E Shtunë, 31 Tetor 2026

Syla i ri si Syla i vjetër...!

I thonë fjalës në Kosovë: "Syla i ri si Syla i vjetër, nanë e Sylëve s' di t'bajë tjetër". Këtë po na kujton dhe kështu po na tallandis mendjen këtoditëzaj edhe lideri i pritmë i një partie të pritme politike, Rufi Osmani me rrangullisjet e tij politike në ca media dhe po na sjell dëshpërimin e parë se, edhe ky Sylë i ri, do nisë e do mbarojë si Sylajt e vjetër, se faji është tek nëna jonë shqiptare që në këtë kavaljet s'di të bëjë një tjetër dhe me emër tjetër.
Tallandisje në konfuzion/Dhe ne që themi këtë, s'e themi nga malli, po nga halli, nga meraku që na solli një dëshpërim të ri, se duke gjegjur rrangullisjet e nxituara politike të Rufiut në ca media shqipe dhe maqedonase, si parëmbrëmë në A1 me Biljana Sekullovskën, morëm bindjen se ky lider i pritmë u rrëzua para se të ngritet. Se, brenda ca ditësh, në dy media rrotulloi një konfuzion politik që nuk ia kapte as mendja e vet se ku e ka nisur dhe ku don të dalë, e lëre më mendja e shikuesve. Ky tallandisej në konfuzionin e tij, ndërsa Sekullovska e shkundte gjersa e afroi në rrëzim. Dhe, t'i tëfillim në ca radhë rrangullisjet e para dhe të nxituara të Rufiut në ALSAT-M dhe në A1.
Shtetformues hipur mbi kalë/Në Alsat-M, lideri i pritmë i një partie të pritme, Rufi Osmani bëri shpalimin e parë të konceptit të partisë së tij të pritme, e cila do të angazhohet të rikonfigurojë strukturën institucionale të Maqedonisë si shtet binacional, që vjen me thënë: shtet i maqedonasve, i shqiptarëve dhe i "popujve" të tjerë. Dhe, këtë topi s'e luan, se ashtu mund dhe ashtu duhet të jetë. Po ama, këtë rikonfigurim institucional ky mendon ta bëjë as me formulën federaliste, as me formulën regjionaliste, se këto formula politikën e rrënjosin aty ku duhet dhe ku e ka vendin politika: në territor, e ky,si "lider realist" që i thotë vetes, nuk e do këtë; po këtë e mendon ta bëjë me një formulë të tollovitur: as ashtu as kështu, po si një biçim mushke, me një soj decentralizimi të mjergulluar, si ky i tashmi që del për dobi vetëm të maqedonasve, si e bëri biles edhe me luftë dhe me shkatërrim, Syla i vjetër, "çlirimtari" dhe dezertori i paqes servile, lideri i BDI-së, Ahmeti. Dhe, kjo pritje politike nga këto rrangullisje të tija kështu, del pa arsye për të qenë, se del si një konfuzion i ri i dështimeve të vjetra politike të shqiptarëve. Del si një riciklim i lodhjes politike të shqiptarëve.
Po nejse, këtij ia ka prerë mendja se edhe me një koncept të tillë të tollovitur, që i përgjan poashtu tollovisë mendore të "çlirimtarit", shqiptarët e tollovitur në mëndje nga lodhja politike, do ta quajnë veten "shtetformues". Dhe, kësi shtetformuesish ka në Europën tonë, që i njeh edhe e drejta ndërkombëtare me një nocion metaforik-Popull i Hipur mbi kalë, si u thonë romëve, që kanë të drejtë ta çikin territorin ku jetojnë vetëm hipur mbi kalë, pra, jo me këmbët e veta, që të mos u thonë shtetet ku jetojnë se shfaqin "pretendime territoriale" ndaj shtetit ku jetojnë, njësoj si ne shqiptarët e kësaj hiseje Shqipërie që i thonë Maqedhoni, që bashkë me romët që i kemi pranë, në Partallen e Ohrisë që e solli "çlirimtari" i rremë, jemi bërë popull i hipur mbi kalë, se territorin historik, në këtë pjesë të Shqipërisë verilindore, pushtuesi i vitit 1945, i paqenë më parë në histori, ka ngritur shtetin e vet "kombëtar", dhe "hidhërohet" kur na sheh se vendin tonë e shkelim me këmbët tona, kurse në Kushtetutën e Ohrisë na kanë bërë ta shkelim vetëm hipur mbi kalë..!
Mistika e re e konfuzionit të vjetër/Ne që kemi ndjekur me vëmendje nisjen e trajektores së re politike të Rufiut nga paraqitja e kandidaturës për prefekt të Gostivarit, këto rrangullisje politike të kohëve të fundit të tij bëjnë një hap para nga deklarimet e tij se do të impenjohet për të realizuar "drejt dhe gjer në fund" Marrëveshjen e Ohrisë, e cila është bërë e paqenë në dobi të shqiptarëve që ditën kur është lidhur, sepse ka qenë vetëm një partalle, vetëm një leckë e ndyrë për të fshirë fytyrën dhe duart e tyre pisanjoze dhe të përgjakura me tradhëti nënshkruesit shqiptarë të saj. Këtë e kemi thënë sa herë dhe e themi dhe tashi.
