E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa në vend tonë

Ardian Vehbiu

Njerëzit gjithnjë kanë ëndërruar për një vend tjetër, një tokë të lakmuar, ndonjëherë të premtuar, një truall ku një ditë të mund ta ndërtojnë jetën nga e para; një hapësirë ku të jetojnë në mirëqenie dhe paqe, ku të arrijnë nirvanën pa mundim, njohjen e vërtetë të vetes dhe të sendeve; një parajsë, një xhenet, fundja edhe një Kopsht të Edenit, një locus amoenus.

Brezi im do të mbahet mend jo si brezi që ëndërroi për të gjitha këto, meqë ëndërrimi është pjesë e të qenit njeri; por si brezi që, i vetmi nga të gjithë brezat, e përjetoi përnjëmend, edhe pse fare shkurt, ngjitjen në parajsë; një parajsë e cila iu përhi në trajtat e Europës.

Ky fat i rrallë, me ngjyra të forta mitike, u mundësua falë një kombinimi rrethanash: Luftës së Ftohtë, izolimit të Shqipërisë, mbylljes shumëvjeçare të kufijve, autarkisë dhe varfërisë së madhe nën regjimin totalitar; por edhe kontaktit të ngushtë të shqiptarëve me imazhet e lustruara të Perëndimit, që i kapërcenin me lehtësi ato pak kilometra kub ajër që ndanin të këtejmen nga e andejmja, për të mbjellë vizione dhe shpresa, në mendjet tona pjellore.

Nuk ishte vetëm muri që na ndante me Europën, por edhe dritaret, madje frëngjitë në mur, që na linin të hidhnim një sy dhe të shihnim çfarë me dorë nuk e preknim dot.

Nuk e dinim, në ato kohë, se Europa që na tundonte të gjithëve kolektivisht, si ëndërr e përbashkët, ishte po aq produkt i Luftës së Ftohtë sa edhe Shqipëria vetë; aty ku ne ishim të varfër, të mbyllur dhe të ndrojtur, ata ishin të pasur, të hapur dhe të shpenguar; aty ku ne ishim të vrazhdë, ata ishin zemërbutë; aty ku ne ishim të shëmtuar dhe bojëhiri, ata ishin të bukur dhe të shumëngjyrshëm, aq sa edhe sqetullat u vinin erë trëndafili; ne i ruanim kufijtë tanë ditë e natë, me kufitarë, drita verbuese, tela me gjemba dhe qen të stërvitur; ata i linin të tyret të hapur, sepse ua ruanim ne.

Europa e dëshirës sonë ishte kundërimazh i bllokut të Lindjes, ose sendërtimi i gjithçkaje që në Lindje dështoi. Teksa blloku sovjetik, me Shqipërinë nga pas si satelit rebel por të vetmuar, ishte organizuar rreth idesë së një utopie sociale, Europa këtë utopi e kishte realizuar dhe na e shfaqte përditë, në pamjet e veta televizive, në mallrat e saj që depërtonin aty ku njerëzit nuk shkelnin dot, në produktet kulturore, muzikën dhe filmat, romanet dhe modën, dhe një stil jetese të mbushur me dritë, madje edhe natën.

Pastaj erdhi fundi i viteve 1980, rrëzimi i murit të Berlinit dhe kolapsi i Lindjes, nën peshën e entropisë së grumbulluar gjatë dhjetëvjeçarëve. Për Shqipërinë kjo krizë u përjetua si aktualizim i dëshirës së vjetër për ikje, kapërcim, arratisje: që me korrikun e ambasadave dhe më pas me eksodet e vitit 1991. Nëse protestat e dhjetorit 1990 dhe të shkurtit 1991 do të rrëzonin regjimin komunist në Tiranë edhe me parullën E duam Shqipërinë si gjithë Europa në gojë, shumë prej nesh nuk pritën që ky program politik të sendërtohej, por u ngutën të marrin rrugën dhe të kuturisen vetë në Europë pa çka se kjo lëvizje, ku morën pjesë popuj të Lindjes dhe të Jugut, një ditë do të përfundonte me kërcënimin E duam gjithë Europën si Shqipëria.

Çfarë ndodhi në atë fillim aq të turbullt të viteve 1990, ishte që Europa në sytë e shqiptarëve u shndërrua nga një kopsht i Edenit në një El Dorado; vend mitologjik vërtet, i harmonisë dhe i mirëqenies, por i një harmonie dhe mirëqenieje materiale, të themeluara mbi plaçkën dhe, herët a vonë e logjikisht, edhe plaçkitjen.

Parajsa e përfytyruar si përtejmëri kish kultivuar mes nesh shkëlqimin, cilësinë, rafinimin, intelektin, artin dhe gojëtarinë; parajsa e shndërruar në El Dorado na sëmuri të gjithëve me Ethet e Arit. Njëra Europë na kish premtuar pasuri kulturore dhe shpirtërore; tjetra i reduktoi këto premtime në dyqane, tregti, mall, ndihmë sociale, pensione. Shumë prej nesh kërkuan një jetë tjetër, sublime, por u shpërblyen me rrogën e mjerueshme të mbijetesës.

