E Diel, 1 Nëntor 2026

Heroi i luftës, i burgosuri i paqes!

Paqen e ndërprenë lufta, lufta për liri, për çlirim. Pas lufte, nëse vazhdon paqja pa liri, paqja e tillë u hakmerret atyre që e kanë ndërprerë paqen me luftën e tyre për liri. Kanaleve jodiplomatike rrodhi prejudikimi me qëllim i patentuar se Haradinaj u burgos që të dobësohet opozita në kohën kur do të fillojnë (kushtimisht) “bisedimet” me Serbinë. Unë them se Haradinaj u burgos që ta rigjykojnë luftën për çlirimin e Kosovës në “çastin e duhur”. Intrigat politike për “dobësim të opozitës” fabrikohen nga “nëndetëset” e gjalla që po ashtu e nxorën në opinion “mundësinë” (inekzistente) të “bisedimeve” të Serbisë me shtetin (de jure) sovran të Kosovës, të cilin nuk e pranon Serbia fashiste. Thonë, ta “dobësojnë opozitën”, duke e burgosur heroin Haradinaj, por në Kosovë nuk ka opozitë ndaj misioneve evropiane zyrtarisht nën ombrellën e UNMIK-ut. Të huajt nuk rrezikohen nga vendorët. Kështu apriori dhe me qëllime meskine, Haradinajn e prejudikojnë si një lider që nuk do të pajtohej me vendimin “e të huajve” për t’u mbajtur “bisedime” me Serbinë, ose lloj-lloj prejudikimesh spekulative. Kjo do të ishte e vërtetë sikur pushteti faktik juridik dhe ushtarak në Kosovë të mos ishte de facto dhe de jure në duart e misioneve të BE-së, përkatësisht UNMIK-ut jolegjitim pas pavarësisë së Kosovës, dhe sikur shteti dhe pushteti të ishte faktor ekzekutiv ushtarak, policor, diplomatik… siç realisht nuk është.
Jo vetëm rrethanat, por edhe situata reale në to, janë dëshmi se vendorët (opozita, pozita) janë të gjithë së bashku opozitarë të pushtetit faktit të BE-së në Kosovë, por janë opozitarë lokalistë, lakej dhe kuislingë të Sundimtarit të Ligjit, veprojnë sipas “urdhëresave” “rregulloreve” të misioneve evropiane që i udhëheqë UNMIK-u. Haradinaj shquhej për përkrahjen e tij ndaj këtyre misioneve dhe i thërriste në ndihmë në çdo konferencë shtypi të partisë së tij, gati më shumë se të gjithë të tjerët, dhe bënte gara me pushtetin kush më shumë, ai a pushteti, “nuk do të veprojnë asgjë pa miratimin e misioneve të BE-së”. Po të kishte pasur një qëndrim vërtetë opozitarë dhe pak më kritik se Qeveria ndaj okupatorëve të huaj, që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, riburgimi i tij do të ishte karakterizuar si një hakmarrje e misioneve “neutrale”. E burgosën ata të cilëve u besonte. Nëse askush deri sot nuk u ka besuar tezave të përsëritura në këtë Shesh (në sirtar), se në Kosovë nuk ekziston opozita, (për arsye se nuk ekziston as pozita e faktorshme, dhe se në Kosovë edhe Parlamentit ende i refuzohen nga Kryeadministratori vendimet “politikisht diskultabile”, p. s. rasti i Murat Jasharit), dhe nëse nuk kemi harruar se pozita (qeveria) është prononcuar vazhdimisht se, “nuk ekzekuton asnjë politikë pa miratimin e misioneve të BE-së dhe mbështeste çdo vendim (jo)ligjor të Sundimtarit të huaj të ligjit”, atëherë del në shesh se Haradinaj nuk u riburgos për “krimet” e luftës që ia ngarkojnë, duke ia trilluar pikërisht ata “dëshmitarë” që i ka “intervistuar” kundër tij zyra serbishte e UNMIK-u, por u burgos thjeshtë për motive politike të ndonjë interesi (aktual) të spekuluar nga opozicioni Lindor në Këshillin e Sigurimit. Në një vend de jure sovran, dhe de facto të okupuar nga pikërisht ata që nuk e njohin sovranitetin e vendit, nuk mund të gjenden liderë faktorë, së paku deri në çastin kur ata vendosin të ushtrojnë rezistencë politike kundruall atyre që i njohin liderët, por nuk e njohin shtetin të cilin e udhëheqin liderët “e respektuar” nga okupatori. Ti je lider vetëm në çastin kur e thua të vërtetën dhe jo kur bëhesh papagall, që përkrahë politikën e (disa) strukturave të korruptuara influence