E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkive u tkurret vendimmarrja në dhënien e lejeve të ndërtimit

25/02/2010 Qeveria ndryshon ligjin “Për planifikimin e territorit”

Qeveria, me një projektligj që ka miratuar dje, synon të marrë në dorë disa nga atributet kryesore të Këshillit të Rregullimit të bashkive më të mëdha në vend. Në draftin ligjor që ndryshon ligjin “Për planifikimin e territorit” thuhet shprehimisht se Këshilli Kombëtar i Territorit është autoriteti përgjegjës, që ka kompetencë ekskluzive shqyrtimin përfundimtar të planeve zhvillimore (rregulluese/të planifikimit) të bashkive të kategorisë së parë në territorin e vendit dhe miratimin e tyre. Bashki të kategorisë së parë janë: Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora, Saranda, Gjirokastra, Berati, Pogradeci, Korça, Lezha, Lushnja, Kukësi, Peshkopia, Laçi dhe Kavaja. Nga ndryshimi i bërë, ky Këshill miraton kërkesat për zhvillim dhe lejet e ndërtimit në zona kombëtare, toka shtetërore dhe oborre të institucioneve publike arsimore të të gjitha niveleve, të zonave universitare, spitaleve dhe kopshteve e çerdheve. “Në rastet kur zhvillimi është projektuar në zona kombëtare, në toka shtetërore dhe në oborre të institucioneve publike arsimore, të të gjitha niveleve, zonave universitare, spitaleve, kopshteve dhe çerdheve, kërkesa për zhvillim i përcillet për miratim KKT-së”, thuhet në draftin ligjor. Por pika e rëndësishme e këtij projektligji ka të bëjë me faktin se “lejet e ndërtimit në zona kombëtare, në toka shtetërore e në oborre të institucioneve publike arsimore, të të gjitha niveleve, të zonave universitare, spitaleve, të kopshteve e të çerdheve miratohen nga KKT-ja”. Projektligji thotë se brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, bashkitë e kategorisë së parë depozitojnë për shqyrtim planet zhvillimore rregulluese, kur planet nuk i janë nënshtruar shqyrtimit dhe miratimit nga KRRTRSH-ja. Gjithashtu, në draftin që gjeti mbështetjen e trupës ministrore, sanksionohet se Këshilli Kombëtar i Territorit ushtron përjashtimisht këtë përgjegjësi dhe në territore administrative të tjera, ku parashikohet zhvillimi i porteve të hapura ndërkombëtare, i centraleve energjetike, digave dhe dambave të larta, si dhe ndërtimeve të tjera me interesa strategjike për vendin.

Ndryshimet që i bëhen ligjit “Për planifikimin e territorit” sjellin një tkurrje të konsiderueshme të vendimmarrjes së bashkive kryesore në vend për dhënien e lejeve të ndërtimit. Kjo e drejtë kalon tek Këshilli Kombëtar i Territorit. Padyshim, kjo do të shkaktojë një përplasje të fortë politike mes mazhorancës parlamentare dhe opozitës së majtë, e cila drejton një pjesë të konsiderueshme të bashkive të mëdha në vend. Kryebashkiakët e majtë prej mbi një vit kanë ndërmarrë protesta kundër Qeverisë, duke theksuar se po cenon rëndë autonominë vendore. Ky projektligj do të shkaktojë një tjetër konflikt politik.

Debati

Përbërja e KKRT-së shkakton përplasje politike

Qeveria ka propozuar mbi tre vjet më parë një draft ligjor për urbanistikën, por që në një prej neneve të tij flitej për përbërjen e Këshillit të Rregullim Territorit të Bashkisë së Tiranës. Në këtë nen, përmes manovrave të përzgjedhjes së anëtarëve të këtij Këshilli, mazhoranca në qeverisjen qendrore do të kishte mundësinë e marrjes së kontrollit përmes votës në KRrT-në e kryeqytetit. Kështu, këta anëtarë do të mund të krijonin një shumicë bllokuese për ato raste që ato i vlerësonin si jo me interes. Pikërisht ky propozim shkaktoi rebelimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste në opozitë, Edi Rama. Ai deklaroi në atë kohë se Qeveria po ndërhynte në procesin e vendimmarrjes së pushtetit vendor dhe se kjo gjë ishte në shkelje të hapur të autonomisë vendore. Madje, kryebashkiaku e vlerësoi si një përpjekje të Qeverisë qendrore dhe direkt të Kryeministrit Sali Berisha, për të bllokuar funksionimin e bashkisë së kryeqytetit. Por në argumentet që Kryeministri Berisha parashtroi në mbrojtje të këtij propozimi, theksohej se gjithçka bëhej në mënyrë që t’i jepej fund fenomenit negativ të korrupsionit për dhënien e lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Berisha ka sulmuar shumë herë kryebashkiakun Rama për afera korruptive në dhënien e lejeve të ndërtimit. Ai mbrojti këtë propozim me faktin se ndërhyrja bëhej vetëm për Bashkinë e Tiranës, duke marrë në konsideratë specifikën e saj, pasi përbëhet nga 11 minibashki.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›