Muri i Berlinit u rrëzua për të dyja Europat, pa çka se efektet këtij rrëzimi madhështor iu shfaqën në mënyrë asimetrike. Europa e Bashkuar udhëtonte ende në krahët e euforisë së fitores dhe vazhdonte, herë për inerci e herë e cytur nga utopia, të hiqte kufijtë, barrierat, pengesat mes shteteve të veta; teksa Europa tjetër, e sapodalë nga një utopi përfunduar prej kohësh në distopi, shfaqej në horizontet e së parës si një kundërpeshë e padëshiruar, ose relike e gjithçkaje që Perëndimi kujtonte se e kish lënë pas: varfërisë, kriminalitetit, vjedhjes, fashizmit, endacakërisë, makutërisë, gatishmërisë për luftë.

Sondazhet e opinionit publik, të këtyre njëzet vjetëve të fundit, gjithnjë i gjejnë shqiptarët jashtëzakonisht në favor të idesë europiane; më shumë se cilido popull tjetër në kontinent. Vëzhguesit ngrenë supet dhe këpusin edhe ndonjë shaka, me këtë popull që shihet si më pak europiani prej të gjithëve, por që ëndërron më shumë ti bashkëlidhet projektit europian; për këtë qerre të vjetër dhe shkatarraqe, që kërkon ti bashkohet trenit TGV, në rrëshqitjen e rrufeshme drejt së ardhmes.

Në Shqipëri ndërkohë Europa është ulur këmbëkryq, por kjo është më shumë Europa e realitetit të përditshëm të imigrantëve në Perëndim, e futur si domosdoshmëri nga poshtë, jo ajo e televizionit, e Sanremo-s, e Shën Pjetrit, e koncertit të Vjenës, e bulevardeve të Parisit dhe e katedraleve gotike por Europa; jo aq zgjedhje e vetëdijshme e elitave të ndriçuara, sesa e sjellë kontrabandë me dengjet e mallit përmes doganave.

Një nga debatet më të ndjekura, mes intelektualëve shqiptarë, gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XXI ishte ai për identitetin europian të shqiptarëve: debat të cilit nuk i munguan argumentet historike, antropologjike, sociale, madje edhe gjuhësore; aq u teprua në këtë debat me patetizëm dhe kitsch nacionalist, sa kish momente dhe pasazhe kur dukej sikur baballarët e Shqipërisë kulturore po përplaseshin mes tyre jo për identitetin europian të shqiptarëve, por për identitetin shqiptar të europianëve.

E gjithë kjo ndodhte bash në një kohë kur Europa e lodhur, e mbitendosur, e shtrirë përtej mundësive të veta utopike si ndonjë dallgë tepër ambicioze, kish filluar të tërhiqej; dhe ta ripërkufizonte identitetin e vet në një mënyrë të tillë reduktive sa, për shumëkënd, të ishe europian do të thoshte të përjashtoje nga vetvetja dukuri të tilla aksidentale, si prania e shqiptarëve në gjeografinë tënde kontinentale. Nëse europiani, si i tillë, tradicionalisht e ka përfytyruar veten si më të mirë se tjetri qoftë ky tjetri maur, zeshkan, katolik, sllav, ortodoks, Ivan, mysliman, turk, barbar, mongol, viking, arab e tani vonë deri edhe amerikan; nëse kjo vetëdije e të qenit më i mirë është pjesë konstitutive e të qenit europian, përtej elementeve thjesht fetare, historike dhe ekonomike të identifikimit, atëherë lënia jashtë e popujve margjinalë, si shqiptarët, i ka shërbyer si katalizator kristalizimit të identitetit kontinental. Sikurse grekët e lashtësisë, të cilëve u pëlqente ta përkufizonin veten duke iu kundërvënë barbarëve – pa i specifikuar këta më tej, pa sqaruar se çgjuhë flisnin e çzakone kishin, por thjesht duke i quajtur barbarë, njerëz që flasin keq, që nuk kuptohet se çthonë; sikurse grekët e lashtësisë, edhe europianët e sotëm, që nga momenti kur nisën ta përfytyrojnë veten si Athinën e rruzullit tokësor, patën nevojë jo vetëm për Spartën amerikane, por edhe për lukunitë e të egjërve, mes të cilave shqiptarët erdhën në vështrim të parët, edhe për shkak të mënyrës si u rrokullisën ngjarjet, në fillim të viteve 1990.

Teksa shqiptarët kërkonin, madje ëndërronin të shkonin në Europë jo vetëm si udhëtarë, turistë, studentë, refugjatë dhe imigrantë, por edhe duke e sjellë Europën në qytetet, fshatrat dhe shtëpitë e tyre, Europa në fazën e parë të dekadencës së vet post-komuniste përpunonte një imazh të shenjtë të vetvetes, i cili dukuri të tilla si shqiptarët tek dyert jo vetëm i përjashtonte, por edhe mbi një përjashtim të tillë themelohej. Shqiptarët synonin bashkimin me një entitet që ngrihej mbi marrëves

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›