E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja do eci PËRPARA

05-04-2013 / Nga Namir Lapardhaja

Nuk mund ta mohoj as unë e askush se ndodhi ajo që pritej më pak nga të gjitha variantet të ndodhte: Lëvizja Socialiste për Integrim pranoi ftesën për t’ju bashkuar koalicionit parazgjedhor me Partinë Socialiste. Një gjë të tillë e konfirmoi i pari zoti Berisha, më pas erdhi ftesa zyrtare e PS-së me anë të zotit Rama dhe në fund pranimi nga zoti Meta. Edhe pse kishte kohë që përflitej një gjë e tillë, gjithsesi mendohej se LSI-ja mund të dilte më vete, duke krijuar të ashtuquajturin Pol i Tretë, por, kurrsesi, në një koalicion parazgjedhor me PS-në.
Kryetari i PD-së dhe lideri i mazhorancës, zoti Berisha, në takimin e tij të radhës me gazetarët i pyetur nga këta të fundit u tregua i kujdesshëm lidhur me atë se çka po ngjante e ç’pritej të ndodhte në ditët në vijim, duke lënë të nënkuptuar se ajo që kishte ndodhur nuk ishte ndonjë hata e madhe për forcën e tij politike dhe për koalicionin e tij, që pritet të udhëheq në zgjedhjet e qershorit. Madje, ai shkoi edhe më tej kur tha që fitorja e këtyre zgjedhjeve nuk do jetë fitore e thjeshtë, por spektakolare. Ndërsa në një takim në Durrës ironizoi të famshmen darkë në Gji të Lalzit, duke lëshuar batutën e tij se disa hanë ngjalat, kurse, nga ana tjetër, shprehu bindjen e tij të thellë për fitoren e mandatit të tretë.
Përveç këtij reagimi të zotit Berisha, po në të njëjtën linjë kanë ardhur edhe reagime të tjera nga eksponentë të tjerë të mazhorancës, si zonja Topalli, zoti Olldashi, zoti Pollo etj.
Në konceptin tim, ajo që ka ndodhur është mëse normale në politikë. Në vitin 2009 Lëvizja Socialiste për Integrim iu bashkua Partisë Demokratike jo me dëshirën e saj, por sepse një koalicion të tillë e diktoi vota e elektoratit. E diktoi rrethana dhe nevoja.
LSI-ja është një forcë e majtë dhe zgjedhja e saj majtas është jo vetëm legjitime, por edhe normale.
Nuk po flas për moralin, meqenëse të folurit për të ka kohë që është jashtë mode.
Por le t’i kthehemi thelbit. Çfarë pritet të ndodh me Partinë Demokratike tani? I humb apo i fiton zgjedhjet e qershorit PD-ja? A ka një bilanc kjo forcë politike apo gjithçka ia kishte besuar përllogaritjeve matematikore? Si duhet dhe sa duhet të lëviz PD-ja në ditët e mbetura?
Së pari, ajo që mund të themi është se PD-ja, tashmë, ka  një lehtësi të madhe përballë akuzave dhe denoncimeve të opozitës. Dikasteret më të sulmuara, si shëndetësia, ekonomia, energjetika, privatizimet, të cilat, në bazë të marrëveshjes së vitit 2009 midis PD-së dhe LSI-së, drejtoheshin prej kësaj të fundit, nuk mund të sulmohen më. Në këtë kuptim, nuk do ketë sens dhe arsye që të ketë një sulm dhe një luftë mediatike dhe opozitare ndaj këtyre fushave, të cilat, me rikonfigurimin e ri të koalcioneve, mendohet se kanë qenë histori suksesi për LSI-në dhe në veçanti për qeverinë e Kryeministrit Berisha.
Së dyti, PD-ja tanimë ka një lehtësi në frymëmarrje. Jo pak të pakënaqur në radhët e demokratëve ka pasur, duke filluar nga baza në qendër. Tashmë, duket si rikthehet kauza (ndoshta e lënë në hije dhe pasdore gjatë këtyre viteve). Të djathtët e PD-së tani kanë një kauzë në dorë. Pjesa “uzurpuese” e kësaj kauze nuk është më në radhët e tyre. Ata kanë motive dhe arsye për të punuar. Pse jo, edhe për të fituar.
