E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkitë dhe komunat, Bode vë kufijtë për pagat

SHKRUAN: Blerina Hoxha 31-01-2011 12:15

Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, Ministria e Financave ka përcaktuar përqindjet që bashkitë dhe komunat mund të përdorin për pagat e personelit, duke ju referuar grantit të pakushtëzuar gjatë këtij viti

Bashkitë me më shumë se, 50 mijë banorë nuk mund të përdorin më shumë se, 20 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ, çka do të thotë paga për punonjësit vendor. Ndërsa, sipas përcaktimeve të Ministrisë së Financave, bashkitë me më pak se 50 mijë banorë, mund të përdorin deri në 25 për qind të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit. Ministria e Financave ka përcaktuar gjithashtu edhe fondin që komunat duhet të përdorin për paga. Kështu, komunat deri në 3 mijë banorë mund të përdorin deri në 50 për qind të transfertës së buxhetit, ndërsa komunat mbi 15 mijë banorë përdorin 35 për qind për pagat e administratës së tyre. Gjithashtu, Ministria e Financave ka përcaktuar edhe mënyrën se si do të përdoren fondet për investime nga pushteti lokal. Sipas udhëzimit të Bodes, për ekzekutimin e buxhetit 2011, bashkitë, komunat dhe qarqet, në detajimin e investimeve do të mbajnë parasysh një radhë me prioritete. Së pari, investimet sipas prioriteteve sektoriale të miratuara në strategjitë vendore të hartuara nga këto të fundit. Së dyti, investimet në proces nga viti 2010 dhe së treti, mbështetjen me kosto lokale të investimeve të huaja. Këshilli i njësisë vendore miraton programet e investimeve, sipas prioriteteve të zhvillimit të bashkisë ose komunës. Nëse investimet nuk miratohen nga këshilli i njësisë se qeverisjes vendore në nivel projekti, pas miratimit të programeve kryesore të investimeve nga Këshilli, kryetari i bashkisë ose komunës qarkut kryen detajimin e programeve në nivel projekti, sipas parametrave të caktuar nga këshilli, duke njoftuar për këtë qëllim këshillin në mbledhjen e ardhshme të radhës. Prefektët e qarqeve verifikojnë buxhetin e njësive vendore, nëse kanë përfshirë në të kuotat e qarqeve. Nëse kuota nuk është e përfshirë në buxhetin e njësisë vendore, prefekti e kthen buxhetin në këshillin përkatës për rishikim dhe nëse nuk merret në konsiderate vërejtja e prefektit, ky i fundit ndjek rrugën ligjore dhe njëkohësisht njofton Ministrinë e Financave. Ndërsa shtesat mbi pagat e punonjësve të pushtetit vendor bëhen sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2008, “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të qeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të punonjësve të organeve të qeverisjes vendore”, i ndryshuar me VKM të 27.04.2009. Në shpenzimet e personelit administrativ përshihen pagat dhe sigurimet shoqërore për punonjësit e administratës të njësisë së qeverisjes vendore. Njësitë e qeverisjes vendore mund të përdorin fondet e pakushtëzuara, për të financuar edhe funksione që financohen me fonde të kushtëzuara. Transferta e pakushtëzuar, që nuk përdoret plotësisht gjatë vitit buxhetor, mbartet për vitin e ardhshëm, thuhet në udhëzimin e Financave. Gjithashtu, sipas këtij udhëzimi, fondet e planifikuara në buxhetin e vitit 2011, në formën e transfertës së pakushtëzuar dhe të fondit të zhvillimit të rajoneve, nuk përdoren për rimbursimin e kostos se pajisjeve fiskale. Këshilli i Ministrave, nga fondet në dispozicion te tij, rimburson koston e pajisjeve fiskale, në përputhje me kërkesat e njësive të qeverisjes vendore. Ndërsa, transferta e kushtëzuar në buxhetin e vitit 2011, është dhëne për financimin e një pjese te shpenzimeve për funksionet e përbashkëta dhe për financimin e shpenzimeve për funksionet e deleguara. Sipas udhëzimit të Bodes, këto fonde do të përdoren vetëm për qëllimin për të cilin ato janë miratuar. Kjo do të thotë që këto janë fonde të ministrive/institucioneve qendrore dhe për transferimin e tyre nga një njësi e qeverisjes vendore në një tjetër do të veprohet sipas rregullave të përgjithshme të transferimit të fondeve buxhetore. Ndërsa fondet nga huaja vendore për financimin e projekteve të investimit regjistrohen si një zë më vetë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›