E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi Europian mes rreziqeve dhe reformave

26-01-2012 / Nga Ilirian Dahri

Asnjë shtet europian nuk do të ishte në gjendje që të dalë i vetëm prej krizës së debisë sovrane. Për një bashkëpunim mes shteteve kishte folur edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në seminaret që u zhvilluan në Francë. Të njëjtën gjë kanë nenvizuar edhe krerë të tjerë të vendeve europiane dhe të vendeve të Bashkimit Europian. Duhet bashkëpunim sepse në të kundërt asnjë prej shteteve, (edhe më të zhvilluarit), nuk mund të dalë dot nga kriza. “Italia nuk ja del dot e vetme”. Për një moment është dukur se kjo frazë kishte dalë prej Drejtorit të Departamentit të Çështjeve të bilancit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Karlo Kotarellit. Sidoqoftë reagimi i këtij të fundit ka qenë i shpejtë. Në pasditen e të martës ka deklaruar se nuk kishte thënë kurrë këtë frazë por kishte deklaruar se duhej forcuar sistemi antikrizë në nivel europian. Nga ana tjetër, Drejtori i Departamentit të Çështjeve të bilancit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është shprehur pozitivisht për Italinë dhe manovrën e qeverisë italiane duke kërkuar në të njëjtën kohë realizimin e reformave strukturore. «Italia ka tre gjëra për të bërë - ka theksuar Kottareli - Rregullimin e bilancit, që po kryhet me një shpejtësi të konsiderueshme. Pastaj e dyta është reforma strukturore, që Italia po bën siç dëshmojnë edhe masat e liberalizimeve të propozuara nga presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti. E treta shkon përtej asaj që mund të bëjë Italia e vetme, duhet një “mur” (kundra spekulimeve) mbarëeuropian». Por përsëri nga Fondi Monetar Ndërkombëtar  flitet për gjithë Europën në tërësi dhe theksohet se rritja ekonomike botërore është “në rrezik” dhe se epiqendra është Europa; duhet të evitohet më e keqja por më e keqja “evitohet duke reaguar menjëherë” - do të shtonte kësaj radhe kreu i ekonomistëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Olivier Blankard, duke nënvizuar faktin se është debia sovrane ajo që ka frenuar ekonominë. Sipa Blankard «rruga drejt rritjes ekonomike është ende e gjatë». Nuk flitet as për Italianë në veçanti dhe as për ndonjë shtet tjetër. Flitet për të gjithë shtetet europiane. Natyrisht secili prej shteteve ka specifikat e tij siç është rasti i vendit fqinj të Greqisë. Një vend në të cilin pas qeverisë të  Luka Papademos dukej se nuk do të kishte më motive shqetësimi por në të cilin dallohet qartë dobësia politike. Përsëri kanë filluar kritikat e ministrave të Financës kundrejt klasës politike greke ndërsa nga ana tjetër vendi  tashmë në krizë të plotë po vazhdon negociatat me bankat për ristrukturimin e borxhit duke luftuar mes falimentimit dhe shpëtimit. «Greqia duhet të praktikojë masat dhe reformat» ka nënvizuar ministri i Financave, gjermani Wolfgang Shauble, duke shtuar: «Të gjitha partitë greke duhet të pranojnë masat dhe planet e ndihmave, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve të ardhshme». Por ndërkaq Greqia gjendet ende në krizë edhe pse e qeverisur nga një qeveri teknike siç është ajo e Papademos. «Përderisa nuk do të kemi një mbështetje për  borxhin nuk mund të japim më ndihma» - ka përsëritur përfaqësuesi demokristian gjerman. Ajo që shqetëson më shumë Europën është se  qeveria teknike duhej të kishte vazhduar drejt një rruge të drejtë për Greqinë. Por duket se qeveria ka mbetur peng e politikës e cila nga ana e saj po merret më së shumti  me zgjedhjet e ardhshme. Bashkimi Europian në fakt u kishte kërkuar të gjithë liderëve politikë që të merrnin përsipër përgjegjësitë e tyre. Madje këta të fundit kishin edhe firmosur angazhimin e tyre përpara se të lëvrohej ndihma e dytë për Greqinë. Sidoqoftë Greqia po merret me një ristrukturim të debisë që duket shumë i komplikuar. Nga ana tjetër disa shtete do të kërkonin që rendimenti i titujve strukturore të ishte më pak se 3,5%, në vit deri në 2020, në një kohë kur bankat  kërkojnë që të arrihet në 4%. Por  insitutet ndërkombëtare të financës, që përfaqësojnë kreditorët, kanë kërkuar që edhe institutet monetare të japin kontribute në ristrukturimin e debisë. Por Ministrat e Financave të Bashkimit Europian nuk kërkojnë vetëm nga Greqia respektimin e bilancit. Të njëjtën gjë po i kërkojnë edhe Spanjës. Një vend ky me një deficit prej 4,4% të Gdp në 2012. Janë momente të vështira me të vërtetë të vështira për Europën dhe Oli Rehnn (Komisari për Çështjet ekonomike) ka nënvizuar se recesioni i “moderuar” do të vazhdojë edhe për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Një problem i ngjashëm po shfaqet edhe në Hungari me një debi që hera – herës duket pothuajse jashtë kontrollit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›