Drejtori i Berishës zhduku Remzi Hoxhën
“Prokuroria për Krime të Rënda, pasi zhvilloi hetimet e nevojshme për procedimin penal me nr.449 të zhdukjes së shtetasit kosovar, Remzi Hoxha, me datën 18.4.2008 dërgoi për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda të pandehurit: Arben Sefgjini, ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, Ilir Kumbaro, ish-kryetar dege në drejtorinë e SHIK-ut; Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit të drejtorisë SHIK-ut dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në drejtorinë e SHIK-ut”,-thuhet në njoftimin zyrtar. Katër të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprave penale të “rrëmbimit të personit “ dhe “torturës me pasoja të rënda”. “Të katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin,në muajin shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vajin të rrethit Lezhë. Aty janë torturuar për disa ditë nga ku ka gjetur vdekjen shtetasi Remzi Hoxha”,-thuhet në njoftimin zyrtar.
Burimet e rezervuara pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur për “Shekullin” se për të zbardhur dosjen e arkivuar prej 13 vitesh, organin e akuzës e kanë ndihmuar dëshmitë e dy të mbijeturve të këtij rrëmbimi, Ziso Kristopuli dhe kosovari Avdyl Loshaj, i cili ka fituar azilin politik në Holandë për këtë çështje. “Provat e reja që dërguan të pandehurit para gjykatës janë dëshmitë e dy të mbijetuarve, dhënë para hetuesve në vitin 2003 dhe vetëm pak muaj më parë, pas rihapjes së dosjes, akt-ekspertimet mjekësore të dy të mbijetuarve të bëra nga vetë ata pas largimit nga duart e SHIK-ut si dhe dëshmitë e rreth 15 personave të tjerë, që kanë dijeni për këtë çështje. Gjithashtu, në arkivat e SHIK-ut janë gjetur disa shkresa lidhur me këtë çështje, që kanë ndihmuar hetimin”,-thuhet nga akuza. Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e kryera të prokurorisë ka rezultuar se një nga automjetet e përdorura në ngjarjen e rrëmbimit ka qenë me targa TR 2449 C, makinë e cila i takonte institucionit të SHIK-ut.
Ish-kreu i SHIK-ut të Tiranës mendohet se është strehuar në Angli, pas 1997
Interpoli shpall në kërkim Ilir Kumbaron
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar nga Interpol Tirana shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Ilir Kumbaros, ish-kryetarit të SHIK-ut të Tiranës.Pas gjetjes së provave që implikojnë 4 ish-punonjësit e SHIK, organi i akuzës ka vendosur të kthejë në Shqipëri Kumbaron, i cili mendohet se ndodhet prej vitit 1997 në Angli, por ende nuk ka asnjë vendim se çdo të bëhet me drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjinin apo me 2 të akuzuarit e tjerë. Zyrtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë me dije dje për “Shekullin” se nuk pritet të kërkojnë ndonjë masë shtrënguese për të akuzuarit, pasi ata kanë qenë njëherë nën arrest dhe janë liruar për shkak të amnistisë. Ndërsa juristët bëjnë me dije se akuzat ndaj tyre janë rënduar, e meqënëse bëhet fjalë për një vepër të re penale, mbetet në vlerësimin e prokurorisë të kërkojë apo jo ndonjë masë sigurie. Gjatë pasdites së djeshme, “Shekulli” ka tentuar të komunikojë me Sefgjinin, që akuzohet për rrëmbim personi dhe tortura me pasoja të rënda, por ky i fundit, megjithëse mban një ndër postet më të rëndësishme të administratës shtetërore, ka preferuar të heshtë. Tashmë pritet lëvizja e radhës e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të siguruar opinionin publik se autorët e rrëmbimit dhe vrasjes së Remzi Hoxhës do të përballen me drejtësinë. F.Vezaj
TË PANDEHURIT:
Arben Sefgjini, ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, aktualisht me detyre Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Ministrinë e Financave
Ilir Kumbaro, ish-kryetar Dege në Drejtorinë e SHIK, Tiranë
Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit te Drejtorisë SHIK, Tiranë
Budjon Meçe, ish-inspektor në drejtorinë e SHIK, Tiranë
LISTA E DËSHMITARËVE
1. Bashkim Gazidede, ish-kryetar i SHIK-ut, (i pyetur njëherë),
2. Fatos Klosi, ish-kryetar i SHISH-it