Dy liderë në një tallandi/Po ama, ky përparim i tij, në thelb, nuk është përparim. Se edhe me deklarimin e parë, edhe me këto të fundit, ky ndodhet në kornizën e një konfuzioni të vetëm, të konfuzionit të Marrëveshjes së Ohrisë, vetëm se me deklarimin e fundit, ashtu si e bën, sprovon të krijojë mistikën e re të këtij konfuzioni dhe do të mbledhë prestigjatorët që do ta tundullojnë me bisturin e tyre këtë mistikë. Mbase në këtë udhë që ka marrë do ta kuptojë si kurajo edhe mbështetjen që ia dha Syla i vjetër i PPD-së, Sejfedin Haruni, i cili e di se ky ka qenë angazhim i partisë së tij që nga viti 1991, po harron se ky projekt politik i shqiptarëve si konstituens legjitim i shtetformësisë së Maqedonisë u riafirmua si imperativ politik me Rezolutën e Konferencës së pestë të PPD-së, kur ky u zgjodh kryetar i saj. Nga kjo del se që të dy këta liderë, si e tërë politika shqiptare, ndodhen njësoj në gjendje tallandisjeje.
Por, tallandisja e Rufiut nuk mbaroi me kaq. Në A1 doli më i ngatërruar dhe më i tollovitur dhe gati si për gjynah tek e shihnim se si Sekullovska e rrotullon gati si për hajgare bisedën me të, e cila, si gazetare e stërvitur që është, e di atë thënien e Zuko Xhumhurit, veteranit të gazetarisë së shkruar dhe televizive boshnjake që e la fjalë se "paraqitja e mirë njëminutëshe në televizion mund të të ngrejë lartë e të mbetesh; po paraqitja njëminutëshe e gabuar mund të të hedhë në rrëzomë nga e cila s'do mund të ngritesh fare. Sekullovska e gjeti rasjen t'ia bëjë këtë Rufiut, pa e kuptuar ky se ia ka bërë; po ama ne,dorën në zemër, nuk ia duam këtë rrëzim.
Opcion për në kalendat greke/Në të vërtetë, në këtë bisedë në A1, Rufi Osmani prapë u tollovit në mëndje tek bënte elaborimin konfuz se kur do t'i bëjë shqiptarët konstituens dhe si do t'i bëjë. Nga ajo që gjegjëm doli se nuk e ka mëndjen tash t'i bëjë, por do t'i bëjë pas 10 apo njëzet vjetësh, pasi Maqedonia t'i mbarojë punërat e veta maqedonase dhe vetëm për maqedonasit,që do të thotë pasi të hyjë në NATO dhe në BE, e kur do të ndodhë kjo hyrje, do të na bëjë të na marrë vaji për Maqedoninë shqiptare, si tashi që na merr malli e na merr Vaji për Çamërinë, për Leskocin, për Tivarë dhe për Ulqinë. Kjo ishte pjesa e parë, e mundshme dhe "reale" e liderit realist si i thoshte vetes ky.
Pjesa e dytë ishte se, pasi të ndodhte kjo, duhej gjetur Një Partner Politik Maqedonas, me të cilin duhet t'i ujdisin pipëzat për ta bëjnë ujdinë e re maqedonase-shqiptare, që vjen me thënë se do të jetë njëri prej partnerëve që s'na duan as të gjallë as të vdekur: VMRO, ose LSDM, pasi të shkoqen këta prej lëpushkave të tashme politike shqiptare dhe t'i qasen për sytë e zes partnerit të ri shqiptar…?! Nga kjo bisedë doli e kuptuar se kjo do mund të ndodhë në kalendat greke, që vjen me thënë shqip, kur do bëjnë dardhat në Shënëndre, ose kur do pjellë mushka, si i thonë fjalës në Tetovë. Gjer ahere, lideri i pritëm i partisë së pritme me partnerin e tij maqedonas që do ta zgjedhë, si e zgjodhën të tjerët para tij, do merren me zgjidhjen e çështjeve të tjera "strategjike", sociale dhe makro-ekonomike e monetare, që të mos e lodhin Fondin Monetar Ndërkombëtar më punërat tona, si merret edhe tashi dezertori i paqes servile.
Ndërmjetkoha që do na bëjë të mortshëm/Dhe, ndërmjet kohe, gjersa të ndodhë kjo e pritme, del se partia e pritme do merret, sikundër janë marrë dhe po merren edhe tashi partitë e partallosura shqiptare, me xhepformësinë e saj. Kur do bëjnë dardhat në Shënëndre, do bëjë ky dhe të tjerët marrëveshjen (e re) maqedono-shqiptare, që brezat që do vijnë e që do mbesin udhëve të Europës për bukën e gojës të kujtojnë e të vizitojnë vendet që s'janë më të baballarëve të tyre. Ose, gjer sa të bëjnë dardhat në Shënëndre, do na bëjnë të gjithëve maqedonas, me hir e pahir të heshtur, si na i morën me forcë pjesën orthodokse të shqiptarisë në Nistrovë të Josif Bagerit e tejendanë në Shkret, Rekë e Epërme dhe na morën kishat tona dhe i bënë të tyret, si na morën tash e sa vjet pjesën katolike të shqiptarisë në Shkup dhe në kishën tonë, masonë të Vatikanit dhe të KOM-it, kanë sjellë prift të rremë katolik, një Pero Stojanov, që ua dhunon ritet katolike të meshës dhe figurën e Nënë Terezës sonë nobeliste…!
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›