më 2004.
Kryeson në këtë renditje, Sllovakia me 35,8 përqind. “Mbyll renditjen” Hungaria me një rritje prej 9,9 përqindësh. Fuqia ekonomike e 15 “të vjetërve” u rrit gjithashtu në të njejtën periudhë kohore me 8,3 përqind.
Nga zgjerimi, përfitoi fuqishëm edhe Gjermania. Sot firmat gjermane eksportojnë më shumë në ato dhjetë vende të reja që u anëtarësuan në 2004 në BE, sesa në SHBA. Nëse kjo vlerë në fillim, gjatë vitit të parë të anëtarësimit të tyre me të drejta të plota në Union, ishte 68,9 miliardë euro (ndërkohë që eksportet drejt SHBA-së numëronin shifrën e 69,3 miliardë eurove), në vitin 2008, kjo shifër arriti vlerën e 105,2 miliardë eurove (ndërsa me SHBA: 71,5 miliardë Euro). Kjo i korrespondon një rritjeje prej 53 përqindësh.
Por ajo valë zgjerimi nuk u mbyll me aq dhe shumë shpejt u pasua nga një valë e re që përfshiu dy anëtarë të rinj: Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilët iu bashkuan trenit të Unionit më 1 janar 2007. Në të njejtën kohë edhe Sllovenia u fut në zonën Euro. Që nga viti 2008, ndërkohë edhe Qipro dhe Malta kanë njohur monedhën e përbashklët si monedhën e tyre, ndërsa në fillim të këtij viti, kësaj iniciative iu bashkangjit edhe Sllovakia, duke e çuar numrin e vendeve në Eurozonë, në 16.
Për Rehn dhe për shumë ekspertë të ekonomisë, Europa është dëshmuar qartësisht me këtë hap si një “spirancë stabiliteti”. Për 2010, në fakt ishte dizenjuar Kroacia si anëtarja e 28 të e Unionit. Por zënkat që ajo ka me Slloveninë mbi të drejtat detare që është tashmë anëtëre e BE-së, duket se përbëjnë një sinjal për lëkundje drejt përmbushjes së këtij objektivi. “Për momentin, çdo gjë mbetet sërish e hapur”, thuhet shpesh në Bruksel me gjysëm zëri. Pasi megjithë konsensusin thuajse maksimal në raportin 26:1, në lidhje me anëtarësimin e mundshëm të Kroacisë, Sllovenia mund të vendosë veton e  saj në fund. Dhe tradita në BE është që mendimet e vendeve të vogla anëtare “sidomos për  probleme të veçanta” të merren seriozisht.
Përveç kësaj, edhe mundësia për të thithur anëtarë të rinj , duke u nisur edhe thjesht nga funksionimi i burokracisë e rregullave të vjetra në BE, janë të kufizuara. “Edhe skenari më i shpejtë për një anëtarësim të mundshëm të një shteti tjetër, që me shumë gjasa do ta ketë emrin Kroaci, është më i ngadalshëm se sa skenari më i ngadalshëm i planifikuar për ratifikimin e traktateve të Lisbonës”, thekson Rehn.
Por treni duhet të ecë përpara. Kështu, në rrethin e aplikantëve të rinj për zgjerim është afruar së fundmi edhe Shqipëria, e cila në fillim të javës dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtërësim në BE. Një shanc për implementim të shpejtë të saj – dmth anëtarësim mundësisht në vitin 2014, sipas saj - nuk i vjen për shtat shumë rretheve të BE-së.  Por duket se mediat perëndimore e kanë pritur me një farë entuziazmi këtë hap të Shqipërisë, duke vlerësuar lart faktin se sidfoqoftë, është më mirë kështu siç u veprua nga Shqipëria, e duke e ftuar atë tanimë të presë radhën.  
Qysh në vitin 2004 ishte Maqedonia ajo e cila dorëzoi kërkesën për anëtarësim, e deri më sot ajo nuk ka hapur akoma bisedimet me BE-në për anëtarësim. Nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat sipas këndvështrimit të BE-së kanë një “perspektivë të natyrshme anëtarësimi», Mali i Zi në fund të vitit që shkoi dorëzoi gjithashtu kërkesën e vet – edhe në këtë rast fillimi i bisedimeve mbetet një opcion i hapur.
Kështu finlandezi Rehn hedh më me sigrui sytë nga veriu i Europës ku gjendet edhe një shtet i vogël me perspektivë të qartë e të shpejtë europiane. “Vendi i natyrshëm i Islandës është BE-ja”, thotë Komisari për Zgjerimin në BE dhe thekson se bëhet fjalë këtu për vendin me parlamentin më të moçëm në Europë. Diplomatët e BE-së madje shohin shancin që shteti ishullor – megjithëse zyrtarisht akoma nuk ka paraqitur kërkesën për anëtërësim –të bëhet qartazi shumë më shpejt anëtar i BE-së, se sa për shembull Turqia, me të cilën BE-ja po bisedon qysh prej vitit 2005.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›