E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi Evropian hap zyrë në Bengazi

Bashkimi Evropian ka thënë se planifikon hapjen e një zyre në qytetin lindor libian të Bengazit, që të lehtësojë ndihmën për autoritetet rebele të vendosura në këtë qytet.

Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, e ka bërë të ditur këtë lajm sot në Parlamentin Evropian në Strasburg.

"Unë kam për qëllim që të hap një zyrë në Bengazi që të kemi mundësi të përkrahim popullin, të ndihmojmë shoqërinë civile dhe Këshillin Kombëtar Tranzicional”, deklaroi Eshton.

Në anën tjetër, dëshmitarët në Tripoli, thonë se disa shpërthime kanë tronditur sot pjesën lindore të kryeqytetit libian, për pothuajse një orë.

Qeveria e liderit libian, Muamer Gadafi, ka thënë se katër fëmijë janë plagosur, dy prej të cilëve seriozisht, nga xhamat që ishin hedhur në ajër për shkak të bombardimeve të NATO-s në Tripoli.

Rebelët thonë se ata kanë marrë kontrollin mbi qytezën Zarik, në perëndim të Misratës, të vetmin qytet që e kontrollojnë rebelët në pjesën perëndimore të Libisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›