Shteti i kohës së humbur
është gati një brez njerëzor serbësh që vuajnë sindromin sikur gjithë bota është kundër tyre. Këtë e mendojnë ftohtësisht studiuesit serbë më me ndikim, që e kanë shprehur edhe ndër librat e botuar. E thonë edhe qytetarët e thjeshtë, kur ata pyeten në rrugë, para kamerave televizive. Aq shumë vuajnë, sa duket sikur fëmijtë serbë lindin të sëmurë asisoj. Kjo mendësi rroku kulmin me sulmin e NATO-s mbi Jugosllavinë e mbetur, u rëndua me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete të fuqishme e më demokratike të rruzullit dhe, Serbia u zhyt në dëshpërim nga vendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nuk është bota kundër Serbisë, por politika e përgjakshme e Beogradit, e vendosi Serbinë përballë Aleancës së Atlantikut të Veriut, e cila shpëtoi një popull nga zhbërja.
Duket si çudi që, politika e zbatuar nga Serbia, si nën Millosheviçin dhe pas Millosheviçit, u karakterizua e zgjuar dhe synoi blerje të kohës për të fituar. Ky mbetet cilësimi më i qendrueshëm dhe me jetëgjatë nëpër analiza, për çfarë bëri Beogradi, qysh nga 28 qershor i vitit 1989, me fjalimin famëkeq te Millosheviçit në Fushë-Kosovë e deri para shpalljes së deklaratës këshilluese të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik 2010. Madje, lëvizja e Beogradit për gjyq kundër pavarësisë qe arsyetuar një veprim i mençur, që pritej të baraspeshonte pozitën e Serbisë me Kosovën. Por, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në mbështetje të pavarësisë, e la pa frymë Beogradin dhe, llogaria tashmë është më e shkoqur sa s’bëhet: Serbia del që nuk bleu kohë, por humbi kohën e një brezi të vet njerëzor, në përpjekjet e dështuara për të trashëguar pjesë të rëndësishme të perandorisë së vogël jugosllave të shkatërruar. Mospajtimi me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe humbjen e territoreve të fituara përmes pushtimesh e makinacionesh politike, e çoi në humbje të kohës së çmuar për t’u marrë me vetveten. Politika dhe populli serb humbi kohë sepse bëri luftëra të përgjakshme ndaj popujve fqinj dhe, ka kaluar, gjithashtu, kohë e gjatë dhe nuk u është kërkuar ndjesë atyre. Elita politike dhe intelektuale serbe përvijoi portretin e vet të viktimës dhe kjo e vonon kthjellimin për të kuptuar se popujt e tjerë ishin viktima të Serbisë. Shteti serb krijoi shkaqe dramatike dhe zbatoi politikë barabare ndaj shqiptarëve të Kosovës sa që e vendosi veten përballë fuqisë më të madhe ushtarake të kohës. Serbia humbi shumë vjet të tjerë në paqë duke kundërshtuar, penguar dhe dëmtuar pavarësinë e Kosovës. Duke mos mundur më, të përdorë forcën ushtarake, ajo ndërmorri hapin e pazakontë, dërgimin e Kosovës në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë, duke besuar se do t’i vendoste pavarësisë një mal të lartë pengues përpara. Ndoshta, asnjëherë sa tani, nuk ka pasur një situatë të qartë për këndellje në Beograd: nuk ishte Kosova që kërkoi gjyq për verifikimin e ligjshmërisë së pavarësisë, por ishte Serbia ajo që e çoi Kosovën në gjyq, për t’ia zhbërë pavarsinë ligjërisht. Tani, që pala paditëse humbi, nuk i mbetet tjetër veçse të tërhiqet nga ideja për një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në vjeshtë, dhe të pajtohet me vendimin Gjykatës. Shteti serb është vetvendosur në një lloj alarmi dhe, atje janë të paktë zërat që bëjnë thirrje për përmendje. Nëse ish - presidenti dhe ish - kryeministri Vojisllav Koshtunica kërkoi dorëheqjen e qeverisë dhe heqjen dorë nga paraqitja e një rezolute në OKB, që do të pasonte një humbje edhe më të rëndë, në luftë kundër pavarësisë, besohet se kjo bëhet nga një nacionalist i regjur edhe si luftë për pushtet atje. Por, Vuk Drashkoviç, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-ministër i jashtëm qe më i qartë: ai kërkoi të pranohet mendimi i Gjykatës së Hagës, të mos njihet Kosova por të bashkëpunohet me të. Edhe pse zëra të fuqishëm botërorë i bëjnë thirrje Serbisë të shohë nga e ardhmja, atje nuk ka të ndalur bjerrja e kohës. Serbia nuk e ka humbur Kosovën, sepse ajo nuk ka qenë e saj, përveçse një territor i pushtuar dhe një popull i shtypur që kurrë nuk ka dashur të jetojë nën Serbi. Serbia humbet kohën e vet, duke shkarë pas e u vërtitur në vend, ende pa figura politike e intelektuale, vizionare e të guximshme, që ta nxjerrin nga kurthimi keq i vetvetes.