100-vjetori i masakrës serbe në Kabash të Prizrenit, 17 mars 1913-2013
Nga historiku i masakrës së Kabashit, 1913 - Kabashët, si edhe shumë fshatra të tjera të Kosovës, i pritën me armë pushtuesit serbë, të cilët, sa po hynin në fshat, kërkonin çarmatosjen në mënyrë të dhunshme. Me pretekstin e çarmatosjes përdornin dhunë e keqtrajtime gjithfarësh, deri edhe burgosje për kundërshtimin më të vogël. Kjo i detyroi kabashët që të merrnin masa mbrojtëse. Në këto rrethana, Sahit Uka, një prej trimave të njohur të Korishës, vendosi që të vetëmbrohej, të mos çarmatosej. Këtë gjë ua kërkoi mjaft kabashëve të cilët e përkrahën pa hezitim. Në fillim të marsit 1913 Sahit Uka u bëri kundërshtimin e parë xhandarëve që po përpiqeshin për çarmatosjen e Korishës. Të nesërmen xhandarë me paramilitarë serbë të Korishës e të fshatrave përreth: u futën në Korishë për kapjen e Sahit Ukës dhe shokëve të tij, por ranë në pritën e tyre, ku lanë të vrarë e të plagosur. Xhandarmëria e Prizrenit u bëri thirrje paramilitarëve serbë të fshatrave: Selcë, Shtrepcë, Jazhnicë e tje. që t’u shkonin në ndihmë. Me këto fshatra me kolonë serbë Kabashi kishte ruajt gjithmonë marrëdhënie të mira, por si hyri ushtria pushtuese serbe, ata u treguan bukëshkalë. Rrokën armët dhe bashkë me xhandarmërinë dhe ushtrinë serbe filluan masakrimin e shqiptarëve me parullën se “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”. Më 13 mars 1913 u sulmua Korisha me forca të shumta. Para se të hynin në fshat banorët u tërhoqën me të shpejtë në malin mbi Kabash, kështjella e tyre natyrore. Fillimisht serbët bën përpjekje për ta përçarë fshatin. Hynë në bisedime me kryeplakun Arif Shabani të cilit i kërkuan të ndaheshin “të ndershmit” prej komitëve të Sahit Ukës. Kryeplaku u përgjegj i vendosur se në Korishë të gjithë ishin “të ndershëm”. Për frikësim e terror e masakruan trimin Arif Shabanin para grykës së topit, me të cilin e bombarduan gjithë fshatin. U grabitën dhe u dogjën shumë shtëpi, por dhuna nuk ia arriti qëllimit, se shumica e kabashëve i ishin ngjitë malit. Atëhere e mbështetën shpresën te dinakëria me thirrjen të shkonin te manastiri i “Shën Markut”, i cili është në mesvendi Korishë-Kabash: në anën veriperëndimore të Kabashit dhe në anën lindore të Korishës. Këtu do të merrnin me shkrim gjoja “lejet e qarkullimit”me të cilat do të ishin të lirë të shkonin për nevojat e tyre në fshatrat përreth dhe në qytetin e Prizrenit. Lajmërimi vazhdoi për tri ditë shtëpi për shtëpi me premtime se kjo gjë ishte në interes të tyre. Më në fund besuan një pjesë, kryesisht prej Korishe, dhe më 17 mars u paraqitën te manastiri mbi 80 kabashës të moshave të ndryshme. I futën në sallen e madhe të meshës. Prej aty i merrnin në grupe të vogla gjoja për në “zyrën e lejeve”dhe i nxirnin jashtë në një pod mbi greminën e përroit të Kabashit. Aty ishin gati me sopata paramilitarët serbë që ua pritnin kokat dhe i hidhnin në greminë, prej ku rrokulliseshin, dhe humbisnin në ujin e shumtë të përroit të rrëmbyeshëm. Këtë mënyrë masakrimi me sopata e jo me armë e praktikonin edhe si traditë serbe, por edhe për të mënjanuar ndonjë të papritur. Prandaj, kështu, ruhej “qetësia” në manastir dhe maskonin masakrën para të larguarve në mal. Ndryshe, pushkët do t’i revoltonin pritësit në sallën e meshës dhe njëkohësisht, do të dëgjoheshin sipër në Kabash, prej nga mund t’i kryhej manastirit ndonjë sulm në befasi.
