Bashkohen partitë çame, Idrizi: Pushteti, mjet për kauzën
Tiranë- Bashkimi i dy partive çame përflitej prej kohësh, por dje është zyrtarizuar me firmosjen e një statusi nga Shpëtim Idrizi dhe Tahir Muhedini. Në bazë të statutit të firmosur nga Muhedini dhe Idrizi, partia e re, që lindi nga bashkimi i PDU-së dhe PDI-së, do të quhet Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe kryetari i saj do të jetë Shpëtim Idrizi, ndërsa Tahir Muhedini, i cili deri më dje ka mbajtur postin e kryetarit të PDI-së, do të jetë President i Nderit i kësaj partie. Një tjetër detaj është fakti se PDIU do të ketë si simbol flamurin e vjetër të PDI-së, pra sfondin blu me degën e ullirit. “Sot është një ditë e çmuar për komunitetin çam, pasi bashkimi do të sjellë një rrugë të re për çështjen çame" - tha Idrizi, duke shtuar se partia e tyre është kundër regjistrimit të popullsisë, në baza etnike dhe fetare. “Ne do të kërkojmë që të shtyhet regjistrimi i popullsisë dhe të hapet një debat i gjerë publik, në lidhje me këtë çështje. Nuk mund që të lejojmë që një regjistrim antikushtetues dhe kundër parimeve europiane të zhvillohet në vendin tonë. Shqipëria nuk është një vend multietnik dhe të gjithë duhet ta kuptojnë këtë” - tha Idrizi. Gjatë fjalës së tij, kryetari i partisë PDIU, Shpëtim Idrizi, ndali dhe tek afrimi i partisë së tyre me pushtetin, duke i quajtur këto zhvillime si mjet në dorën e tyre, për të arritur qëllimet dhe jo si mbështetje politike. “Ne sot po i afrohemi pushtetit, por jo si ndonjë shtyllë mbajtëse e ndonjë koalicioni politik, por duke e parë pushtetin si mjet, jo si qëllim. Qëllimi ynë është zgjidhja e çështjes çame, si plaga më e madhe e kombit shqiptar, që ende kullon gjak”, - tha ai. Një numër i madh personash nga Shqipëria e Kosova ishin të pranishëm në firmosjen e aktit të bashkimit të dy partive. Nga Kosova, për këtë aktivitet kishte ardhur enkas Fatmir Limaj, një ndër drejtuesit kryesorë të luftës për Pavarësinë e Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, duke deklaruar se ashtu si Kosova, edhe çështja çame do të gjejë zgjidhjen e saj. Në aktivitet përshëndeti edhe historiani dhe politikani i njohur, Sabri Godo. "Gëzimi dhe entuziazmi juaj tregon se e keni pritur këtë ditë dhe është në ditën fatlume atë të pavarësisë së Kosovës. E shoh bashkimin si formacionin që bashkon dhe 300 mijë çamët që jetojnë në Shqipëri” – mbylli fjalën e tij Godo. Ndërkohë, dy krerët e kësaj partie shprehën njëzëri vendosmërinë e tyre për të çuar përpara çështjen e tyre të përbashkët.