E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basketboll i lodhtë

Njohës të basketbollit kosovar thonë se edicioni i sivjetmë është dukshëm më i dobët sesa kampionatet e viteve të kaluara. Kjo pasi katër skuadrat e para të tabelës po i mposhtin ekipet tjera me diferencë shumë të madhe, e cila në disa raste shkon deri në 100 pikë. Ata thonë se urgjentisht duhet të ndërmerren masa për ta nxjerrë basketbollin nga kjo situatë. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 02 prill 2011 në ora 13:40

Rivaliteti në ndeshjet e BKT-Superligës së Kosovës në basketboll po mungon shumë në këtë kampionat. Andaj, ndeshjet e sivjetme nuk po ngjallin as emocione te shikuesit që po i përcjellin ato, ndonëse edhe ashtu numri i tyre nuk është i madh siç ishte vite më parë.

Kjo pasi në BKT-Superligë sivjet po dominojnë tri ekipe e në veçanti Sigal Prishtina, të cilës deri diku i ofrohen Bambi e Peja dhe më pak Trepça.

Këto ekipe edhe kryesojnë në tabelë, derisa nuk kanë aspak konkurrencë prej ekipeve të ‘katërshes së dytë’ të tabelës, që përbëhet nga Kolegji EuroSport, Kosova, Bashkimi e Mitrovica. Madje, shpeshherë ekipet e ‘katërshes së parë’ të tabelës fitojnë gati me nga 100 pikë dallim në ballafaqimet e tyre me ekipet e ‘katërshes së dytë’.

Rasti i fundit ishte ai i së mërkurës, kur Sigal Prishtina e deklasoi Mitrovicën duke e mposhtur me 96 pikë dallim, 150:54. Se në atë takim nuk ekzistoi fare rivalitet e vërteton edhe fakti se lojtari i Sigal Prishtinës, Granit Rugova e shfrytëzoi rastin për të thyer rekord dhe një gjë të tillë e bëri pasi i shënoi veç vetë rrafsh e barabartë 110 pikë.

Shkurt e shqip, kampionati i sivjetmë është më i dobëti për dallim prej kampionateve të viteve të mëparshme. Kështu thonë edhe njohësit e mirë të basketbollit kosovar.

“Ky kampionat është dukshëm më i dobët, rivaliteti mungon shumë. Sigal Prishtina nuk e ka rival as Bambin e Pejën, e lëre më ekipet tjera. Ndërsa as Bambi e Peja nuk kanë konkurrencë prej ekipeve tjera”, thotë trajneri i njohur, aktualisht i lirë, Jeton Nixha.

Ai shpjegon shkaqet pse ka ardhur basketbolli kosovar në këtë gjendje. “Këto janë pasoja të viteve të mëparshme, kur investohej shumë nëpër klube, por nuk punohej fare me lojtarë të rinj”, tha ai.

“Sot po luajnë lojtarët e njëjtë, të cilët cilësohen si më të mirët në vendin tonë tash e një kohë të gjatë. Por, ka kohë që nuk po nxjerrim lojtarë tjerë të rinj e cilësorë. Kjo pasi nuk kemi punuar me kohë me të rinj, edhe pse kemi talente, por ata posa po i mbushin 15 apo 16 vite po humbin, sepse nuk po i joshim për t’i mbetur besnikë basketbollit”, shtoi Nixha.

Njëjtë shprehet edhe kryetrajneri i Sigal Prishtinës, Arben Krasniqi, i cili me ekipin e tij po dominon këto vitet e fundit.

“Skuadra ime rivalë i konsideron Bambin e Pejën. Por, ekipet tjera në pjesën e dytë të tabelës janë shumë më të dobëta sesa Prishtina, Peja, Bambi, por edhe Trepça”, deklaroi Krasniqi për Express. “Fakti që ekipi im fiton me 100 pikë dallim ndaj një ekipi tjetër, të detyron të thuash se liga është shumë e dobët”, shtoi ai.

Krasniqi e Nixha thonë se ka ardhur koha që urgjentisht të ndërmerren masa për ta nxjerrë basketbollin kosovar nga kjo krizë. “Duhet të bëhet ndonjë zgjidhje, të zvogëlohet liga apo diçka duhet bërë. I mbetet Këshillit Profesional dhe organeve tjera të Federatës së Basketbollit të ndërmarrin masa. Duhet punuar më shumë me lojtarë të rinj nëpër klube”, thotë Krasniqi.

Njëjtë mendon edhe Nixha. “E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë është mundësia që urgjentisht dhe intensivisht të punohet me gjenerata të reja. Ata duhet të stimulohen në mënyrë që me përkushtim t’i qasen basketbollit”, përfundoi Nixha.

BKT-Superliga – Xhiroja e 24-të
E shtunë
Trepça – Bashkimi18:00
E diel
Mitrovica – Peja18:00
K. EuroSport – Bambi15:30
Kosova – S. Prishtina19:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›