3. Armando Loshaj, telekronist, (ndodhet në Holandë)
4. Ziso Kristopulli, ish-kryetar i PS-së në Ksamil
5. Nuredin Dervishi, ish-shefi i prapavijës pranë drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë
6. Mehmet Haxholli, ish-drejtori i SHIK-ut në Tiranë
7. Anibal Basha, ish-inspektor i SHIK-ut, (i arrestuar)
8. Avni Koldashi, ish-shefi i bazës së vëzhgimit numër 10 të SHIK-ut, (dyshohet se ndodhet në Angli)
9. Ilir Kumbaro, ish-oficer operativ i SHIK-ut, (dyshohet se ndodhet në Angli)
10. Budion Meçe, ish-oficer operativ i SHIK-ut
11. Arben Sefgjini, ish-kryetar dege në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë
12. Roland Dedej, ish-shofer i Ilir Kumbaros pranë SHIK-ut
13. Xhafit Xhaferri, ish-punonjës i SHIK-ut
14. Flamur Gjymyshka, ish-zvdrejtori i Kundërzbulimit pranë SHIK-ut
15. Bexhet Muhellari, ish-inspektor pranë SHIK-ut, në lagjen e banimit të Hoxhës
16. Nexhmedin Hoxha, vëllai i Remzi Hoxhës
17. Sevdije Hoxha, bashkëshortja e Remzi Hoxhës
18. Viktor S. ish-roje në rezidencën në Vain të Lezhës
19. Rita M. ish-sekretare e rezidencës në Vain të Lezhës
20. Gjok H. përgjegjës në rezidencën në Vain të Lezhës
21. Viktor Sokoli banor nga Ksamili
22. Alma Kristopulli banor nga Ksamili
23. Lefter Jani banor nga Ksamili
Ardian Hoxha pohon se prokuroria duhet të akuzojë edhe Bashkim Gazideden dhe 5 persona të tjerë të implikuar
Djali i Remziut: Eshtrat babait tim i di Gazidede
TIRANË- Trembëdhjetë vite ankthi, dhimbjeje e pritjeje e kanë bërë dyshues, ndaj edhe lëvizjen e djeshme të Prokurorisë preferon ta quajë një tjetër fillim për zbardhjen e së vërtetës. “ Le ta kuptojnë të gjithë shqiptarët se nuk do të heqim dorë nga ky proces derisa të zbardhet 100%, derisa të gjejmë eshtrat e babait e t’ia bëjmë varrin siç e meriton”,-thotë djali i Remzi Hoxhës, pak orë pasi ka mësuar se çështja do t’i kalojë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në një intervistë për “Shekullin”, Ardian Hoxha pohon gëzimin për mbylljen e hetimeve, por edhe shqetësimin se 5 persona të tjerë, me në krye Gazideden nuk janë përfshirë në listën e të akuzuarve.
Zoti Hoxha, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka akuzuar 4 ish-drejtues të SHIK-ut, mes të cilëve edhe drejtorin aktual të Tatimeve, Arben Sefgjinin, për rrëmbimin e babait tuaj si dhe ka dërguar dosjen në Gjykatë. A keni besim se këtë herë, përgjegjësit për këtë ngjarje të rëndë do të dënohen nga drejtësia?
Me shumë gëzim e morëm lajmin, që më në fund ka filluar të funksionojë drejtësia në Shqipëri. Edhe pse ende kemi skepticizëm, pasi kjo dhimbje e familjes tonë është duke zgjatur për më shumë se 13 vite, ne prapë se prapë mbetemi me shpresë se një ditë drejtësia do të shkojë në vend. Një gjë që tani na shqetëson është fakti se edhe 5 persona tjerë, me në krye Bashkim Gazideden nuk janë në këtë listë. Sidoqoftë, ne mbetemi me shpresë se së shpejti do të vijë dita që edhe ata të marrin dënimin e merituar, por gjithashtu edhe shefat e tyre që dhanë urdhër për t'u zhdukur babai im. Ka 13 vite që jemi në ankth dhe le ta kuptojnë të gjithë shqiptarët që ne nuk do të heqim dorë nga ky proces deri në zbardhjen 100% të rastit dhe më në fund t'i gjejmë eshtrat e babait tim dhe t'ia bëjmë varrin ashtu siç e meriton. Tani mbetet të shohim nëse e kanë seriozisht që ta çojnë këtë çështje deri në fund, apo edhe ky ështënjë mashtrim i rradhës dhe një zvarritje e këtij procesi. Faktin se Remzi Hoxhën e ka zhdukur SHIK-u i Gazidedes e di e tërë bota. Secili shtet i botës e ka këtë informatë. Madje, ajo është publike edhe në faqen e internetit të qeverisë amerikane, në faqen ku jepet përshkrimi për Shqipërinë. Pra, kështu është e njollosur Shqipëria. Ne mbetemi me shpresë se kësaj radhe do ketë vullnet politik dhe kërkoj publikisht nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi, që personalisht të merret me këtë çështje dhe njëherë e përgjithmonë t'i shuajë plagët familjes tonë. Po kështu kërkojmë edhe nga zonja Ina Rama që të përdorë tërë autoritetin e saj në mënyrë që kjo çështje të çohet deri në fund, në një kohë sa më të shkurtër.