Një murgeshë e manastirit, kur mori vesh për masakrën, shpëtoi dy vëllezër: Hasan e Bal Sali Bobaj. I fshehu në një kthinë të manastirit. Nga fundi, i ra radha edhe imamit të fshatit. Ky, kur pau kasaphanën, vendosi të vdiste më mirë greminës për në përrua ose në ujin e rrëmbyeshëm të tij, se sa prej sopatave të gjakosura serbe. Pati fat e shpëtoi i gjallë, megjithë plagët e shumta që mori. Me mundim u ngjit në mal dhe tregoi për masakrën serbe gjatë të cilave humbën jetën barbarisht 80 kabashës. Gratë ia dhanë vajit e lemerisë. Zbritën me guxim poshtë manastirit për tërheqjen e të vrarëve. Paramilitarët u munduan t’i ndalonin. Përdorën edhe armët kundër tyre. Edhe pse u vranë pesë gra, të tjerat nuk u larguan derisa morën të vrarët dhe i varrosën. Në këto kushte të vështira çeta e Kabashit filloi të rritej me luftëtarë. Në vazhdim nga 20 luftëtarë arriti deri në 40. Për të vepruar më me shpejtësi shpeshherë ndahej në grupe të vogla. Xhandarmëria serbe, e mbështetur prej militarëve serbë, gjoja për vendosjen e rendit me çarmatosjen e banorëve, i vazhdoi masakrat në Korishë gjatë mars-prillit 1913, ku u vranë apo u therën me bajoneta edhe 45 vetë. Kështu në masakrat mars-prill 1913 numri i të masakruarve arriti në 115 kabashas, ndër ta pesë gra.
Shpagimi i shqiptarëve të masakruar e të vrarë pa gjyq - Kabashët kurrë nuk kishin parë kaq dhunë e masakrime në vatrat e tyre, por edhe pse me vështirësi gati të papërballueshme mbijetuan gjatë viteve 1913-1914. Çeta e Kabashit atje në male ishte shpresa e tyre, prej ku vepronte me kujdes e maturi për të mos u dhënë shkas forcave serbe për “hakmarrje” të tjera mbi popullin e pambrojtur. Megjithatë, lëvizte sa në një vend e në një tjetër si forcë e paepur e armatosur dhe se një ditë do të shpaguante masakrat barbare mbi një popull të tërë të pafajshëm. Dhe dita erdhi. Me fillimin e Luftës I Botërore u ngjallën shpresat te ushtria austro-hungareze. Te kjo ushtri kabashët kishin një aleat të cilin e përkrahën kundër armikut të përbashkët. Gjatë luftimeve në Frontin Serbo-Bullgar në malet e Sharrit dhe Kunorën e Kabashit, qindra kabashas sulmuan pozicionet serbe nga prapa. Të ndodhur mes dy zjarresh dhe përparimeve austro-hungareze, ushtria serbe filloi tërheqjen në panik drejt Kabashit. Kabashët u zunë qafë e shteg dhe i sulmuan me guxim edhe pse ishin të armatosur dosido, kurse ushtria e paramilitarët serbë kishin armë moderne të kohës, por nuk po u bënin dobi. Kabashët, ndërsa luftonin me ushtarët serbë, si luftëtarë për Liri e Pavarësi u treguan human me të moshuarit dhe gratë e hasmit të tyre, të braktisur udhëve. I morën nën mbrojtje dhe i përcollën deri në Prizren, ku po përgatitej tërheqja për në Durrës e forcave të grumbulluara serbe. Pra, krejt ndryshe vepruan kabashët në krahasim me serbët: xhandarë, ushtarë e paramilitarë, kur të moshuar e gra shqiptare masakroheshin prej tyre pa mëshirë në mars-prill 1913. Veprime të tilla filluan të kryenin përsëri sapo u kthyen më 1918. Gjatë