Bashkimi Europian si bashkim i vlerave të përbashkëta
Pas rënies së murit të Berlinit, BE transformoi regjimet komuniste të Europës qëndrore dhe lindore duke i orientuar ato drejt demokracive moderne dhe të konsoliduara. Tashmë pas vite ndarjeje dhe konfliktesh, Bashkimi Europian po shkon drejt bashkimit të plotë të tij.
Për mos t’u mjaftuar me kaq Europa vazhdon të ndjekë nga afër edhe reformat në Turqi, në Kroaci dhe në vendet e Ballkanit perëndimor. Dhe kjo paraqet diçka shumë të rëndësishme sepse Europa nëpërmjet kësaj fryme kërkon të zgjerojë në të gjithë kontinentin paqen, demokracinë dhe Shtetin e të drejtës.
Shumë prej shtetasve europianë shpeshherë kanë pasiguritë e tyre përsa i përket çështjes së zgjerimit të Bashkimit Europian. Edhe pse anëtarësimi i 10 shteteve të reja, i cili u krye në vitin 2004, tashmë është një fakt i kryer duhet thënë se ky bashkim nuk u krye në një ditë. Këto vende filluan të transformohen si nga ana demokratike por edhe nga ana ekonomike. Vështirësitë kanë qenë të shumta dhe ndonjëherë në Europë pati shumë që mendonin se mos ky zgjerim nuk duhej kryer kaq shpejt. Por i parë tani, ky proçes duket se e ka arritur qëllimin e tij mjafton të shikohen vlerat e shkëmbimeve tregtare mes vetë këtyre vendeve por edhe me vendet themeluese të Bashkimit Europian.
Në fakt një prej pikave të rëndësishme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian është ajo e ekonomisë së tregut dhe sidomos ajo e efiçensës së saj, pa lënë mënjanë edhe kriteret e një demokracie të zhvilluar dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Këto janë masat që u morën nga shtetet që u anëtarësuan në Bashkimin Europian në vitin 2004 të. Këto kushte të verifikuara nga vetë europianët të cilët ndihmuan edhe me mbështetjen e tyre financiare e kanë bërë më pak të mundimshme rrugën e shteteve që u anëtarësuan në 2004 dhe 2007. Nga ana tjetër Europa edhe për shtetet e tjera jo anëtare kërkon që të ndiqen këto kritere. Gjithsesi, flitet, se në momentin që këto shtete do të jenë gati për anëtarësim, Europa do hapë ende dyert e saj. Komisionet e ndryshme ndjekin hap pas hap këto proçese të nisura tanimë prej vitesh në mënyrë që anëtarësimi i tyre të sjellë avantazhe jo vetëm për ekonomitë e këtyre vendeve por edhe për vetë ato të Bashkimit europian. Të gjitha vendimet themelore që pregatisin anëtarësimin e një vendi merren në unanimitet nga qeveritë e Shteteve anëtare të Bashkimit Europian, duhen ratifikuar nga parlamentete kombëtare dhe duhen të aprovohen nga anëtarët e Parlamentit europian. Kjo do të thotë të gjitha vendimet themelore merren nga organet kompetente të zgjedhura në mënyrë demokaratike në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian. Në këtë mënyrë, edhe proçesi i zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian ka të bëjë me mbështetjen e vetë qytetarëve të BE dhe është detyrë ndoshta e vetë këtyre anëtarëve të BE që të informojnë mbi avantazhet dhe problemet që mund të sjellë zgjerimi i gjashtë i Bashkimit Europian. Një informim që duhet të jetë i gjithanshëm, duke vënë në dukje faktin se zgjerimi nuk e ka ngadalësuar proçesin e vendimeve dhe se institucionet europiane vazhdojnë të funksionojnë dhe se anëtarët e rinj të Parlamentit europian marrin pjesë aktive në grupet politike.
Bashkimi Europian ka dëshmuar se zgjerimi i BE është gërshetuar mirë me vetë integrimin, ka menaxhuar më së miri të pestë zgjerimet e Bashkimit Europian ka krijuar një treg të përbashkët, një zonë të përbashkët siç është ajo e Shëngënit, brenda së cilës mund të udhëtohet pa pashaportë, është adoptuar monedha e përbashkët euro, janë kryer politika të sigurisë së brendshme duke forcuar në të njëjtën kohë edhe politikën e jashtme, kjo e fundit, pikërisht në sajë të zgjerimit ka fituar një peshë më të madhe në skenën botërore.
Në vitin 2006, Komisioni europian përcaktoi se: integrimi në BE varet nga zhvillimi i politikave dhe institucioneve të Bashkimit Europian por mbi të gjitha nga vetë vendet kandidate për t’u shndërruar në Shtete anëtare. Ndoshta do të duhej që Bashkimi Europian të nxiste kapacitetet ekonomik të këtyre vendeve.
Edhe çështja e shtimit të numrit të emigrantëve me qytetarë të Europës qëndrore dhe asaj lindore duket se ka qenë një çështje që pothuaj nuk ekziston më. Flukset e emigrantëvë nga Shtetet e reja anëtare ka qenë shumë i kontrolluar dhe për më tepër emigrantët janë ndërfutur në ato sektorë, si bujqësia apo në atë të ndërtimit, ku vendet pritëse nuk kanë patur shumë krahë pune. Në fakt që prej majit të 2004 shtete si Anglia, Suedia dhe Irlanda kanë hapur dyert e tyre për punëtorët e ardhur nga Europa qëndrore dhe ajo lindore dhe fill pas tyre, të njëjtën gjë kanë ndjekur edhe shtete si Portugalia, Spanja dhe Finlanda. Në këtë mënyrë zgjerimi i Bashkimit Europian ka favorizuar emigracionin legal i cili është padyshim më i lehtë për t’u kontrolluar dhe programuar. Nga ana tjetër edhe vete emigrantët nuk shfrytëzohen prej punëdhënësve, nuk paguhen në të zezë dhe si rrjedhojë paguajnë taksat të cilat pastaj do të shërbenin për pensionet dhe sigurimet shëndetësore. Kjo e fundit ka anën e saj pozitive sepse anëtarët e rinj të BE do të përshtasin normat e caktuara nga Bashkimi Europian përsa i përket shëndetësisë duke përmirësuar edhe në këto vende kushtet e punës.
Si rrjedhojë, për sa u shkrua më lart, vendet më të industralizuara të kontinentit do të investonin më shumë në këto vende duke nxitur risitë teknologjike dhe në vend që të investonin në vende si Kina apo India do të rrisnin investimet në vendet e Europës duke ndihmuar kështu në rritjen ekonomike të Europës. Zgjerimi i Bashkimit Europian do të përballonte sfidat e globalizimit sepse stimulon tregtinë e brendshme dhe atë të jashtme duke ruajtur dhe krijuar vende pune.
Zgjerimi i Bashkimit Europian do të lejonte që Shtetet e reja anëtare të zbatonin normativat e BE përsa i përket bashkëpunimit për të bërë më efikase luftën kundër krimit të organizuar. Bashkimi Europian është ndërtuar në vlera dhe vullnete politike dhe është një projekt politik, kufijtë e saj janë politikë dhe nuk janë rrjedhojë e konfigurimit fizik apo gjeografik. Kufijtë e Bashkimit Europian ndryshojnë sipas ritmit të zgjerimit. Duket dhe ndoshta nuk ka si të jetë ndryshe, se etapa tjetër e këtij zgjerimi janë vendet e Ballkanit perëndimor.