E Diel, 1 Nëntor 2026

Një shtetase belge me prejardhje shqiptare synon majat e politikës evropiane

Nermin Kumanovën, vajzën e imët me fytyrë paksa fëmijërore, por të hedhur dhe mjaft të zhdërvjelltë, e kam njohur shtatë ose tetë vjet përpara, në Namyr, në dasmën e djalit të mikut tim Ramiz Beqa, emigrant i viteve ’50 me prejardhje nga Luma. Për Nerminin, e cila asokohe punonte në Qendrën e Ndihmës Sociale të Molenbeekut, njëra nga komunat më të mëdha të Brukselit, pata dëgjuar të flitej qoftë prej emigrantëve të rinj që kishin lënë Kosovën e kredhur në flakët e luftës, qoftë prej atyre që vinin nga Shqipëria a nga troje të tjera etnike shqiptare dhe kërkonin mbështetjen e shtetit belg. Të gjithë flisnin me dashamirësi për vajzën me prejardhje shqiptare nga Kumanova e Maqedonisë. Gojëmbël, e përkushtuar dhe këmbëngulëse deri në admirim, Nermini nuk ua kurseu asnjëherë ndihmën nevojtarëve.
Më vonë, pata rastin të takohem më shpesh e të miqësohem me të, falë veprimtarive të ndryshme përkujtimoresh apo veprimtarive kulturore të organizuara nga mërgata jonë.
E angazhuar më përpara në jetën shoqërore, ndërkaq ajo kishte hedhur hapa të besueshëm në zhvillimet politike të Mbretërisë së Belgjikës. Pasi konkurroi e njëzetedyta në listë për zgjedhjet vendore të vitit 2000 në qytetin e Namyrit, kryeqendër e Valonisë, partia ECOLO e kandidoi të nëntën në listën e saj për në Senat, në vitin 2003, dhe të katërtën për në Parlamentin e Evropës, në vitin 2004.
Prej vitit 2006 është e zgjedhur në Këshillin Komunal të Namyrit (kryeqendra e Valonisë). Është gjithashtu përgjegjëse e Projekteve në Misionin Rajonal në Namyr.
Siç shihet, Nermini i ngjiti me shpejtësi shkallët në listat e kandidimit. Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, kur programi i saj elektoral kishte brendi të theksuar sociale.
***
Nermin Kumanova u lind në Namyr, më 27 shtator 1980 (ditë e Komunitetit Francez të Belgjikës!). Prindërit e saj u vendosën në Belgjikë qysh në fund të viteve ’60, pasi kishin emigruar paraprakisht në Turqi, si rrjedhojë e politikës jugosllave të pastrimit etnik të trojeve shqiptare. Vajzë e vetme mes dy vëllezërish (njëri më i parë dhe tjetri pas saj), Nermini u rrit me kujdesin e veçantë të prindërve, të cilët, falë dashurisë për punën, shënuan arritje të lavdërueshme ekonomike.
Studimet e larta i kreu në Institutin Cardijn të Louvain-la-Neuve, ku u laureua me titullin “Graduat e Ndihmës sociale”. Më pas, fitoi licencën e Shkencave të Punës, po në Louven-la-Neuve, dhe punoi në CPAS (Qendra e Ndihmës Sociale) e komunës së Molenbeekut, në Bruksel.
Përveç veprimtarive me karakter humanitar si Mjedise të Hapura (A.M.O. 1997 dhe 2000), Qendra Edukative dhe e Formimit Alternativ (1997), Shtëpia e Kulturës në Namyr (Seksioni i të Rinjve, 1998), Nermini ka edhe një përvojë të lavdërueshme sociale dhe sindikaliste. Në këtë kuadër, ajo ka marrë pjesë në kurse formimi disa mujore dhe në konferenca e veprimtari të tjera sindikaliste që nga Belgjika, në Marok në Turqi e Kanada (Québec).
***
Për zgjedhjet evropiane të vitit 2004, siç e thashë edhe më sipër, Nermini konkurroi e katërta në listën ECOLO, me pikësynime për të hedhur ura lidhjeje: a) mes gjeneratave të ndryshme; b) mes të lindurve në Belgjikë dhe atyre të lindur jashtë Belgjike; c) mes njerëzve me besime fetare e bindje të ndryshme; ç) mes nxënësve, studentëve dhe të rinjve punëtorë; d) mes grupeve të ndryshme sociale dhe e) mes komunës dhe Evropës.
“Niveli evropian, shprehej asokohe Kumanova, është tepër i rëndësishëm, sepse ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi politikat  kombëtare. Kështu që ekologjia politike është projekti për të cilin Evropa ka nevojë të sigurojë një maksimum të mirëqenies kolektive”.
Në këtë kontekst, ajo zhvilloi një fushatë elektorale të frytshme në ndihmë të partisë që përfaqësoi, ndonëse nuk arriti të zgjidhej, për shkak të renditjes.
Fushatën e atëhershme, Nermini e përqendroi kryesisht: a) për një Evropë sociale e solidare; b) për një Evropë qytetare e transparente; c) kundra racizmit, ksenofobisë dhe përjashtimit, për barazi të të drejtave e  dialog mes kulturave dhe për një Evropë mikpritëse; ç) për një Evropë politike në favor të rinisë dhe të organizatave rinore; etj.
***
Ndonëse ka lindur në Belgjikë, Nermini nuk e ka mohuar asnjëherë përkatësinë e saj shqiptare, jo vetëm në praktikën gjuhësore apo në atë të traditave, por edhe në këndvështrimin e saj ndaj çështjes shqiptare, çka fundshekulli i kaluar dhe fillimi i shekullit që po përjetojmë e vuri në dukje dhe e ndërkombëtarizoi më shumë se kurrë ndonjëherë. Ja përse Nerminin e gjen kudo mes bashkatdhetarëve: në përvjetorë historikë apo në veprimtari kulturore; në protesta për mbrojtjen e çështjes kosovare apo në ndihmë të bashkatdhetarëve për integrimin e tyre në jetën perëndimore; në tubime ndërkulturore mes komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Belgjikë; në dasma e gëzime; në zi e në të pame.
Në një intervistë dhënë gazetarit Mehmet Koksal, ajo pohon: “Sa i takon vendlindjes, jam nga Namyri. Sa i takon emrit tim të familjes, që bart një tingëllim të huaj, jam me prejardhje shqiptare nga Maqedonia.”
Megjithatë, Nermini e njeh shumë pak vendlindjen e të parëve të saj. Aq më pak, Shqipërinë e Kosovën. Është kjo arsyeja që ajo, në fillim të majit, do të ndërmarrë një udhëtim njohjeje, le ta quaj, në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni (Kumanovë). Me atë rast, ajo dëshiron të njihet jo vetëm me viset tona, por edhe me zhvillimet politike e kulturore. Do të ishte në interes të dyanshëm, të sajin dhe të institucioneve shtetërore, partiake, sociale apo kulturore të trevave shqiptare, që përfaqësues të tyre të krijonin mundësinë e takimeve me këtë vajzë simpatike që po synon majat e politikës, Parlamentin Evropian.
Le të shpresojmë!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›