E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bonot e thesarit, interesi në rënie

Norma e interesit të Bonove të Thesarit bie për të dytin ankand radhazi. Në ankandin e zhvilluar në fillim të kësaj jave, Bonot e Thesarit me afat maturimi 12-mujor u emetuan me një normë të ponderuar interesi prej 7.35%, nga 7.37% që ishte në ankandin paraardhës. Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 7.7 miliardë lekëve, ndërkohë që oferta për financim ishte mjaft e bollshme dhe preku vlerën e 10.1 miliard lekëve. Pasi ndoqën një kurbë rritëse për katër muajt e parë të vitit 2011, interesat e Bonove të Thesarit duket se po nisin një fazë të re rënëse. Rritja e normës bazë të interesit duket se e ka ezauruar efektin e saj në këtë segment të tregut. Ndërkohë, mbyllja e zgjedhjeve lokale dhe pritshmëritë për ulje të shpenzimeve dhe stabilizim të deficitit buxhetor paralajmërojnë qëndrim më të kujdesshëm të qeverisë ndaj borxhit. Rënie të lehtë pësoi edhe interesi i Bonove me afat maturimi 6-mujor, që në ankandin e fundit u emetuan me një normë interesi 6.82%, nga 6.84% që ishte në ankandin paraardhës. Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 5.3 miliardë lekëve, pjesa më e madhe e të cilave u blenë nga Banka e Shqipërisë me ofertë jo konkurruese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›