Bashkimi i të majtës, më shumë shpresë për qytetarët
Niqifor Doda
-Edhe pse kanë kaluar mbi dy dekada postkomuniste, zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë arritur akoma të bëhen një normë demokratike; të lira, transparente, kompetitive, të pranueshme...Kështu që ato asnjëherë nuk kanë mundur të kontribuojnë në përmirësimin e perspektivave për një zhvillim konstant ekonomik, në veçanti politik, për një pajtim mbarëkombëtar, për bashkëjetesë harmonike ideopolitike, natyrisht brenda rregullave të lojës së partive politike.
Përkundrazi, përherë kemi zhvilluar zgjedhje të dyshimta, me vjedhje të votës së lirë, shumë herë me shfaqje dhune…dhe me polarizim të diskutimit politik. Procesi i demokratizimit në Shqipëri nuk ka mundur akoma të krijojë institucione thelbësore demokratike për zhvillimin e zgjedhjeve. Për këtë arsye, Shqipëria,( një shtet që aspiron për t’u bërë pjesë e familjes europiane) dhe qeveritë e saj kanë qenë dhe janë më të përfolurat nga ndërkombëtarët. Edhe pse vetë procesi zgjedhor është larg kërkesave të kohës, larg normave demokratike, larg dëshirës së popullit, nuk ekziston ende vullneti politik për të promovuar dhe organizuar zgjedhje të besueshme dhe të pranueshme. Është një emergjencë politike, aq më tepër sot, që Qeveria dhe partitë të tregojnë një profesionalizëm dhe transparencë të lartë që plotësimi i detyrave përkatëse të kontribuojë në suksesin e tyre. Zhvillimi i zgjedhjeve të suksesshme kërkon konsensus, transparencë dhe harmonizim të veprimeve të Qeverisë me udhëheqësit e partive politike, të organeve të menaxhimit elektoral, të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të medias dhe të vëzhguesve ndërkombëtarë. Kjo është një kërkesë e mbarë elektoratit dhe jo vetëm, për mos ta ndjerë veten më të fyer sa herë që i vjen radha të ushtrojë të drejtën e tij më demokratike, që ia ka dhënë Deklarata Universale mbi të Drejtat e Njeriut – atë të zgjedhjes së lirë të përfaqësuesve të tij. Edhe nëse më 23 qershor, arrijmë të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që me qeverinë Berisha duhet të jesh jashtëtokësor ta besosh, demokratizimi i plotë i vendit dhe sidomos i jetës politike, nuk mbaron aty; edhe pse ato përbëjnë në vetvete një nga kolonat kryesore të tij dhe janë themeli i kontratës sociale me të cilën politikanët e zgjedhur fitojnë legjitimitetin për të udhëhequr: Shqipërisë i duhet shumë punë dhe shumë vite që të arrijë të meritojë përkatësinë e saj në familjen Europiane. Megjithatë le të shpresojmë diçka më të mirë, tani me bashkimin e gjerë të së majtës.