E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti nga populli, Kuvendi vendos të hënën

TIRANË- Ka zgjatur vetëm 24 orë entuziazmi i mbështetësve të presidentit Bamir Topi për të sanksionuar në Kushtetutë variantin e zgjedhjes së kreut të shtetit nga populli. Megjithëse ka mundur të siguroj më shumë firma mbështetëse (36 firma) sesa nisma e parë (e zgjedhjes së presidentit nëpërmjet procedurave parlamentare e cila siguroi 30 firma), propozimi për të zgjedhur Presidentin e Republikës me votim popullor, ka marrë vetëm katër vota pro në Komisionin e Ligjeve, duke zbehur në maksimum shpresat e nismëtarëve për ta miratuar atë në Kuvend. Kjo për faktin se socialistët dhe shumica e deputetëve demokratë anëtarë të Komisionit të Ligjeve kanë votuar kundra këtij varianti, duke shprehur në një farë mënyrë dhe qëndrimin e tyre kundër gjatë kalimit të tij në Kuvend. Nga ana tjetër shumica e komisionit ka miratuar edhe një herë me shumicë dërmuese votash propozimin për zgjedhjen e numrit një të shtetit nëpërmjet procedurave parlamentare.

Votimi

Pas votimit të neneve të tjera të paketës, komisioni ka kaluar në miratimin e nenit 87, për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të republikës, çështje e cila ashtu si dy ditë më parë ka shkaktuar përsëri debate midis deputetëve. Komisioni ka miratuar me 5 vota kundër ndryshimet në nenin 87 ku përcaktohet si variant përfundimtar propozimi i PS-së për ta zgjedhur kreun e shtetit nëpërmjet një procedure që do të kalojë në 5 raunde, ku në tre të parat kërkohen 3/5 votave të deputetëve dhe në dy raundet e fundit përcaktohet që të zgjidhet me 70 plus 1 për qind të votave. Pas miratimit të këtij varianti komisioni është njohur në mënyrë zyrtare edhe me propozimin e ri të 36 deputetëve, të depozituar në Kuvend nga deputeti i LSI-së Spartak Braho, nismë e cila kërkon që të përcaktohet në Kushtetutë që presidenti i republikës të zgjidhet nga populli. Kjo ka ngjallur debat, për shkak se një pjesë e deputetëve firmëtar të kësaj nisme kanë firmosur edhe në nismën e mëparshme për zgjedhjen e presidentit nga parlamenti. Ka qenë pikërisht depozituesi i kësaj nisme, Spartak Braho ai që ka kundërshtuar këtë fakt, duke e cilësuar atë si antikushtetues, pasi sipas tij një deputet nuk mund të firmos në dy nisma njëkohësisht. Qëndrimi i tij ka gjetur mbështetjen edhe të deputetit të PBDNJ-së Spiro Peçi, i cili duke iu referuar nenit 177 të Kushtetutës, e konsideroj këtë si antiligjore. Por kjo ka hasur në kundërshtimin e kryetarit të komisionit, Fatos Beja dhe deputetit nismëtar të këtij propozimi, Sali Shehu. Sipas Bejës, neni 177 përcakton që një nismë për ndryshime kushtetuese duhet të mbështetet nga firmat e 1/5 së deputetëve të kuvendit, por nuk ndalon që një deputet të mbështesë dy nisma. Pavarësisht kundërshtimeve në argumente, komisioni ka kaluar në votim të propozimit shtesë, i cili ka mundur që të marrë vetëm katër vota, ato të Pal Dajçit, Sali Shehut, Dashnor Sulës dhe Spiro Peçit, çka ka bërë që ai të kalojë për miratim në Kuvend si propozim pakice. Ajo që ra në sy në këtë votim dhe që pakëson shpresat për tu votuar në Kuvend, është se depozituesi i këtij amendamenti, Spartak Braho nuk e votoi, ndërsa firmëtari tjetër, Eris Hoxha e votoi kundër ashtu si shumica e komisionit.

Fejzi Braushi

Katër deputetë firmëtarë në dy nisma

TIRANË- Ndryshimet kushtetuese përveçse kanë nxjerrë në pah konfliktin midis drejtuesve më të lartë të mazhorancës, kanë vënë në vështirësi dhe deputetët e thjeshtë të këtij spektri. Një fakt i tillë evidentohet qartë në listat e firmëtarëve të amendamenteve kushtetuese, ku disa prej deputetëve për shkak të pavendosmërisë për tu pozicionuar në njërin krah, kanë hedhur firmat e tyre në të dy nismat. Kështu 4 deputetët, Eris Hoxha, Nikollë Lesi, Petrit Gjoni dhe Ferdinand Xhaferaj firmëtar të paketës së ndryshimeve kushtetuese “Trashani”, ku përcaktohej zgjedhja e presidentit nga parlamenti, kanë dhënë mbështetjen e tyre edhe për amendamentin shtesë të “topistëve” për zgjedhjen e presidentit nga populli. Kjo ka shkaktuar dhe debate të forta dje në komisionin e ligjeve, ku deputetët Sipro Peçi dhe Spartak Braho e kanë konsideruar një gjë të tillë si antikushtetuese. Për këtë ata kanë kërkuar rrëzimin e paketës së parë, pasi sipas tyre ekzistenca e firmave të këtyre katër deputetëve në amendamentin shtesë do të thotë se ata janë tërhequr nga mbështetja e paketës së amendamenteve “Trashani”, duke e lënë atë me vetëm 26 firma mbështetëse nga 30 që kishte me parë. Por një pretendim i tillë është kundërshtuar nga deputetët demokrat të cilët duke iu referuar nenit 177 të kushtetutës kanë theksuar se firmosja e dy nismave njëkohësisht nuk pengohet.

Firmëtarët

Bujar Leskaj

Besnik Mustafaj

Spartak Ngjela

Pal Dajçi

Engjell Cara

Ndriçim Babasi

Sami Gjergji

Sali Shehu

Edmond Spaho

Mevlan Xhindoli

Besnik Bisha

Genc Sharku

Ndue Shpani

Artur Hasanbelliu

Frrok Gjini

Arian Starova

Hamit Kosta

Ymer Tola

Rexhep Uka

Spiro Peçi

Nard Ndoka

Gazmend Oketa

Edi Paloka

Eris Hoxha

Fatmir Mediu

Nikollë Lesi

Arian Madhi

Alfred Gega

Leopard Solis

Genc Pollo

Petrit Gjoni

Jak Ndokaj

Luan Skuqi

Ferdinand Xhaferaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›