E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovarët dhe nisma evropiane për heqjen e vizave për Ballkanin Perëndimor

A do të ndërmarrë qeveria “Thaçi” diçka tani, sa nuk është bërë vonë? Ose do të vazhdojë të rrijë duarkryq derisa, një ditë, secili prej nesh ta gjejë veten në radhë për pasaporta të shteteve të tjera përreth?

Një ndër pritjet më të rëndësishme të vendeve të rajonit tonë është heqja e vizave për udhëtim në vendet e BE-së. Ajo që mund të kuptohet nga prezantimet publike është se tema e heqjes së vizave për këtë pjesë të Ballkanit më nuk është një dilemë politike e Brukselit. Duket se çështja e vetme e mbetur është pajisja e shtetasve me dokumente sipas standardeve të BE-së.
Kaq thjeshtë?
Në të vërtet, jo.
Në radhë të parë, për shkak se vazhdon të jetë mjaft e vështirë ndarja e instruksioneve konkrete nga ana e Brukselit burkoratik, nga ajo që përhapet në gjithkund në mediat e rajonit si propagandë e qeverive vendore për një sukses vetanak.
Në këtë mes, besoj se u mbetet zyrtarëve të Brukselit që të vijnë dhe të shpejgojnë vet se për çfarë bëhet fjalë saktësisht- nëse bëhet fjalë për lehtësim (liberalizim) të marrjes së vizave për disa kategori specifike të popullatës, ose ka vërtet dicka nga perspektiva e heqjes së vizave për të gjithë.
Po ashtu, do të duhej të na tregonin se cfarë saktësisht duhet të bëjnë qeveritë tona, në mënyrë që kjo të mund të ndodh.
Tash për tash, të paktën në Serbi dhe në Shqipëri, ka një bindje të përgjithshme të opinionit publik se heqja e vizave për të gjithë është çështje muajsh, ndërsa ky perceptim është bartur edhe në Kosovë, ku priten me drojë këto politika rajonale, për shkak të mosnjohjes nga disa vende të BE-së.
Por, pasi që puna e shpjegimeve duket se u është lënë në dorë qeverive të kësaj pjese të Ballkanit, ajo që kemi sot është konfuzioni në perceptimin publik.
Sidoqoftë, nëse janë për t’i marrë sado seriozisht propagandat qeveritare, fundi i këtij ose viti i ardhshëm mund të jenë një afat i pritshëm për heqjen e vizave për shtetsatit e vendeve të rajonit.
“Kosova do të përfshihet në liberalizimin e vizave, ashtu si vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, por vetëm nëse i plotëson kushtet e nevojshme”, tha dje nënkryetari i Komisionit Evropian, Zhak Baro. "Duhet që në Kosovë, ashtu si dhe në vendet tjera, të përmbushen kushtet, të cilat janë vënë për të gjitha vendet ballkanike", thoshte lajmi.
Por, cilat janë kushtet?
Pasaportat biometrikë?
A janë pasaportat e tashme, sapo të prodhuara e të shpërndara, me cilësi të kërkuar?
A janë pasaportat tona vërtet me “standarde evropiane”, ose ishin një improvizim politik i radhës?
A duhet diçka më shumë sesa cilësia e dokumentave personale të identifikimt?
Më në fund, a është ky një prioritet i Qeverisë së Kosovës?
Ka tepër shumë paqartësi në gjithë këtë rrëfim.
Ajo që përgjithësisht dihet është se hapja e kufijve evropianë është pothuajse shtekdalja e vetme për amortizimin e problemeve të gumbulluara të Kosovës.
Mjaftojnë të dhënat elementare demografike që të kuptohet se shteti i ri i Kosovës, me cfarëdo qeverie që mund të nxjerr, realisht, nuk mund të ketë gjasa për prosperitet të vërtetë me kufij të mbyllur sikur tani.
Edhe ashtu, Kosova tradicionalisht ka jetuar në kontekste me të mëdha se ajo vet, ndërkohë që gjithnjë kishte favorin e qasjes në tregje të mëdha të punës, ku rol qendror për dekada kishte hapësira e tashme e BE-së.
Deri diku, ishte e kuptueshme një lloj frike nga dyndja e fukarave të Lindjes drejt Perëndimit të pasur në kohën e integrimit të një Polonie, Rumanie ose Bullgarie.
Tash, BE nuk ka pse të ketë dro nga një proletariat i vogël, i uritur dhe i disciplinuar kosovar.
Përkundrazi!
Dobia është, si gjithnjë, e dyanshme.
A do të ndërmarr qeveria jonë diçka tani, sa nuk është bërë vonë?
Ose do të vazhdojë të rrijë duarkryq derisa, një ditë, secili prej nesh ta gjejë veten në radhë për pasaporta të shteteve të tjera përreth?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›