Berisha: Larg tensioneve, ne do zhvillojmë fushatën e vlerave të vërteta demokratike

Kryeministri Berisha ishte sot paradite në Lushnje ku prezantoi z. Albert Sanxhaku si kandidat të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të bashkisë së Lushnjës dhe z. Irakli Goreja si kandidat për kryetar të bashkisë së Divjakës.
Në prezantimin e tyre, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të mbështesë çdo projekt që ata do të paraqesin për një jetë më të mirë të qytetarëve të këtij rrethi dhe për shërbime sa më të mira e cilësore për ta. Në këto vite, u shpreh Kryeministri, në rrethin e Lushnjës është investuar 14 herë më shumë sesa është investuar në tetë vitet e qeverisjes socialiste, janë ndërtuar 210 kilometra rrugë, janë ndërtuar dhe rindërtuar në këtë rreth 27 shkolla, janë investuar 13 milionë euro në ujësjellësin dhe kanalizimet e Lushnjës, janë ndërtuar 33 ujësjellës në fshatrat e saj dhe 20 milionë euro janë investuar në sistemin energjetik të Lushnjës.
Kryeministri i garantoi banorët se në katër vitet që vijnë do të investojmë në çdo qelizë, në çdo fshat dhe në çdo lagje për një infrastrukturë ndër më modernet, më europianet. Në katër vitet që vijnë do të ndërtohet edhe godina e re të Fakultetit Bujqësor të Lushnjës, rruga hyrëse Plug - Lushnje, rruga Plasmas – Karbunarë, rruga "Sabri Kosturi" që e lidh me autostradën, si dhe menaxhimi i mbetjeve urbane.
Duke ritheksuar se qytetari është në epiqendër të kësaj fushate, Kryeministri Berisha i ftoi shqiptarët që në këtë fushatë të mbajnë parasysh, të kenë për yll polar moralin qytetar dhe të shmangin çdo tension, çdo përplasje, të zhvillojnë fushatën më të qytetëruar, fushatën e vlerave të vërteta.
Fjala e kryeministrit Berisha gjatë mitingut të “Aleanca për Qytetarin”, të zhvilluar sot në Lushnje
Së pari ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë time që sot vij tek ju për të paraqitur kandidatin për qytetar të parë Lushnjës, të Divjakës dhe të të gjitha komunave të këtij rrethi.
Vij këtu, gjithashtu, për tu zotuar para jush se qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Albert Sanxhaku, të zotit Irakli Goreja, të kryetarëve të komunave tuaja, për të lehtësuar jetën tuaj, për të përmirësuar jetën tuaj dhe për të mundur që mundi, djersa, puna juaj të marrë gjithnjë e më shumë shpërblimin që meriton. Do të bëjmë gjithçka që këto katër vite Lushnja të shndërrohet në një kryeqendër moderne, në Lushnjën e zhvilluar, Shqipërinë vend i zhvilluar. Do të bëjmë çdo gjë që në këtë qytet të gëzoni shërbimet më të mira, të gëzoni infrastrukturën e cilësisë më të lartë, të shndërrohet në një qendër të vërtetë universitare. Do të bëjmë gjithçka që Lushnja të jetë, gjithashtu, një nga qendrat më të rëndësishme turistike të Myzeqesë dhe të mbarë Shqipërisë.
Gjatë këtyre viteve qeveria ka investuar në rrethin tuaj 14 herë më shumë sesa është investuar në tetë vitet e qeverisjes socialiste. Kemi ndërtuar në këtë 210 kilometra rrugë, nga të cilat 103 kilometra rrugë kombëtare dhe 107 kilometra rrugë rurale. Jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se në katër vitet që vijnë në rrethin tuaj nuk do të ketë qoftë edhe një kilometër rrugë të paasfaltuar. Në vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar në këtë rreth 27 shkolla. Jam sot për t’u zotuar se në katër vitet që vijnë në Lushnjë do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo shkollë që është e nevojshme apo që ekziston në këtë rreth. Kemi subvencionuar 550 hektarë dru frutorë dhe sera. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë do të subvencionojmë edhe 2 mijë hektarë të tjerë për fermerët e Lushnjës.
Kemi investuar 13 milionë euro në ujësjellësin dhe kanalizimet e Lushnjës. Kemi ndërtuar 33 ujësjellës në fshatrat e saj. Ujë 24 orë për Lushnjën, komunat dhe fshatrat e saj do të jetë motoja e katër viteve që vijnë. Investuam 20 milionë euro në sistemin energjetik të Lushnjës. Ju garantoj se do të investojmë në çdo qelize, në çdo fshat dhe në çdo lagje për një infrastrukturë ndër më modernet, më europianet. Në katër vitet që vijnë do të ndërtojmë godinën e re të Fakultetit Bujqësor në Lushnje, rrugën hyrëse Plug - Lushnje, rrugën Plasmas – Karbunarë, rrugën Sabri Kosturi, si dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.
