E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia e Kosovës të ruajë urtësinë e trashëguar nga Rugova

26-01-2012 / Nga Beqir Ajazi

Nga Beqir Ajazi
Kalorës i Urdhrit të Meritës i Republikës së Francës

Ka disa kohë që ka zënë e po dëgjohet në Kosovë një farë shushuritje fare e lehtë që njeri vesh e dëgjon dhe tjetri jo. Si për magji, kjo shushuritje sa më shumë kalon koha aq më shume dhe kjo ka zënë e po dëgjohet e më shume, derisa më në fund, kjo u bë një zhaurimë kaq e fortë saqë zallamahija e saj arriti deri dhe në Amerikë, duke u kthyer në një problem shqetësues dhe madje të rrezikshëm. Dihet se Rinia në përgjithësi dhe ne shqiptarët ne veçanti, jemi të dëgjuar për padurim e për ngutje të nxituar. Duke pranuar e pranuar këtë, marrë me mend se ç’mund të bëjë rinia e këtij populli, që ka patur fatin e çuditshëm që të ketë për fqinj, kombet më vërshues dhe virule të sipërfaqes së globit, të cilët kanë ditur prej kohësh të krijojnë miqësira si dhe krushqia të larta, që të përfitojnë ndonjë copë tokë të tjetrit. Kjo po ndodh dhe aktualisht sa i përket punëve të Kosovës si shtet i lirë dhe sovran, po ama, nën vëzhgimin e fuqive të mëdha perëndimore. Aktualisht serbët e kanë të zorshme që të pajtohen me fatin e tyre se kanë gjithmonë të përkëdhelur dhe të rrethuar si veshka mes dhjamit, me miq e kumbare sa nga lindja e sa nga perëndimi. Serbia ishte i vetmi vend i botës që kishte nën vete një koloni si Kosova, të cilës ia hante mishin dhe ia pinte gjakun më keq se arkipeshkvi Ruxheri i Kontit Ugolini. Dhe për habinë më të madhe, duhet pranuar se, megjithë kulturën e Europës dhe megjithëse Britania që kishin si koloni të tyre gjysmën e botës, pas mbarit të Luftës së Dytë Botërore, ato qene të detyruara që t’u jepnin atyre vendeve liri dhe pavarësi, pasi kishin përgatitur me anë të shkollimit dy apo tre breza intelektualësh, të aftë për të vetëqeverisur. Serbia, përkundrazi, për një shekull të tërë qe ajo e mbajti Kosovën nën thundër, e që shqiptarëve ja jepte shkollimin me pikatore ashtu si bukën, në mënyrë që ata të mos ngriheshin dot kurrë. Shqipëria ka një listë të gjatë me vajza dhe djem kosovarë, të cilët duke qenë të etur për një shkollim që s’e kanë gjetur në sundimin serb, kanë vënë kokën në rrezik dhe ndonëse fëmijë janë arratisur vetëm e vetëm që të mund të shkolloheshin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, me shkatërrimin e shtetit serb, shqiptarët e këtejshëm duke përfituara nga rrethanat e krijuara, futën në Kosovë një armatë të madhe mësuesish, të cilët hapën shkolla gati në të gjithë fshatrat e Kosovës, duke mbjellë kështu dijen dhe duke u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe dhe rregullat e gramatikës së saj. Natyrisht, serbët, duke gënjyer e mashtruar botën si dhe disa shqiptarë mendje fyçkë, e rimorën prapë Kosovën, po ama nuk mund të mohohet se shqiptarizmat e mbjellë gjatë atyre gjashtë viteve, mbiu mirë dhe dihet se misri i mbjellë atje nga një armatë mësuesish dha tre kallinj misri për një rrënjë dhe ripushtuesit serb tani nuk ia mori dot mendja