Kombësia, tifozët kuq e zi në zyrën e Spahiut
Një numër i madh personash kuq e zi janë mbledhur gjatë orëve të paradites së djeshme pranë zyrave të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mbështetje të zv.kryetarit Kreshnik Spahiu. Grupimi i “Tifozëve Kuq e Zi” krijoi një dekor në mbështetje të iniciativës së Spahiut kundër ndryshimit të kombësisë. Sipas zyrës së shtypit të këtij institucioni, mësohet se tubuesit dhe Tifozët Kuq e Zi, si dhe qytetarët e veshur me simbolet kombëtare, mbanin në duar banderola me sloganet: “Të gjithë jemi kreshnikë” dhe “Shqipëri kreshnike”. Zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ka pritur një përfaqësi të qytetarëve të Tiranës, duke i garantuar ata që rruga ligjore dhe kushtetuese është zgjidhja më e mirë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ndër të tjera, Spahiu theksoi: “Prania dhe inkurajimi juaj është mbështetje më e madhe sesa 100 politikanë së bashku”. Nga ana e tyre, qytetarët deklaruan se do të grisin në mënyrë demonstrative formularët e regjistrimit të popullsisë dhe kërkuan qëndrim dinjitoz të gjyqtarëve në mbrojtje të Kushtetutës.