E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Ramushin, për Haradinajt

Besoj se të gjithë kanë marrë vesh se z. Ramush Haradinaj është arrestuar përsëri për llogari të Tribunalit të Hagës, për akuza të vjetra në ngarkim të tij. Luftëtari i lirisë po përballet për herë të dytë me heqjen e lirisë. Herën e fundit që e kam parë z. Haradinajn ka qenë në fundmarsin e këtij viti: ishte në një restorant të thjeshtë të Prishtinës me familjen e tij, znj. Anita dhe dy fëmijë të vegjël (një djalë Gjini) dhe një (vajzë Hana). Pa trima dhe pa kamera përreth dukej një njeri i zakonshëm. Për një që nuk e njihte do të thoshte ja një familjar i qetë, korrekt dhe i butë që gëzon një drekë bashkë me të dashurit e tij. Dhe kështu mund të ishte në qoftëse Kosova do të kishte qenë gjithmonë e lirë. Por ne e dimë se Ramush Haradinaj – dhe më shumë se ne e dinë luftëtarët e lirisë së Kosovës, që e kanë pasur komandant në Rrafshin e Dukagjinit – e dinë se është i jashtëzakonshëm. Me të gjitha kuptimet e fjalës: i jashtëzakonshëm. Ai është një prej simboleve të rezistencës kosovare, bir i njërës prej fiseve më patriotike të Kosovës (ndoshta e dyta në renditje pas legjendarëve Jashari), i cili filloi dhe drejtoi luftën në njërën prej zonave operative më sensitive, për themeluesin e një partie politike që theu mitin e PDK-së dhe që e para hyri në aleancë me rivalin tjetër të spektrit politik, LDK-së. Por, nuk mbaron me kaq. Kolegët kosovarë më thonë me sinqeritet se kemi të bëjmë me Kryeministrin më të suksesshëm dhe më efikas që ka pasur Kosova, pas konfliktit të armatosur. Mjafton të bisedosh dy minuta me qytetarët nëpër rrugët e Prishtinës a Prizrenit për ta kuptuar një fakt të tillë. E, ndërsa qeveria serbe e cilësoi si terrorist, funksionarë të lartë ndërkombëtarë shprehen zyrtarisht dhe jo zyrtarisht se ai është edhe sot e kësaj dite tepër i rëndësishëm për ekuilibrat politikë dhe strategjikë; madje i domosdoshëm, për të nxitur bashkëjetesën dhe mirëkuptimin. Për ironi të fatit mjafton të kujtosh se natën para nisjes, ushtarakë ndërkombëtarë të gradave të larta morën pjesë në darkën e lamtumirës. Të gjithë dëshmitarët thonë se ishte lamtumirë prekëse. Kryetari i misionit të Kombeve të Bashkuara Søren Jessen-Petersen i shprehu besimin e tij në të ardhmen e Haradinajt dhe e quajti “mik dhe bashkëpunëtor të afërt” dhe si një njeri të “udhëheqjes dinamike, angazhimit të fortë dhe vizionit”, prania e të cilit do të jetë humbur në masë të madhe.
Akuzat që ri-ngrihen në tym ndaj Ramush Haradinaj – sipas deklaratave të vetë Gjykatës së Hagës – janë gjithsej 37 dhe përbëhen nga 17 akuza për krime kundër njerëzimit dhe 20 të tjera për krime lufte. Po këto krime që kryeshin nga vetë ushtria serbe, ndërsa sot, për çudinë e të gjithë botës, që i pa nga afër e nga larg këto krime, i atribuohen në mënyrë të qëllimshme z. Haradinaj. Përse disa ditë përpara deklaratës së GJND’së, në Hagë? Ndofta një kompensim, ndofta një koincidencë e pagabueshme. Gjithsesi deri më sot nuk ka pasur asnjë provë të qenësishme për këtë akuza, prandaj është liruar herën e parë, dhe shpresojnë që drejtësia të gjykojë drejt.
Mbahet mend shumë mirë kur Prokurorja Carla del Ponte, e cila kishte ndjekur me zell çdo zë, legjendë apo thashetheme mbi Ramush Haradinajn, në fund u dorëzua duke u shprehur shtinjakisht se ai shpallet i pafajshëm se “jo për shkak të mungesës së provave, por për shkak të pamundësisë së paraqitjes së provave në gjyq”. Pa prova dhe pa dëshmitarë nuk mund të hamendësosh për një kriminel, për më tepër për një kriminel lufte. Mirëpo, kuptohet vetiu, se kurrë nuk ka pasur as nuk do të ketë prova reale që e dëshmojnë fajësinë e z. Haradinaj në këtë rast, sepse prova të tilla nuk ekzistojnë. Bile një raport i fundit i BBC gjetur mbështetje të konsiderueshme për Haradinajn midis popullatës serbe. Një serb nga veriu i Mitrovicës para do kohësh i tha kanalit televiziv Britanik se “vetëm dy qeveritë e Kosovës, një nga Bajram Rexhepi, dhe sidomos një e Ramush Haradinaj kanë arritur të bëjnë diçka për minoritetin serb ... e fundit ka arritur të sjellë më pranë pakicës serbe, si dhe institucionalizimin e gjuhës serbe në Kosovë”. Nuk duhet harruar për asnjë moment se, gjatë trazirave më të rënda etnike që përjetoi Kosova e pas konfliktit, pra ato të Marsit të 2004, sipas vetë Kishës Ortodokse Serbe ai ishte personi, frenoi vandalët shqiptarë që kërkonin shkatërrimin e manastireve shumë vjeçare. Në këtë ai tregoi largpamësi si politike ashtu dhe kulturore, pasi ishte ndër të vetmin fill konfliktit kuptoi se serbët e Kosovës, në çfarëdolloj llogarie, do të ishin pjesë e Kosovës së pavarur, kurse me frenimin e akteve vandale ai përshëndeti shpirtin humanist të shqiptarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›