që të vazhdonte ndaj kosovarëve shkollimin si para luftës. Për pasojë, kosovarët tani e njihnin mirë mashtrimin e serbëve dhe kudo këta të fundit shikoheshin dhe trajtoheshin si armiq e pushtues, megjithëse gazeta “Bashkimi-Vëllazërim” harxhonte kot lumenj boje dhe mullarë letre për të provuar të kundërtën. Sidoqoftë, është fakt që nuk mund të mohohet se ky brez shqiptarësh kosovarë ka nxjerrë nga gjiri i vet Ibrahim Rugovën, taktika diplomatike e pritjes së të cilit si dhe qëndrimi me urtësi, e bëri botën për vete, simpatizuese dhe mike të shqiptarëve në Kosovë. Kjo plejadë kosovarësh të mësuar nuk iu nda kurrë Serbisë, derisa më në fund erdhi koha kur bota u detyrua t’i thoshte “mjaft tiranisë”duke ndërhyrë ashtu siç dihet dhe e liroi Kosovën nga thonjtë grabitqarë e anakronikë të pushtuesve egërsira. Djem trima të Kosovës, lanë punët dhe dolën në mal ku formuan “UÇK”-në, e cila u shtua përditë e më shumë nga djem që vinin nga diaspora, me uniformë të veshur dhe gati për të rrokur armët. Pasi falë ndërhyrjes bujare të SHBA-së dhe demokracive të mëdha perëndimore, Kosova u çlirua. Faktorët që e përgatitën atë çlirimi, ishin taktikat e urtësisë së Ibrahim Rugovës si dhe bindja se kosovarët i kanë përvetësuar taktikat e Rugovës. Në konferencën e Rambujes, ku kosovarët u paraqitën me urtësi ndërsa serbët me arrogancë, bënë që bota të vendoste në favor të Kosovës. Pasi një vdekje e parakohshme e përlau Ibrahim Rugovën, qene nxënësit e tij ata që ia zunë vendin dhe duke ndjekur shembullin e tij, arritën të ngrinin një shtet të së drejtës, të cilin e kanë njohur 86 shtete, kombet më të mëdha dhe më vendimmarrëse të botës. Është e natyrshme që serbët nuk e kanë të lehtë që t’i përshtaten rrethanave dhe kushteve të reja që janë krijuar për ta. 200.000 serbë, të cilët banojnë brenda kufirit të Kosovës, nxiten nga qeveria serbe që të bëjnë akte dhune ndaj kosovarëve dhe forcave ndërkombëtare të vendosura aty. Deri tani, kosovarët kanë fituar shumë pikë në favor të tyre, vetëm duke kopjuar durimin, urtësinë e Ibrahim Rugoves. Shihet se politikat e qeverisë Thaçi ua kanë mbyllur gojën miqve dhe kumbarëve që kishin serbët në Europë dhe gjetkë. Mirëpo, siç është e kuptueshme, djalëria e Kosovës, me atë natyrën e saj të vrullshme po jep shenja se nuk është dakord me qeverinë sepse durimi dhe pritja e qeverisë, këtyre u duket lëshim. Kështu, sot ata janë organizuar dhe protestojnë e shajnë z.Hashim Thaçi si dhe Znj. Edita Tahiri se gjoja me ngadalësinë dhe durimin e tyre, ata po i servilisen Serbisë, Duke marrë parasysh se këta të gjithë janë rini dhe kjo pandeh se çdo gjë që fluturon, hahet. Këta djem xhanan dhe idealistë të idesë së m’vehtësisë së Kosovës sa më parë, njërën e dinë dhe tjetrën s’e dinë. Diplomacia ka ligjet e veta, taktikat e veta dhe urdhëron e thotë: “Mat e mat, e pastaj prit!!!. Jeta e kombeve nuk është ashtu e shkurtër sikundër jeta e njerëzve. Për jetën e një kombi, një shekull nuk mund të jetë veçse një çast. Ndaj diplomatët dhe politikanët e Kosovës janë të detyruar të punojnë sipas një vrulli