Bashkitë hyjnë në borxhe, deri tani 3 milionë euro
Pushteti lokal ka konsumuar gjatë këtij viti të drejtën për të marrë borxh në mënyrë të pavarur, me qëllim mbulimin e disa nevojave për shpenzime që nuk mund të mbulohen nga grantet e qeverisë dhe nga të ardhurat që mund të sigurojë vetë bashkia. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti borxhi i marrë nga vendorët arriti në 337 milionë lekë ose rreth 3 milionë euro. Sipas Ministrisë së Financave, vlerat e huave që mori pushti lokal po vijnë në rritje që kurse ligji hyri në fuqi vitin e kaluar, por rëndësia qëndron në faktin se vendorët shfrytëzuan hapësirat që krijoi ligji i për decentralizimin, për të marrë borxh në mënyrë të pavarur. Ashtu si edhe qeveria, bashkitë dhe komunat mund të përdorin huanë afatshkurtër dhe atë afatgjatë. Huaja afatshkurtër përdoret nga njësia e qeverisjes vendore vetëm pas një përgjigjeje negative nga Ministria e Financave për mbulimin e nevojave për likuiditete me hua, pa ose me interes, nga buxheti i shtetit. Ministria e Financave përgjigjet brenda dhjetë ditëve nga marrja e kërkesës për likuiditete. Vlerësohet se Ministria e Financave ka dhënë përgjigje negative, kur nuk shprehet brenda këtij afati, dhe njësia e qeverisjes vendore mund të kërkojë hua afatshkurtër nga burime të tjera. Sipas ligjit për borxhin e qeverisjes vendore, bashkitë dhe komunat brenda dhjetë ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes së huasë afatshkurtër njoftojnë Ministrinë e Financave për marrjen e kësaj huaje dhe kushtet e saj, si edhe bëjnë përshkrimin e respektimit të kufizimeve për borxhin afatshkurtër. Por njësia e qeverisjes vendore merr hua me vendim të këshillit për huamarrjen, të miratuar me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit, në një mbledhje të hapur për publikun. Vendimi i këshillit autorizon kushtet e huamarrjes dhe përmban të dhënat në lidhje me shumën e principalit të huasë, normën e interesit, maturimin dhe kushtet e kthimit dhe qëllimin për të cilin merret huaja. Sipas ligjit për huamarrjen vendore, shuma e përgjithshme e borxhit afatshkurtër, në asnjë rast, nuk mund të tejkalojë më shumë se 10% të të ardhurave faktike, gjithsej, nga taksat dhe tarifat vendore dhe taksat e tatimet e ndara të vitit fiskal paraardhës. Raporti i stokut të borxhit ndaj të ardhurave operative gjithsej nga burimet e veta, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar është jo më shume së 1.3 me1. Bashkitë dhe komunat duhet të paguajnë çdo vit. Kështu, për borxhin afatgjatë nuk mund të tejkalojë 20% të buxhetit total të të ardhurave nga transferta e pakushtëzuar, taksat dhe tatimet e ndara dhe taksat e tarifat vendore të tre viteve fiskale paraardhës të njësisë së qeverisjes vendore.