Udhëzimi i Bodes, si do të administrohet fondi i pronave këtë vit
Ministria e Financave, nëpërmjet një udhëzimi se si do të ekzekutohet buxheti i këtij viti, ka përshkruar edhe mënyrën sesi do të administrohet Fondi i pronave. Ministri i Financave hap llogari pagesash në një bankë të nivelit të dytë, me emërtimin ”Pagesa nga Fondi i Kompensimit të Pronave”. Transferimet e fondeve nga llogaria e Fondit të Kompensimit të Pronave në Bankën e Shqipërisë në llogarinë e bankës së nivelit të dytë kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit me kërkesë të AKKP-së. Më pas, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton publikisht në media dhe /ose nëpërmjet faqes së vet zyrtare, listën e personave që përfitojnë nga fondi i kompensimit të pronave për periudhën përkatëse. Subjektet përfituese, në emër dhe për llogari të tyre, hapin një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Vërtetimin e lëshuar nga banka për hapjen e llogarisë, e dërgojnë pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila ia bashkëlidh dosjes së aplikimit. Kryerja e pagesave sipas kategorive të përfituesve, mbështetur në aktet ligjore e nënligjore, kryhet nga personat e autorizuar nga Ministri i Financave, përfaqësues të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga llogaria e pagesave në bankën e nivelit të dytë në llogarinë bankare të përfituesve. Më pas vijon raportimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Ministrinë e Financave, i cili kryhet çdo datë 5 të muajit për pagesat e përfituesve, të kryera gjatë muajit paraardhës nga llogaria në bankën e nivelit të dytë, si edhe në fund të vitit, për pagesat e përfituesve të kryera gjatë gjithë vitit më pas gjendja e mjeteve monetare të papërdorura nga fondi i kompensimit të pronave në fund të vitit buxhetor, në llogarinë e fondit të veçantë në Bankën e Shqipërisë, mbartet për llogari të vitit të ardhshëm. Fondi i kompensimit të ish-pronarëve përbëhet nga disa zëra. I pari është transferimet i fondeve buxhetore, të përcaktuara në ligjin e buxhetit të çdo viti, për kompensimin e ish-pronareve, bëhen me kërkesë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), nëpërmjet Degës së Thesarit Tiranë. Zëri dytë janë të ardhurat e realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave. Zëri i tretë janë të ardhurat nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, rrjedhojë e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, derdhen nga individët në llogarinë e të ardhurave të degëve të thesarit nga Zyra Qendrore e ALUIZNI-it. Ndërsa zëri i katërt lidhet me të ardhura të tjera, që derdhen në fondin e kompensimit të ish-pronarëve
Shpenzimet për paga, klasifikimi i bashkive dhe komunave
1-Bashkitë që kanë deri në 20000 banorë, të përdorin deri në 30% të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ.
2-Bashkitë që kanë 20001-50000 banorë, të përdorin 25% të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ.
3-Bashkitë mbi 50001 banore, të përdorin 20% të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ.
4-Komunat që kanë deri në 3000 banorë, të përdorin deri ne 50% të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ.
5-Komunat që kanë 3001-10000 banorë, të përdorin deri në 45% të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ.
6-Komunat që kanë 10001-15000 banorë, të përdorin deri në 40% të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ.
7-Komunat që kanë mbi 15001 banorë, të përdorin deri në 35% të transfertës së pakushtëzuar për koston e personelit administrativ.
8-Këshillat e qarqeve, të përdorin deri në 55% të transfertës së pakushtëzuar, për koston e personelit administrativ.
Vendorët, afat për numrin e punonjësve deri në mars
Buxheti i vendorëve së bashku me anekset përkatëse dhe me vendimin e këshillit, brenda 7 ditëve nga miratimi, duhet të dërgohet në Prefekturën e Qarkut. Pas verifikimit të vendimit të këshillit për buxhetin nga Prefekti i Qarkut, në përputhje me kompetencat sipas ligjit “Për Prefektin”, edhe në rastin kur Prefekti e ka kthyer pa miratim, por këshilli nuk e merr parasysh vendimin e Prefektit, pasqyrat e buxhetit vjetor dërgohen ne degën e thesarit për zbatim, thuhet në udhëzimin e Bodes Pas miratimit të programit të investimeve (ne nivel programi apo projekti) nga Këshilli i njësisë vendore dhe miratimit të tij nga Prefektura, nëse investimet janë miratuar në nivel programi, kryetari i njësisë vendore brenda 10 ditëve kryen detajimin e investimeve publike sipas programeve të miratuara nga Këshilli dhe njofton Degën e Thesarit për zbatim. Gjithashtu, njësite e qeverisjes vendore duhet të depozitojnë strukturën dhe numrin e punonjësve në degën përkatëse të thesarit krahas me depozitimin e vendimit te këshillit te kësaj njësie për miratimin e buxhetit si dhe brenda datës 31 mars 2011, duhet te dërgojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit numrin e punonjësve për çdo njësi te qeverisjes vendore