djaloshar. Politikani i vërtetë, sidomos ai shqiptar, duhet të jetë i tillë që do të detyrohet të qesh e te buzëqesh ende kur ka xhenaze përpara. Ai duhet të buzëqeshë edhe në rast se thumbi i këpucës atij ia ka shpuar tabanin e këmbës e po i rrjedh gjak. Këto janë kushtet e politikës dhe diplomacisë. Jam i sigurt se edhe sikur dikush, për një hamendje absurde, t’i dërgonte këta të “Vetëvendosjes” në vend të znj. Tahiri, edhe ai më virulenti vetëvendosës, do të vepronte jo ndryshe por posi zonja Tahiri. Ajo takohet me homologun  e vet serb dhe i shtrëngon dorën, me buzëqeshje e me urime, kurse përbrenda, ajo nuk mund të jetë ndryshe veçse posi ai djaloshi më virulent i sojëve. Gjithkush e dinë se në punët e politikës dhe të diplomacisë, se punët nuk bëhen fup e fup ashtu siç dëshiron rinia. Skënderbeu, nuk erdhi në Krujë kur ishte 25 vjeç, po vetën pas i kishte kapërcyer të dyzetat. Pse kështu? Ai qe i detyruar të ndiqte ligjet e diplomacisë dhe jo hovet e zemrës. Ismail Qemali kishte vite që i qante zemra për pavarësinë e vendit, por këtë e realizoi atëherë kur u krijuan kushtet e përshtatshme dhe të favorshme. Veç asaj, kur Ismail Qemali u arratisë nga Stambolli dhe mori rrugët për Shqipëri, ai nuk shkoi drejt në Vlorë, por qarkulloi me muaj nëpër të gjithë kancelaritë e fuqive të mëdha, qeshi, luajti golf e ndoshta dhe shkoi nëpër ballo, kur atij i digjte këmba. Pra, këto janë ligjet e politikës dhe të diplomacisë. Fjala e urtë thotë: “Avash avash bëhet sheleku dash”. Prandaj, me gjithë dashamirësinë time dhe moshën, i bëj apel djemve të “Vetëvendosjes” që t’i dëgjojnë fjalët e qeveritarëve të tyre, sepse dihet që të gjithë ata janë burra me përvojë nga mësimet e Ibrahim Rugovës, shumica e të cilëve kanë luftuar në radhët e UÇK-së, çka do të thotë që kanë vajtur atje për të dhënë jetën për shpëtimin e Kosovës. Nga ana tjetër, është shume  e kuptueshme dhe e natyrshme, se “Vetëvendosja” do të protestojë, të bërtasë dhe të bëjë punë që ia thotë zemra, po kurrë ama nuk duhet të bëjë gafat dhe fajet që bëjnë serbët. Këta të fundit janë në humbje dhe dihet se kjo gjende e shtyn njërin të mos jetë i qetë dhe të kërkojë atë që ia kishte falur një shekull më parë mëma e madhe Rusi, duke u dhënë një fare tapie, e cila pas një shekulli, doli të ishte e nënshkruar nga njëra palë, dhe shumica e vendeve të botës e revizionojë këtë tapi fallto, dhe i dha secilit hakun dhe të drejtën e vet. Për një gjë duhet të dinë djemtë e Vetëvendosjes. Nuk është çudi që kësaj flake marroqe të kundërshtisë, po i fryn një urith i futur në mesin tuaj përmes kanaleve të nëndheshme të urithave, e hapur nga shërbimi sekret i Serbisë, i cili ka dhënë prova për madhësinë e përvojës së saj të spiunazhit, të provokimit si dhe të turbullimeve si mashë nxitëse për të dëmtuar pozitat dashamirëse të Kosovës që Kosovës, të cilat i ka fituar me urtësinë dhe vetëpërmbajtjen e diplomacisë. Ruhuni!Ruhuni më shumë me shumë kujdes dhe me zgjuarsinë më të madhe, se koha nuk lejon gabime.    

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›