Sot ne mblidhemi në këtë shesh pas një udhëtimi jo të lehtë, pas një udhëtimi me mundime, me sakrifica, me dhembje, por sot, në këtë shesh dhe kudo që jemi, shohim njëri – tjetrin me ndjenjën e krenarisë, nderimit dhe vlerësimit. Sepse ne nga njerëzit më të izoluar të planetit, sot jemi anëtare të NATO-s. Ne, nga njerëzit më të izoluar të planetit, të rrethuar në vitet ‘90 me tela me gjemba, sot lëvizim të lire, pa viza, në mbarë Europën. Së bashku ne i’a dolëm që me mund, me djersë, me sakrifica dhe me reforma, ekonominë e falimentuar të këtij vendi ta shndërrojmë në ekonominë që tre vitet e fundit kryeson rritjen ekonomike në Europë. Së bashku i’a dolëm që vitin e kaluar fermerët e Lushnjës dhe të mbarë Shqipërisë të dyfishojnë eksportet e prodhimeve të tyre. Në se bashku ia dolëm që këto vite të dyfishojmë pensionet e fermerëve të Lushnjës dhe të mbarë Shqipërisë. Së bashku ia dolëm që këto vite të dyfishojmë rrogat e administratës shqiptare. Së bashku ia dolëm që këto vite të mbidyfishojmë ndihmën ekonomike. Shqipëria është nga më të paktat vende që në kulmin e krizës ekonomike-financiare europiane e botërore, papunësia jo vetëm që nuk u rrit, por u ul. Rrogat jo vetëm që nuk u ulën, por u rritën. Pensionet jo vetëm që nuk u ulën, por u rritën.
Në këtë fushatë ju jeni drejtuesit e saj, jeni udhëheqësit e saj, jeni projektuesit e saj, jeni epiqendra e saj dhe kjo është një e vërtetë e madhe. Sepse në mençurinë tuaj, në dhembjet tuaja, në sakrificat dhe në njohuritë tuaja qëndron problematika, zgjidhja e së cilës do të bëjë Lushnjën qytet modern, do të bëjë Shqipërinë vend të zhvilluar. Prandaj dhe për ne jeni ju të parët. Ju ftoj ta shndërrojmë këtë muaj në muajin e meditimit të thellë, në muajin e debatit të madh, të dialogut konstruktiv, për të përcaktuar të gjitha përparësitë, të gjitha mangësitë, të gjitha projektet që duhen për të ndryshuar jetën tonë, jetën tuaj, jetën e fëmijëve tuaj.
Kjo është fushata jonë. Fushata jonë, para së gjithash, bazohet në moralin tuaj qytetar njerëzor. Ndaj dhe jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë mbështetësve dhe simpatizantëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” që në këtë fushatë të mbajnë parasysh, të kenë për yll polar moralin qytetar dhe të shmangin çdo tension, çdo përplasje.
Sikundër, u bëj thirrje të gjithë shqiptareve, le të zhvillojmë ne fushatën më të qytetëruar, fushatën e vlerave të vërteta.
Krahas kësaj fushate po zhvillohet fushata e rrugës së vetme. Rruga e vetme është rruga e mallkimeve, e shpifjeve, e hakmarrjeve, e cila s’ka asgjë të përbashkët me vlerat e shpirtit tuaj, me interesat tuaja, me interesat e fëmijëve tuaj.
I them nga këtu zotit Rama se qytetarët kanë nevojë për projekte, kanë nevojë për shkolla, qytetarët kanë nevojë për kopshte, kanë nevojë për rrugë e rrugica të asfaltuara, kanë nevojë për sisteme vaditjesh e kanalizimesh, kanë nevojë për tregje, kanë nevojë që djersa e mundi i tyre t’i shpërblejë në mënyrë të merituar. Ndaj dhe këtë fushatë le ta shndërrojmë në fushatën e alternativave, tu japim atyre mundësinë të zgjedhin jo midis projektit për ta dhe sharjes, jo midis projektit për ta dhe fyerjeve, sepse ato janë që të gjitha dëshmi e një dëshpërimi të thellë, dëshmi e një varfërie ekstreme në argumente, e një varfërie ekstreme në vizion, në parashikim, por edhe një mungesë e madhe respekti për qytetarët e tu.
Kalon nga një qytet në një tjetër dhe u thotë qytetarëve se kryetar bashkie ka qenë Sali Berisha. Në Tiranë u tha se nuk ka qenë Edi Rama, në Elbasan u tha ka qenë Sali Berisha, në Vlorë u tha ka qenë Sali Berisha. More zotëri, qytetarët kanë votuar dhe e dinë se për kë kanë votuar. E dinë se kanë votuar për kryebashkiakët e tyre. Ti mund tu thuash sa të duash se ka qenë Sali Berisha, por ata duan projekte, ata duan zgjidhje. Ndaj dhe e kanë vendosur në mendjen e tyre, po presin me padurim 8 majin, në mënyrë që të të japin edhe fundin e ri që meriton.
Duke e përfunduar, edhe një herë ju garantoj se do të punojmë ngushtë me qytetarët e parë të Lushnjës, të Divjakës, të komunave tuaja, në mënyrë që të bëjmë gjithçka që ju të gëzoni shërbimet më të mira; do të bëjmë gjithçka që ju ta keni jetën gjithnjë e më të mirë në këtë qytet dhe në komuna; do të bëjmë gjithçka që Lushnja turistike të shndërrohet në një gjenerator të fuqishëm të mirëqenies për çdo familje lushnjare, për Shqipërinë në tërësi; do të bëjmë gjithçka që Lushnja të ketë polin e vetë industrial, zonë e fuqishme e prodhimit industrial për vendin; do të bëjmë gjithçka që katër vitet që vijnë të arrijmë katër herë më shumë se katër vitet që shkuan.