Meqenëse njëri prej të akuzuarve ështëzyrtar i lartë në administratën shtetërore, a keni frikë se çështja mund të manipulohet politikisht?
Nëse ka drejtësi, mendoj se jo. Ne në Kosovë kemi besim shumë të madh tek zotiBamir Topi, por edhe tek zonja Ina Rama. Le të shohim se sa ata do të bëjnë për drejtësinë. Drejtësia nuk pyet se kush je, apo çfarë pozite ke. Krimi është krim dhe ai ka bërë krim.Zoti Ardian, a keni pasur kontakte kohët e fundit me prokurorinë shqiptare dhe a jeni vënë paraprakisht në dijeni për ecurinë e hetimeve? A ka ndonjë të dhënë të re për vendndodhjen e eshtrave të babait tuaj?
Nuk jemi vënë në dijeni për ecurinë e hetimeve në mënyrë që procesi të shkojë ashtu siç duhet. Na është thënë nga prokurorët e çështjes se është duke u punuar shumë seriozisht për rastin dhe se shumë shpejt do të vihen para drejtësisë të gjithë personat e implikuar. Kjo tani ndodhi, por vetëm pjesërisht. Le të shpresojmë se ky është vetëm fillimi.
Në listën e të pandehurve për rrëmbimin e Remzi Hoxhës mungon edhe këtë herë emri i ish-kreut të SHIK-ut, Bashkim Gazidede, ndërkohë që familja juaj e ka akuzuar atë direkt për urdhërimin e rrëmbimit. Cili do të jetë qëndrimi i familjes tuaj, pas shmangies së hetimit për ish-kreun e SHIK?
Ne mendojmë se do t’i vijë radha edhe atij shumë shpejt. Nëse jo, atëherë ky do të jetë edhe një tjetër tentativë e shtetit shqiptar për të zvarritur këtë çështje. Bashkim Gazidede është ALFA dhe OMEGA e gjithë kësaj tragjedie dhe ai është personi që e di se ku janë eshtrat e babait tim.
Prokuroria ngriti akuza të rënda për 4 të dyshuarit, ndërkohë që ende nuk është marrë ndonjë masë shtrënguese, si psh. arrestipër ta. Si e komentoni këtë lëvizje të prokurorisë?
Kjo gjë duhet të jetë e planifikuar dhe e llogaritur nga shteti shqiptar. I lutemi shtetit shqiptar që të mos ndodhë e njëjta gjë që ndodhi me Bashkim Gazideden, të largohet 8 vite dhe të kthehet prapë,kur shefat e tij t’ia kenë siguruar ambientin. Nëse ndodh një gjë e tillë, kjo do të jetë një shenjë e madhe për implikimin e krerëve të Shqipërisë, në këtë krim misterioz dhe çnjerëzor. Bisedoi: a.bogdani
KRONOLOGJIA
5 tetor 1995
Ndalohet Abdyl Loshaj, kosovari që fshihej nën petkun e gazetarit austriak
18 tetor 1995
Rrëmbehet Ziso Kristopulli, anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste të Sarandës
21 tetor 1995
Rrëmbehet Remzi Hoxha, biznesmeni që jetonte prej ‘92 në Tiranë
23 tetor 1995
Gruaja e Hoxhës u dërgon letër krerëve të shtetit për zhdukjen e tij
Viti 1998
Mbyllet dosja. Dyshime për zhdukjen e dosjes në trazirat e vitit 1997
Viti 2003
Avokati i Popullit rihap dosjen, pas një kërkese të ardhur nga Kosova
Maj 2003
Arrestohen 3 ish-punonjësit e SHIK-ut, Avni Koldashi, Budjon Mece dhe Arben Sefgjini
Nëntor 2003
Lirohet Avni Koldashi. Dy të pandehurit e tjerë lirohen në maj 2004
Nëntor 2004
”Amnesty International” i shkruan Nanos për zhdukjen e Remzi Hoxhës
Qershor 2006
Prokurori Sollaku rikthen këtë dosje për raportim në Kuvend
Tetor 2006
“Amnisty International” kërkon zbardhjen e shpejtë të çështjes