Së treti, largimi i LSI-së nga koalicioni hap rrugën për afrimin e partive dhe individëve të tjerë, të pozicionuar në qendër ose majtas deri më tani, për arsye nga më të ndryshmet.  I pari që u distancua nga kjo ftesë e Edi Ramës ndaj Ilir Metës ishte deputeti i PS-së për qarkun Kukës, zoti Asllan Dogjani, i cili paralajmëroi se do të kandidojë i pavarur në këtë qark. Pra, PS-ja do ketë përballë një eksponentin e saj. Preç Zogaj, po ashtu, koordinatori i opozitës së bashkuar, nëpërmjet një letre të hapur, deklaroi largimin nga opozita dhe distancimin nga kryetari i saj, zoti Rama. Dihet ndikimi dhe pesha elektorale e zotit Zogaj në qarkun e Lezhës. Shto këtu edhe deputetin e tjetër që del nga radhët e PS-së, zoti Gjovalin Kadeli, e që pritet që, po ashtu, edhe ai të kandidojë si i pavarur në këtë qark. Dritan Prifti, po ashtu, deputeti i qarkut Fier, ka denoncuar këtë marrëveshje dhe e ka quajtur “një tradhëti ndaj opozitës”.
Së katërti, në analizat e këtyre ditëve ndaj asaj që po ndodh, nuk po merret parasysh një element mjaft i rëndësishëm, e që është elektorati shqiptar, ai që do të vendosi për qeverisjen e katër viteve të ardhshme më 23 qershor. Të gjithë po e mendojnë atë si diçka të ngurtë, të akullt, të palëvizshëm, të verbër dhe të shurdhët. Në fakt, nuk është kështu. Koha ka treguar të kundërtën. Populli është mjaft i vëmendshëm ndaj gjithçkaje që ndodh në arenën politikë. Hiq këtu një pjesë të militantëve pragmatistë, të cilët janë të etur për pushtet, pjesa tjetër që nuk është se fiton ndonjë gjë konkrete nga gjithë kjo janë të vëmendshëm dhe do bëjnë lëvizjen e duhur ditën e zgjedhjeve të qershorit.
Së fundmi dhe që është më kryesorja, Partia Demokratike vjen në këto zgjedhje me bilancin e saj. Bilanc që, sipas të gjitha gjasave, është më tepër se pozitiv. Një gjë të tillë e tregoi edhe konventa për punësimin e kësaj force politike. Në të u tregua se kjo qeveri ka se me çfarë të krenohet dhe të dalë përpara elektoratit shqiptar. Kuptohet që jo gjithçka ka shkuar mbarë. Kjo si pasojë edhe e krizës së përgjithshme rajonale. Por, e përgjithshmja, ajo që ka më shumë rëndësi, është pozitive, madje impresionuese. Muajt e ngelur besoj se janë të mjaftueshëm që ky bilanc pozitiv i PD-së të bëhet publik, të proklamohet në media, të mbrohet në TV dhe gazeta. PD-ja i ka të gjithë forcat, njerëzit dhe mundësitë për ta bërë një gjë të tillë.
Unë besoj tek ky bilanc pozitiv. Matematika shpeshherë në zgjedhje të nxjerrë të gabuar. Unë besoj tek reformat e kësaj qeverie, tek njerëzit e aftë dhe të zotë që kësaj mazhorance.
Tek Sali Berisha, njeriu energjik, i cili, gjithsesi, e ka një zgjidhje nga ato tijat për momentin dhe kohën e duhur.
Sepse, besoj dhe kam bindjen e plotë, PS-ja fitoi LSI-në, por humbi përfundimisht shqiptarët.
Sali Berisha këtë herë është më shumë se kurrë në kahun e tyre, ndërsa PD-ja do vijojë të eci PËRPARA.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›