Ndërrohet synimi

Pas fitores ndaj Bjellorusisë, Kombëtarja shqiptare po shpreson për kualifikim në Euro 212.
Në fakt, para se të nisnin eliminatoret për Kampionatin evropian, kuqezinjtë synonin ta përmbyllnin fushatën kualifikuese në vendin e katërt të Grupit D. Por, pas fitores ndaj bjellorusëve, synimet kanë ndryshuar.
Tani ekipi kombëtar që udhëhiqet nga strategu kroat Josip Kuze po lufton për ta zënë vendin e dytë në këtë grup, e cila pozitë do t’ia mundësonte Shqipërisë dy ndeshje barazhi ndaj ndonjë kombëtareje tjetër për ta kërkuar kualifikimin.
“Kur synonim pozitën e katërt, ishte para gjashtë muajsh. Tashmë duhet të shkojmë më tutje. Kemi cilësi të vazhdojmë të luajmë mirë”, ka deklaruar përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Josip Kuze.
“Unë jetoj ditë pas dite. Jetoj me të tashmen. Nuk dua të mendoj se çka mund të ndodhë pas 5, 6 apo 8 muajsh. Është vështirë të flas për këtë. Jam shumë i lumtur me Kombëtaren shqiptare. Kam objektiva afatshkurta: Dua të fitojmë me Bosnjën duke luajtur e më pas të mendoj për ta fituar edhe duelin ndaj Francës”, theksoi ai.
Aktualisht Franca prinë në Grupin D me 12 pikë, derisa Bjellorusia e Shqipëria ndajnë pozitat dy dhe tre me nga tetë pikë, një më shumë sesa Bosnje e Hercegovina, që gjendet në vendin e katërt, duke e lënë pas vetes Rumaninë me 5 pikë dhe Luksemburgun me 1 sosh.
Sipas orarit, kuqezinjtë ndeshjen e radhës duhet ta zhvillonin si mysafirë të Bosnjës. Mirëpo, kjo e fundit është suspenduar të premten nga FIFA dhe UEFA, pasi boshnjakët nuk i kishin bërë ndryshime në statutin e tyre siç kanë kërkuar ndërkombëtarët. Kjo i shkon shumë për shtati ekipit të Josip Kuzes.
Megjithatë, kroati thotë se epilogu i përballjes së shqiptarëve do të ishte më i mirë të caktohej në fushën e blertë sesa në tavolinë.
“Kjo nuk është gjë e mirë dhe nuk më pëlqen. Unë dua që të luajmë. Unë mendoj se është më mirë që rezultati të vendoset në fushën e lojës dhe jo në tavolinë. Ne po ecim në rrugë të mbarë dhe kemi perspektivë të mirë. Shpresoj që boshnjakët t’i rregullojnë problemet dhe të jenë gati të luajnë ndaj nesh. Ne do t’i kemi të gjithë lojtarët të gatshëm dhe unë kam besim të madh tek ata”, ka theksuar Kuze, nën drejtimin e të cilit Kombëtarja shqiptare ka ndryshuar për të mirë.
Fitorja ndaj bjellorusëve vërtet e ka entuziazmuar ekipin kuq e zi dhe vetë selektorin Josip Kuze. Drejtuesi i stolit kuqezi ishte arkitekti i triumfit me Bjellorusinë, një kundërshtar që e kishte studiuar deri në detaje.