E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë kilogram oriz, sheqer e vaj i importuar në janar

25/02/2010 Në portin e Durrësit dhe gjatë vitit të kaluar u zhdoganuan mijëra ton më pak ushqime

DURRES- Asnjë kilogram oriz, sheqer, vaj, miell, miell ndihmë nuk është importuar gjatë gjithë muajit janar të këtij viti, ndërsa statistikat e 12 mujorit të një viti më parë tregojnë se këto mallra janë importuar në sasi shumë më të vogla se në mesataren e të gjitha viteve.

Importi

Në statistikat e publikuara nga Drejtoria e Zhvillimit të Marketingut në portin e Durrësit bie në sy rënie e ndjeshme e importeve për këto artikuj ushqimor shumë të rëndësishëm duke zbritur deri në shifrën zero. Gjatë vitit 2009 janë importuar 33 mijë ton sheqer më pak, 10 mijë ton miell më pak dhe asnjë kilogram oriz. Gjithnjë mbështetur në këto statistika sheqer është importuar vetëm 5.018 ton, shifër kjo shumë e ulët, kurse mielli ka shënuar vetëm 892 ton të importuar në 12 muaj. Por statistikat nuk janë premtuese as me fillimin e këtij viti. Që nga fillimi i këtij viti e deri më 20 shkurt 2010 nuk është përpunuar në kalatat e portit të Durrësit asnjë ngarkesë me miell, sheqer, oriz apo vaj. Sektori i statistikave në port nuk ka bërë interpretime lidhur me mungesën e theksuar në statistikat e saj të këtyre artikujve shumë të domosdoshëm. Importet në 12 muaj të një viti më parë kanë arritur shifrën e 2.476.314 ton, kundrejt eksportit në 645.395 ton. Rënia e importit të disa artikujve të mësipërm nuk ka mbajtur peshën e madhe të shumës vjetore të import-eksportit, por ka rënë në sy mospërpunimi i asnjë kamioni me sheqer, oriz, vaj, miell. Nga ana tjetër në tregun e shumicës dhe në atë të pakicës të gjithë këto artikuj kanë shënuar rritje çmimi. Sheqeri shitet për 120 lekë kg nga 45-50 lekë kilogrami. Orizi në tregun e pakicës afrohet me 70-80 lekë për kg apo 30 për qind më shumë sesa në fillimet e një viti më parë. Rritje kanë pësuar deri në 50 për qind edhe një sërë artikujsh. Në pikat e tregtimit të këtyre artikujve nuk ka munduar malli me shumicë apo me pakicë. Grosistët duket se kanë bërë llogaritë e tyre duke nxjerrë fitime duke bllokuar importet përkundrejt rritjes së çmimeve. Përgjithësisht të gjithë artikujt ushqimorë importohen nga Italia dhe fare pak firma VIP importojnë nga vendet e origjinës. Me fillimin e kësaj jave rritjet e ndjeshme të çmimeve në treg janë vënë re edhe në fruta, perime dhe artikuj të tjerë bujqësor. Qepa e thatë ditë pas dite rritet në çmim dhe dje ajo është tregtuar me 100-110 lekë për kg. Preshi tregtohet me 120 lekë për kg, spinaqi 190-200 lekë, 210 lekë sallata, 280 lekë domatja, 300 lekë speci, 300 lekë trangulli etj. Durrësi historikisht ka pasur jo më pak sesa 10 për qind çmimet më të ulëta sesa çmimet në nivelin kombëtar, ndërsa kjo javë ka shënuar edhe rritjen më të madhe krahasuar me të gjitha vitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›