E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: KQZ të numërojë çdo votë të panumëruar

TIRANË- Ndërsa kryetari i opozitës, Edi Rama, po vijon të theksojë se po tentohet të përmbyset rezultati, në anën tjetër rivali i tij për kryeqytetin, kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha, ka deklaruar se votat për kryetar në kutitë e gabuara, janë të vlefshme. Përmes një konference për shtyp, kandidati i mazhorancës ka deklaruar se po pret me durim rezultatin dhe certifikimin përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Unë jam më i vendosur se kurrë, që çdo votë të numërohet dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Çdo rezultat që nuk lejon zërat e të gjithë qytetarëve të dëgjohen, nuk është një përshkrim i saktë i vullnetit të zgjedhësve në një demokraci. Sot, pak më herët z. Rama pretendoi se numërimi i votave ka përfunduar, e ndërsa ai mund të urojë që kjo të jetë e vërtetë, jo çdo votë është numëruar, dhe ende nuk është dëgjuar zëri i çdo qytetari që ka votuar. Sot, unë i kam kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në cilësinë e tij si Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor për Tiranën, që të numërojë votat e vendosura aksidentalisht në kutitë për funksionet e tjera. Këto, janë vota plotësisht të vlefshme të këtyre zgjedhjeve, dhe askush nuk ka të drejtë tua mohojë vullnetin këtyre qytetarëve, që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar”, - tha dje Basha. Kandidati i mazhorancës ka theksuar se është Rama dhe disa bashkëpunëtorë të tij, që kanë bllokuar deri më tani procesin. “Uroj që zoti Rama nuk po përpiqet të ndalojë numërimin e çdo vote dhe të mbysë zërin e qytetarëve. Uroj po kështu, që qetësia dhe durimi të mbizotërojnë dhe t’i rikthehemi punës për të përmbyllur një proces që të gjithë duam të përfundojë. Në fund, kjo nuk ka të bëjë as me mua, as me z.Rama, por me faktin nëse zëri i çdo qytetari do të dëgjohet dhe çdo votë do të numërohet, sepse ky është thelbi i demokracisë”, - tha ai. Për këtë arsye, Basha i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që në cilësinë e tij, si Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor për Tiranën, të numërojë çdo votë që aktualisht nuk është numëruar dhe ta bëjë këtë në mënyrë objektive, të ndershme, transparente dhe apolitike. ”Çdo përpjekje për t’i bërë presion, apo për të kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, gjatë këtij procesi, është një përpjekje për të shtrembëruar procesin demokratik. Unë jam i vendosur të bëj gjithçka që ky proces të vazhdojë të jetë i ndershëm, i lirë, transparent dhe i saktë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›