E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zoti dhe 44 më bekuan si shërbëtor të idealeve tuaja

June-21-22-51-58IMG_6492Partia Demokratike duke respektuar traditën e saj e ka mbyllur fushatën në kryeqytet. Në një miting të madh për nga numri i njerëzve dhe entuziazmit që nisi nga kryebashkiaku Lulzim Basha dhe mbaroi me kryeministrin Berisha, demokratët e vunë theksin tek reformat që do të ndërmarrin mandatin e tretë.
Fjala e Berishës
Në fjalimin e tij përmbyllës kryeministri Berisha i bëri thirrje gjithë shqiptarëve që të bashkohen në 23 qershor për të votuar për të ardhmen e vendit. Duke ju referuar bizneseve të huaja që janë në vendin tonë kreu i qeverisë tha se në katër vitet e ardhshëm do të rritet partneriteti mes qeverisë dhe biznesit të huaj. Me ne rritët bizneset tuaja, sepse patët dhe do të keni gjithnjë e më të gjerë lirinë ekonomike, taksat e ulëta. Taksa e të dhjetave është taksa që do të mbetet përgjithmonë në Shqipëri. 4 vjeçari i ardhshëm do të jetë 4 vjeçari i partneritetit të madh midis jush dhe nesh, me të cilin ne do të shpejtojmë zhvillimin e Shqipërisë, krijimin e dhjetra mijëra vende pune, me bizneset e të gjitha kategorive në industri. Bashkohuni me ne që Shqipërinë ta bëjmë vendin më të dëshiruar në Evropë. Taksa e industrisë turistike do të përgjysmohet menjëherë pas zgjedhjeve, tha kryeministri Berisha.
Numri 44
Të bashkohemi në numrin 44. Unë bekimin më të madh të këtij numri dhe të Zotit e konsideroj faktin se Zoti dhe 44 më dhanë mundësinë mua të jem shërbëtor i përvuajtur i palëkundur, i interesave, aspiratave dhe idealeve tuaja. Ky ishte bekimi më i madh dhe viti 44 për Sali Berishën. Kryeministri Sali Berisha ftoi shqiptarët, pa dallime politike, që të bashkohen me 23 qershor për të garantuar ëndrrën e shqiptarëve, Shqipëria vend i zhvilluar. Ora e madhe po afron. Le të bashkohemi gra dhe burra, vajza dhe djem që i besojnë vetes, njëri-tjetrit, Zotit, Shqipërisë se me punën tonë, me mundin tonë do të ecim përpara drejt zhvillimit, integrimit në BE. Jemi mbi gjysmëmilion sot ne kete shesh, por me datën 23 qershor duhet të jemi të gjithë së bashku, dhe unë jam këtu për tu garantuar se ne ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, të Shqipërisë vend i zhvilluar, Shqipërisë zonjë, siç e quante Sami Frashëri, do ta bëjmë realitet për çdo shqiptar pavarësisht nga bindjet e tij”, tha Berisha.
Fermerët
Duke u ndalur tek fermerët, kryeministri premtoi se në mandatin e ardhshëm qeveria do të trefishojë grantet për bujqësinë. Fermerë të Shqipërisë, zotër të kësaj toke, që e bëni çdo ditë më të bekuar, më pjellore, bashkohuni me ne, pavarësisht nga bindjet partiake, sepse ne do të bëjmë gjithçka për suksesin e fermave tuaja. Do të trefishojmë grantet, do të paguajmë gjithçka me para në dorë për materialet që përdorni për prodhimin. Me ne së bashku, ju do ta shndërroni Shqipërinë në kopshtin më të bukur të Evropës Juglindore, u shpreh kryeministri Berisha. Në përfundim, kryeministri Sali Berisha tha gjatë mandatit të ardhshëm Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat.

Të rinjtë
Të reja dhe të rinj shqiptarë, të të gjitha bindjeve, bashkohuni me ne për një shkollim të mirë, cilësor. Talenti juaj, energjia juaj, do të jenë leva e Arkimedit për Shqipërinë e zhvilluar. Ju jeni pasioni, entuziazmi, vizioni i Shqipërisë së viteve që do të vijnë. Shkollimi dhe punësimi juaj është përparësia më madhore. Ëndrrat tuaja do të bëhen të vërteta. 4 vitet që vijnë, çdo i ri do të punësohet me tre vjet pa asnjë taksë. Çdo i ri do të punësohet i kualifikuar, gratis. Çdo i ri me profesion do të ketë kredi të buta. Do të ndërtojmë çdo shkollë, terrene sportive, në të 4 anët e vendit

Grave
Nëna, motra, vajza dhe gra shqiptare, ju që keni qenë gjithmonë mbështetja kryesore e demokracisë, ju që keni qenë gjithmonë në krye të përpjekjeve tona, bashkohuni me ne, pavarësisht nga bindjet partiake. Dinjiteti juaj, forca juaj është vendimtare për zhvillimin e Shqipërisë. Së bashku do të bëjmë betejën legjendare kundër murit të patriarkalizmit. Do të shembim mure, do luftojmë si njerëz të lirë për barazinë gjinore. Progres kemi pasur këto vite, por progres më i madh nevojitet 4 vitet që vijnë

Topalli
Ju sjell nga Shkodra optimizmin, entuziazmin se më 23 qershor qarku i Shkodrës do ti japë PD-së mandatin e 8-të. Shkodra dhe shqiptarët presin nga Tirana që ti jepni mandatin e 18-të PD-së.
Shkodra do të votojë PD-në sepse, Qeveria bëri të mundur investimin e 600 milionë dollarëve e në qarkun e Shkodrës. Jemi në rrugë të mbarë për Shqipërinë e zhvilluar

Imami
Ju jeni garancia e fitores së madhe të 23 Qershorit. Të dashur miq, Shqipëria nuk ka parë një periudhë të tillë zhvillimi, zhvillim të arsimit, punësimit, rritjes së mirëqenies, duke i bërë ballë dhe pse një vend i vogël më së miri krizës. Qeveria Berisha ka realizuar reforma që kanë ndikuar në rritjen e mirëqenies së të gjithë shqiptarëve

Mitingjet, Berisha dhe Rama dalin në të njëjtin moment në podium
Pavarësisht se ishin në një distancë të largët me njëri tjetrin, njëri në Tiranë dhe tjetri në Vlorë, kryeministri Berisha dhe kreu i PS-së, Rama dolën në të njëjtën kohë në podiumet përkatëse. Në orën 20:45 kryeministri u ngjit në podiumin e ngritur në sheshin Nën Tereza, ndërkohë që në po të njëjtën orë edhe kryesocialisti Rama nisi fjalën e tij në mitingun e organizuar në sheshin e Flamurit në Vlorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›