Borxhi në ShBA arrin në 100% të Prodhimit Bruto
Kriza e huave ka përfshirë edhe ShBA-në. Agjencia e rejtingut S& P e paralajmëroi debitorin më të madh me heqjen e notës më të mirë të solvabilitetit "AAA". Ekspertët e ulën shkallën e besueshmërisë në kredishlyerje. Dhjetëra vite me radhë ekonomia amerikane ishte më e fuqishmja në botë, ndërsa dollari amerikan ishte monedha kryesore. Por borxhet e viteve të fundit e kanë rrënuar këtë nam. Për herë të parë dyshohet hapur në aftësitë kredishlyerse amerikane. Stefan Scharfetter nga Baader Bank e Mynihut thotë se kjo nuk befason: "Mendoj se kjo është e drejtë, sepse kaherë kemi pritur një pozicionim të tillë." Andreas Rees, nga UniCredit pohon se vlerësimet më të reja janë pasojë e problemeve me buxhetin amerikan. "Borxhet në ShBA janë rritur shumë, pas falimentimit të Bankës Lehman në vjeshtë të vitit 2008. Amerikanët tani kanë borxhe në vlerë prej 100 për qind të Prodhimit Bruto, që është e ngjashme me Irlandën." Edhe Stefan Scharfetter ka një mendim të tillë: "Disa thonë se gjendja në Amerikë nuk mund të krahasohet me Greqinë apo Portugalinë, por këtu ka diçka të ngjashme. Tani po e shohim që masa e borxheve tek amerikanët ka kaluar masën kritike. Ulja kaq e madhe e besueshmërisë kreditore ka detyruar qeverinë në Uashington që të veprojë menjëherë. Andreas Rees pohon se, megjithatë, nuk duhet pritur shumë: "Nuk duhet harruar që në fund të vitit të ardhshëm në ShBA mbahen zgjedhjet. Në atë kohë vështirë nuk mund të presësh kursime tepër të mëdha."