viteve 1918-1919 forcat serbe hynë në Korishë e Kabash gjoja në ndjekje të “kaçakëve shqiptarë”. Por kabashët nuk u gjetën të papërgatitur. Çeta e Mahmut Halilit, sapo u sulmua, që ditën e parë la të vdekur 13 xhandarë e militarë serbë. Në atë përleshje të pabarabartë u vra trimërisht edhe Mahmut Halili i cili me aktin e tij heroik ra Dëshmor i Kombit, shembull i përleshjeve për Liri e Pavarësi. Po çeta u ripërtri përsëri e vazhdoi qëndresën dhe pse përsëri pati dëshmorë të tjerë: Rexhë Sadikun, Brahim Ademn e tjerë. Kështu vazhdoi vit mbas viti jeta e rëndë e kabashëve trima: masakroju, vraju e vrit, se serbët, ndryshe nga se kishin premtuar, nuk donin bashkëjetesë me shqiptarët. Ata donin ose dëbimin e shfarosjen e tyre, ose skllavërimin e tyre.
Shpagimi II me ekzekutimin e xhelatit serb Spiro Dollocit - Në mes pushtuesve serbë dallohej për barbarizëm kapiteni i xhandarmërisë lokale Spiro Dolloci, kolon serbë i fshatit Dolloc të Suharekës. Ky ishte ndër organizatorët kryesorë të masakrës serbe te manastiri i Shën Markut 1913 dhe më 1914, si dhe më 1918 e në vazhdim. Shaban Mustafë Kabashi në një tubim të Korishës kërkoi që të dilte një trim për vrasjen e xhelatit Spiro Dollocit. U ngrit i biri, Saliu i cili kërkoi t’ia besonin atij. Ashtu u vendos. Me këtë akt vetiak, fshati paraqitej si i pafajshëm para xhandarmërisë serbe e cila, për dënimet gjakatare ishte bërë objekt kritikash edhe në opinionin politik europian. Sali Kabashi i doli në pritë larg Korishës, në Baçec, mes fshatrave Mushticë e Greikoc. Kënga bën fjalë për një dialog në mes trimit Sali Kabashi dhe kapitenit xhelat Spiro Dollocit i cili, i tmerruar para grykës së pushkës, mundohet të shfajsohej. Saliu vetëtimthi vret atë dhe shoqëruesin e tij, xhandarin File. Krisma e kësaj pushke “u dëgjue” në tërë Kosovën, sa mbetë në kujtesën historike sot e asaj dite. Prandaj Presidenti prof. dr. Sali Berisha me Dek. Nr. 547, datë 03.06.1993 e dekoron Sali Mustafë Kabashin me “Urdhrin për Veprimtari Patriotike të Klasit I”. Hasan Kabashi tregon se, kur ishin në kampe pune ose në burgje, sa herë jepeshin dënime kundër shqiptarëve, në shenjë proteste e urrejtjeje këndonin të gjithë së bashku këngën kushtuar Sali Kabashit
17 mars 2013, përkujtohen me nderime të masakruarit dhe të rënët dëshmorë - Pushteti vendor i fshatit Korishë, Kabash, i nxitur edhe prej familjeve të të rënëve në altarin e Lirisë, vendosi që të organizonte përkujtimin e 100-vjetorit të masakrës mars-prill 115 të kabashëve dhe të rënëve dëshmorë. Veli Daka, kryetari i fshatit, i mbështeur prej Lulzim H. Kabashit, Xhemil Kabashit, Burim Ukymeriaj e tjerë mori përsipër këtë organizim në shkallë komuneje. Në dukjen e parë i lehtë, por në fakt me mjaft vështirësi. Duheshin parashikuar financimet, bashkëpunimet, programi me ftesa cilësore, vendi i veprimtarive, të ftuar prej fshatit Korishë, të ftuar të nderuar, monitorimi, mediat, kumtesat e autorët në Akademinë përkujtimore, shërbimet e rastit, pritja e përcjellja