Bashkitë socialiste, të implikuara në lavatriçen e parave të pista
Para dy ditësh një rrjet i sostifikuar kriminal, me një aktivitet të hershëm në trafikun e drogës, është shkatërruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke vënë në pranga pesë persona. Ka dyshime serioze se 5 të arrestuarit kanë pastruar paratë nga aktiviteti i paligjshëm, duke ngritur në Tiranë, Vlorë, Durrës e Fier pallate e hotele luksoze. Ky aksion i Policisë së Shtetit dëfteu aksiomën e bashkëpunimit të njohur: ndërtues që pastrojnë paratë e mafies. Po cilës mafia, i përkasin këto riciklime me shuma të mëdha. Nuk dihet me saktësi, edhe pse raporte japin disa pista investigimi.
Sepse a nuk është e çuditshme që të gjitha qytetet që janë në listën e lartpërmendur janë të qeverisura prej shumë vitesh nga Kryebashkiakë socialistë? Si ka mundësi? është koincidencë që volumi i biznesit të ndërtimit ka shfrytëzuar babëzinë e administratorëve socialistë për t’u pasuruar shpejt në kurriz të hapësirave publike, të gjelbra dhe duke shkelur çdo plan urbanistik. me se ndërtohen pallatet? Pakica e tyre dërrmuese ndërtohen me paratë e pastra, të rregulla, të fituara ndershmërisht. Kurse pjesa e luanit është “punisto-mafia” që riciklon paratë me ndërtime të ndryshme. Jo të paktat janë rastet që policia në bashkëpunim me prokurorinë e krimeve të rënda ka zbuluar paratë toksike të mafies së ndërtimit. Lavatriçe e pastrimit të parave të pista të mafies ndërkombëtare është etiketuar sektori i ndërtimin në Shqipëri - nga raporti i fundit i Shërbimit Infomativ.
Dukuria e pallateve që ndërtohen në hapësirat publike, me pëlqimin e interesuar të biznesmenëve të betonarmesë, që shkatërrojnë çdo qelizë të mbetur nga metastaza e çimentos dhe e çelikut që vjen nga çernobili. Një fenomen ky si të gjitha fenomenet artificiale të krijuara për qëllime përfituese që ka brenda të gjitha monstruozitetet anti-qytetare. Tirana i ngjan një Kabuli pas atentateve kamikaze. Të gjitha pallatet që janë ndërtuar në kryeqytet janë pjesë e klikës së betonit, firma që mbështesin hapur dhe me para fushat e ndotjes së kryeqytetit. Karteli i ndërtimit në Tiranë ka fitime marramendëse nuk të çudit fakt që të gjitha janë klientë të kryetarit te Bashkisë se Tiranes, njëkohësisht kryetarit të PS-së, Rama vetëm 2-3 vitet e fundit kanë marrë duke dhunuar ligjet e vendit, 500 mijë metra katror leje për ndërtime me një vlerë prej 750 milion euro. Nisur nga të dhënat në lidhje me lejet e ndërtimit të dhëna në mënyrë jo ligjore, si shitja e 1.300 mijë metra katrorë në mes të Tiranës, me çmimin poshtë 100 dollarëve, kur e vërteta për një metër katror qytetarët e Tiranës paguajnë plot 2 mijë dollarë. A nuk ju duket se diçka nuk ka funksionuar? Pra se këtu ka një sistem që zhvat hapësirat publike për t’ua falur miqve të PS-së (ka një dosje publike që dëshmon se Tan Dulaku, Fidel Ylli, Dash Peza, Arjan Valentina Leskaj e Koço Kokëdhima kanë përfituar nga firma e zezë mbi të bardhë e Edvin Ramës). Bombat ekologjike që ka shkaktuar pangopësia e bashkisë Tiranë, në çdo cep të kryeqytetit është rrjedhojë e një sistemi kapilar i pastrimit të parave nga klanet punisto-mafioze. Opozita shqiptare e përfaqësuar gabimisht nga PS-ja është e zhytur deri në hundë në pisllëqe, është bërë palë politikë që i shërben një oligarkie ekonomike me emër apo anonime akoma, që pushtetin e saj ekonomik po e fiton në rrugë shumë të dyshimta e që mban në opozitë këtë kastë politike opozitare. Nëse është e vërtetë se krimi i organizuar pastron para në Shqipëri, në një sektor të rëndësishëm të biznesit të ndërtimit të paligjshëm, pyetja që shtrohet këtu është: a i intereson mafies liberalizimi i vizave e dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE? Besojmë se jo, prandaj përpiqet të ndërhyjnë në destabilizimin politik për të vendit.