brenda BE-së; strukturave që haptas janë aleatë zyrtarë të Serbisë dhe de jure nuk e njohin shtetin e Kosovës, të cilin e njeh e drejta ndërkombëtare dhe i cili sovranitet është arritur me gjakun e qindra mijëra martirëve shqiptarë, e jo kosovarë. Liderët e opozitës dhe të pozitës, duke i njohur ata që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës, kështu e kanë krijuar të betonuar opinion gjithëkombëtar se, janë të drejta dhe politikisht valide veprimet dhe vendimet inkriminuese fashizoide të misioneve të BE-së kundër “nacionalistëve” si dhe kundër heronjve të kombit tonë. Ata eliminuan klasën akademike nga skena politike dhe nxorën në skenën politike falangat e riinkarnuara nga “Dosja e UNMIK-ut”. Po të mos e kishin verbuar opinionin kombëtar në Kosovë, duke e konvertuar okupatorin në çlirimtar, vështirë që do të mund të vinte dorë dikush mbi një hero të kombit. Dhe Kosovës i ndodhë që t’ia burgosin heroin, dhe përveç dy tri shkrimeve të flashkëta me mediokritet në mediet e misioneve që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës, dita e burgimit të Haradinajt i ngjau çdo dite normale të kësaj jete bizare në Kosovë. Thua ti se nuk ka ndodhur asgjë, kurse ta burgosin njeriun që sakrifikojë çdo gjë për lirinë tënde.
është banale dhe vulgare kur i dëgjojmë sot liderët e Kosovës (opozitë-pozitë) që deklarohen si aktivistët e fronteve lokale komuniste (nëpër katunde), duke thënë se besojnë që Haradinaj do të kthehet fitimtar. Kur thonë “besojmë” thuajse “dyshojnë”, thuajse harrojnë se atje nuk gjykohet ai, por në emër të tij - lufta çlirimtare e shqiptarëve. Mjafton të vihet në akuzë kjo luftë. Kësaj drejtësie i ka besuar edhe Zoti Haradinaj, mbase i beson ende edhe kur qëndron i pafajshëm në burg. Fajin për gjendjen në Kosovë, ai ua shkarkonte vendorëve, (që do të thotë vetvetes), e jo misioneve nën ombrellën e UNMIK-ut (KFOR, EULEX, ICO, etj. etj) që e kanë influencuar burgimin e tij. Kur popullit ia burgosin një lider të luftës, i cili ka kujtuar se luftën e ka fituar me ndihmën e “grumbullit” “ndërkombëtar”, e jo me ndihmën ekskluzive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dy tre aleatëve të saj, populli (vetëm ajo pjesë e tij e indoktrinuar) do kujtojë se çlirimtari po e burgos fajtorin. Po e vërteta është se Haradinaj është në burg, dhe kjo mjafton. Nuk do të jetë ngushëllim lirimi i tij, sa është tragjedi kombëtare vetë akti i burgimit të tij. BE-ja nuk ia lejon sovranitetit të Kosovës të ketë armatë, polici, gjyqësi, diplomaci të pavarur, etj. Në burg nuk i fusin të armatosurit, por të çarmatosurit më parë, të çarmatosurit pa kusht. Kur i dorëzon armët pa kusht, dhe kur pajtohesh me “çlirimtarin” i cili të demobilizon, duke bërë marrëveshje (në Kumanovë) me ushtrinë e armikut, në këso raste fjalën e merr për ta përsëritur historinë e marrëdhënieve kontinuele të Evropës me shqiptarët. Shqipërinë e ka bërë Vilsoni, Kosovën e kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka më nevojë t’i bëjmë grumbull pazari dhjetëra “çlirimtarë” të OKB-BE-së, sepse dihet cili është çlirimtari i Kosovës, dihet kush i ndihmoi Haradinajt ta çlirojë Kosovën. Dhe dihet kush e burgosi Haradinajn. Vetëm në kohë paqe mund të ta burgosin simbolin e luftës të dorëzuar në duart e atyre që nuk ta pranojnë fitoren e luftës, sovranitetin. Vetëm kur heroi e çliron vendin nga aleatët e okupatorit, vetëm atëherë askush nuk do të mund ta burgosë heroin. Nuk e gjykojnë Haradinajn, e gjykojnë luftën për çlirimin e Kosovës. Na gjykojnë të gjithë neve! Na gjykojnë Përjetësisht apo Padrejtësisht, nuk di, por e di se vetëm liria e vërtetë të mbron nga drejtësia e aleatit të okupatorit historik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›