etj. Së pari, siguruan miratimin dhe bashkëpunimin e Komunës së Prizrenit. Kryetari vetë, prof. dr. Ramadan Muja, mori në kujdes (patronatin) e këshillit organizativ të veprimtarisë U sigurua edhe bashkëpunimi shkencor i Institutit të Historisë “ALI HADRI” si edhe Artisti i Madh i përmasave ndërkombëtare, Mirush Kabashi, “Artist i Merituar”. Po kështu konfirmoi ftesën edhe Heroi i Kosovës, shkrimtari dhe veprimtari i nderuar, Adem Demaçi. Gjithashtu, u ftuan studiues akademik nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, prej Kabashit të Vitisë, Greikocit, Kabashit të Pukës, autoritete të pushtetit vendor të Shkodrës, Kukësit, Pukës etj. Së dyti, programi me veprimtaritë përkatëse përbënte një vështirësi serioze se do të kishte për objekt tre drejtime. Drejtimi i parë do të kishte të bënte me një vizitë në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Landovicë. Drejtimi i dytë do të përfshinte përgatitjen e Akademisë përkujtimore, gërshetuar me pjesë muzikore dhe këngë epike. Për këtë duhej unifikuar bashkëpunimi me Shtëpinë e Kulturës “Xhemal Berisha”, Komunën e Prizrenit dhe Institutin e Historisë së Prishtinës”Ali Hadri”. Drejtimi i tretë, edhe pse i përkiste Korishës dhe dukej më i lehtë e i përballueshëm, në fakt ishte mjaft i ngarkuar: me drekën përreth 200 të ftuar, me promovimin e emrit të ri të Shkollës Fillore ( 9-vjeçare) të Korishës dhe përmbyllja me programin artistik te “Sheshi i Dëshmorëve“, përgatitë prej Shoqatës Kabashi Artistik (SHKA). Kryetari i Bashkësisë Lokale Korishë, Veli Daka, përpiqej të ishte i qetë, sepse kështu mund të nxiste më mirë të ngarkuarit me detyrat e veçanta. Por, kryesorja, kishte përkrahës të përkushtuar: Lulzimin, Xhemilin, Burim Ukymerajn etj. që gjendeshin të gatshëm gjatë gjithë zhvillimit të veprimtarive. Akademinë përkujtimore kushtuar martirëve të masakrës serbe e monitoroi me art gazetari orator i TVK Prishtinë, Muhamet Muça, kabashas. Fjalën e hapjes e mbajti prof. dr. Frashër Dema i cili vuri në dukje se përkujtime të tilla akademike janë shprehje e ndërgjegjësimit të një shkalle të lartë të bashkësisë lokale të Korishës e rrethinë, të drejtuesve dhe intelektualëve të saj, si edhe të vetë Komunës së Prizrenit. Masakra të tilla si ajo e 115 kabashëve 100 vjet më parë përbëjnë një gjenocid të pamohueshëm e të pajustifikueshëm të shtetit serb ndaj shqiptarëve për afro një shekull ndaj kabashëve si kudo në Kosovë, Maqedoni e Crnagore. Prandaj Pavarësia e Kosovës është një akt historik i domosdoshëm dhe përkujtime të tilla janë po aq të ligjshme për të ndërtuar marrëdhënie të drejta njerëzore dhe shoqëri demokratike ndërshtetërore ballkanike. Studiuesi Qazim Kabashi në kumtesën e tij solli në kujtesë mjaft fakte për masakrën serbe të 1913-ës e në vazhdim, por edhe përpjekjet e kabashëve për vetëmbrojtje dhe shpagim për të masakruarit e të rënët dëshmorë. Njëkohësisht, mbrojti tezën se kabashët janë banorë të kahershëm në Kabashin e Prizrenit dhe prandaj quhen “Kabashi i Vendit”. Por mënyra se si e trajton këtë tezë me shumë interes, ajo merr karakter opinioni, se sa argumentimi shkencor. Me mjaft vëmendje u ndoq fjala përshëndetëse e militantit Adem Demaçi i cili vlerësoi përkujtime të tilla si shprehje respekti ndaj të martirizuarëve, si shprehje e të drejtës për të mos lejuar në të ardhmen masakra të tilla barbare, por që popujt të jetojnë në paqë e demokraci për të cilën kanë luftuar gjithmonë shqiptarët, prandaj na përkrahu NATO, na përkrahu Amerika dhe Bashkimi Europian. “Ne nuk jemi kundër fqinjëve tanë, por duam të jemi të lirë e të barabartë me ta pa dhunë e gjak si e ka dhanë Zoti i Madhnueshëm për të gjithë”. Lulzim H. Kabashi, ish-komandant batalioni i UÇK-ës, në përkujtim të luftëtarëve të rënë, cilësoi faktin se ”UÇK-ëja u krijua dhe filloi luftën çlirimtarëve si pasojë e dhunës së përgjakshme serbe në përmasa genocidi kundër shqiptarëve”. Po kështu,V. Daka në fjalën përshëndetëse u shpreh se “Dëshmorët tanë luftuan dhe u sakrifikuan në altarin e lirisë, jo se e donin luftën, por se donin Lirinë e barazinë, pa dhunë e racizëm”. Me entuziazëm e përmallim u ndoq recitimi aq prekës i Mirush Kabashit, “Artist i Merituar” nga Poema “Kosova”, për këtë popull të lashtë në trojet Dardane, të lashtë sa vetë malet mijëvjeçare, kurorë qendrese e mbijetese, kurorë trimërie, sigurie e lavdie. Për të ftuarit nga Puka, Xh. Meçi, falënderoi në emër të OBVL-ës, Dega Pukë, kryetarit të Bashkisë Pukë, Beqir Arifaj, nënprefektit Mirash Mardodaj dhe n/kryetarit të këshillit të Qarkut Shkodër, Ferit Rringaj, të gjithë të pranishëm aty. Masakrën serbe kundër kabashëve e lidhi edhe me hakmarrjen për humbjet e mëdha që pësoi ushtria pushtuese në Pukë, në Lumë e Shkodër. Për 6 muaj Puka luftoi pa ndërprerje kundër pushtuesve serbë në dy fronte: në malet e Pukës, ku u vranë qindra pushtues serbë. Po kështu në Shkodër Puka kishte 400 luftëtarë trima që luftuan me heroizëm derisa ranë dëshmorë. Vetëm kabashës ranë dëshmorë tre martirë: Demë I. Ibrahimi, Rexhë Baci dhe Kurt Cina”. Kështu u luftua për vetëmbrojtje që prej Kosove, Kabashi, Lume e Puke deri në Shkodër e më në Jug me idealin kombëtar: “Nji fjal Shkodra ma ka than:/-Teslim Serbit mos me i bam!”. Zenun R. Kabashi, studiues e autor i disa botimeve, përshëndeti në emër të Kabashit të Vitisë dhe vuri në dukje se kabashët e asaj ane kanë luftuar e janë sakrifikuar prej pushtuesve serbë, fakte e ngjarje pasqyruar në botimin e tij madhor “Kabashi i Moravës së Epërme, Prishtinë, 2003, në 350 f. Po kështu botimi i autorit Hysen H. Terziu “Gjenocidi serb në Moravë e Karadak”, Prishtinë 2005 në 480 f. Në vazhdim të veprimtarive, u zbulua tabela e shkollës 9-vjeçare së cilës i është dhënë emri “Dëshmorët e Korishës”, ndërsa te “Sheshi Lapidari i Dëshmorëve” u dha koncerti festiv, një koncert me vlera artistike -shprehje e një jete pa pushtues, e një jete të lirë, me të ardhme: “me dëshira të shumta që po buzqesh n’lulzim” (Migjeni.Tiranë, 2009, f. 39).