Bashkitë e Lezhës dhe Elbasanit “kërcënojnë” biznesin: Sekuestrim të pasurive dhe faliment
Harrohet ulja e taksave për 95% të shqiptarëve dhe heqja e taksës për biznesin e vogël
Kriza financiare në bashkinë e Lezhës e ka detyruar këtë njësi vendore që të kërcënojë debitorët se do ti dërgojë drejt zyrës së përmbarimit të gjithë këto subjekte me qëllim likujdimin e detyrimeve që kanë në bashkinë e Lezhës. Kreu i kësaj Bashkie, Viktor Tushaj, ka deklaruar se drejtoria e të ardhurave ka ngritur një task-forcë për këtë qëllim për të mbushur arkën e saj. Kërcënimet e bashkisë Lezhë ndaj biznesit vijnë menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit, ndërsa nuk ishte marrë asnjë masë më parë për të ulur debinë e këtyre subjekteve ndaj kësaj njësie vendore. Ndërkaq edhe në bashkinë Elbasanit përvijohet i njëjti problem ku kryebashkiaku Qazim Sejdini s’do t’ia dijë nëse 400 biznese janë në prag të falimentimit dhe s’bën asgjë. Janë 400 biznese që kanë aplikuar për mbyllje të aktivitetit. Sipas të dhënave, llogaritet që bizneset në këtë qytet i kanë Bashkisë një borxh prej 40 milion lekësh, pasi nuk janë në gjendje të paguajnë taksat. Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Serafin Papa, shprehet se shumë biznese kanë aplikuar për të mbyllur aktivitetin e tyre pasi ndodhen në gjendje të vështirë. “janë rreth 400 subjekte që kanë aplikuar në QKL-së për mbyllje biznesi. Shumë nga këto biznese i kanë bashkisë rreth 4 milion lekë borxhe ndaj i bën thirrje këtyre bizneseve që përpara se të bëjnë aplikacionin për ç’regjistrim, të shlyejnë detyrimet, në bashki dhe më pas të fillojnë procedurat e mëtejshme”. Kjo është një logjikë antibiznes sepse bashkia Elbasan jo vetëm që nuk ndihmonin klimën e biznesit në këtë qytet por kërkon tu marrë edhe qindarkat e fundit në xhep. Ndërkohë që vetë bizneset ankohen se veresia dhe ulja e fuqisë blerëse po çon drejt falimentit të pakthyeshëm. Kriza ekonomike kohët e fundit ka prekur mjaft biznese në vendin tonë, duke bërë që të ulet numri i punonjësve, të ulen pagat, e deri në falimentim. Megjithatë sipas ekspertëve, parashikohet që viti i ardhshëm të jetë më pozitiv për ekonominë në vendin tonë.