E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkurti: Koalicion paszgjedhor vetëm me parti të opozitës së sotme

bashkurtiKandidati për deputet i Aleancës Kuq e Zi në qarkun e Durrësit, Lisen Bashkurti në një intervistë për gazetën Tirana Observer, shprehet se Aleanca Kuq e Zi do të bëjë koalicion paszgjedhor vetëm me partitë e sotme opozitare të cilat do të pranojnë gjashtë kushtet e vendosura nga AK. Duke u ndalur tek rezultati i AK-së në këto zgjedhje, Bashkurti shprehet se pritshmëritë janë të larta në të 12 qarqet e vendit.

Kur kanë mbetur edhe një ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të 23 qershorit, a do të jetë Lisen Bashkurti në parlamentin e ri?
Atë e vendosin qytetarët e Qarkut të Durrësit. Atë çfarë unë kam në dorë jam duke e bërë përmes takimeve dorë më dorë, derë më derë, komunë më komunë, e qytet më qytet, me takime interaktive dhe manifestime të mëdha. Ka një mbështetje të gjerë për alternativën e Aleancës KuqeZi përballë dy koalicioneve pothuajse të dështuara politikisht. Rivalët e mi kryesor janë tejet të konsumuar politikisht dhe pjesë e grupeve të interesit dhe bizneseve private në këtë Qark. Ndërsa unë po komunikoj direkt me qytetarët nga Kruja deri tek Shkëmbi i Kavajës, kryesisht me dialog interaktiv, ndërsa rivalët e mi kryesor po komunikojnë vetëm me billborde, tatuazhe muresh dhe postera nëpër rrugët e qyteteve. Fryma është drejt një fitoreje të padiskutueshme të AK në Qarkun e Durrësit. Uroj dhe shpresoj zgjedhje të lira dhe të ndershme!
Aleanca Kuq e Zi është një forcë politike e cila garon për herë të parë në këto zgjedhje, nisur edhe nga të dhënat që ju keni, sa do të jetë rezultati që AK do të marrë në këto zgjedhje?
Personalisht nuk mund të bëj Orakullin e Delfit. Ajo që mund të them është fakti se AK po bën një fushatë të mrekullueshme, me komunikime intensive, në të gjithë hapësirën elektorale, me të tëra grupet e interesit, si: me shoqata dhe me individ e personalitete me ndikim te lartë politik dhe publik. Në Qarkun e Durrësit, ku unë kryesoj listën e AK, por edhe në qarqet Tiranë, Elbasan, Vlorë, Fier etj, kemi pritshmëri të larta.
Mosqenia në asnjërin prej dy koalicioneve të mëdha e penalizon rezultatin e Aleancës Kuq e Zi?
Gara i vetëm në zgjedhje është sfidë për AK. Mirëpo çdo forcë e re politike e ka të domosdoshme të sfidohet përballë votës së sovranit, për të parë realisht se cila është mbështetja popullore. Ndonëse kodi zgjedhor, rrënimi i KQZ, mjedisi politik jo i ndershëm, jo i barabartë dhe jo demokratik, mungesa e transparencës financiare të subjekteve garuese dhe mosbarazim në media kanë vështirësuar së tepërmi fushatën për AK, por këto vështirësi e kanë fuqizuar dhe konsoliduar AK në struktura dhe në elektoratin e saj në terren. Kjo duket në të gjitha veprimtaritë elektorale nga ato të formateve të vogla deri tek manifestimet e mëdha.
Kush do ti mbrojë votat e Aleancës Kuq e Zi, duke qenë se ju nuk keni përfaqësues në qendrat e numërimit të votave?
Mbrojtja e votës së lirë në këto zgjedhje do vijoj të mbetet problem. Kjo duket nga sindromat e përpjekjeve për shantazhim dhe miklim për vende pune, tentativat për korruptim individual dhe me grupe, manipulimi me lista, karta identiteti dhe makinacione të tjera që dëshmojnë se procesi zgjedhor, si dhe ai paszgjedhor janë seriozisht të kërcënuara nga trashëgimia negative e tranzicionit. AK ka mbuluar të gjithë hapësirën elektorale të Qarkut të Durrësit por edhe qarqe të tjera me vëzhguesit e saj, do të ketë vëzhgues në kuadër të OSBE ODIHR, si dhe do të bashkëpunoj ngushtë me të gjithë vëzhguesit e organizatave joqeveritare dhe të huaj nga SHBA, BE, KE dhe shtete të tjera partnere. Ne kemi bërë bisedime me to dhe do bëjmë gjithçka, që çdo votë e qytetarit të hidhet dhe të numërohet në mënyrë të lirë dhe të ndershme.
Nëse PD ose PS do të fitojnë zgjedhjet dhe do të ftojnë Aleancën Kuqezi për të qenë pjesë e qeverisë, do të pranojë AK të jetë në qeveri me partinë fituese?
AK është pjesë e frontit të opozitës. Si e tillë vota e AK-së në Parlament do jetë për një qeveri që vjen nga opozita, por me Kryeministër dhe Ministra që nuk janë përlyer dhe nuk përfliten për krim dhe korrupsion. Gjithashtu AK ka përpiluar një kartë parimesh me 6 pika, që do të jenë baza strategjike e domosdoshme dhe kushtëzuese për dhënien e votës së AK për qeverinë e re, të pas 23 qershorit 2013.
Mes një mandati të tretë të kryeministrit Berisha dhe një qeverie Rama-Meta, kë do të mbështesë Aleanca Kuq e Zi?
Ritheksoj edhe njëherë se AK do votoj kundër një mandati të tretë të Partisë në pushtet. AK mbështet një qeveri nga opozita, sepse dëshiron rotacion dhe rifreskim të qeverisë si nga pikëpamja politike ashtu edhe nga vlerat profesionale, intelektuale dhe morale. Por gjithnjë do jenë 6 principet baza e bisedimeve për koalicionin e ardhshëm që do bëjmë. Këto principe i kanë në tryezat e tyre partitë e koalicionit opozitar, sikundër i njeh edhe opinioni publik. Nëse opozita e sotme nuk do të pajtohet me parimet e AK, atëherë neve do qëndrojmë në pozita jashtëqeveritare, duke vazhduar betejën tonë në Parlament dhe jashtë Parlamentit./Intervistoi: Renato Dauti

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›