Basketbolli përtokë

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), të premten në Prishtinë ka organizuar një debat në të cilin është diskutuar rreth gjendjes aktuale të basketbollit kosovar dhe organizimit sa më të mirë të tij.
Në këtë debat kanë marrë pjesë anëtarë të Këshillit Profesional të FBK-së, zyrtarë dhe trajnerë të klubeve të Superligës. Të pranishmit në këtë debat rikujtuan edhe njëherë se basketbolli kosovar është në gjendje shumë të rëndë.
Madje, kryetrajneri i Sigal Prishtinës, Arben Krasniqi, pohoi se aktualisht basketbolli kosovar është në gjendje më të rëndë sesa që ishte para luftës në Kosovë.
“Edhe pse koha ka qenë shumë e vështirë për të funksionuar, të gjitha skuadrat elite kanë pasur strukturë dukshëm më të mirë se tani. Paramendoni disa skuadra të Superligës nuk kanë as një komplet të fanellave që nuk kushtojnë më shumë se 200 euro”, ka theksuar Krasniqi.
Madje, ai potencoi se elitës së basketbollit kosovar vetëm emri i ka mbetur Superligë, pasi, sipas tij, kjo ligë është në krizë jashtëzakonisht të madhe.
“Si mund të quhet Superligë kjo ligë në të cilën ne po garojmë, ka raste kur ne shënojmë fitore me rezultat të thellë prej 110 pikëve dallim”, shtoi Krasniqi i cili me Sigal Prishtinën në vitet e fundit ishte i pakonkurrentë.
Konstatime të tilla dhanë edhe pjesëmarrës të tjerë të debatit, por ata nuk shpalosnin ide se si mund të nxirret basketbolli kosovar nga kjo krizë.
“Ne jemi mbledhur këtu që të kërkojmë nga ju që konkretisht të propozoni ide që duhet realizuar. Sigurisht se këtu fjalën kryesore e kanë anëtarët e Këshillit të Profesional”, tha anëtari i bordit të FBK-së dhe iniciuesi i këtij debati, Ismet Rexhepi.
Rexhepi e Kasapolli tensionuan debatin
Ky debat nuk ka kaluar pa tensione. Ato u shfaqën ndërmjet anëtarit të bordit të FBK-së dhe përzgjedhësit në detyrë të përfaqësueses së Kosovës, Agim Kasapolli. Ky i fundit nuk ishte ftuar fare në debat dhe nuk iu dha e drejta të debatonte.
“Ju zotëri nuk jeni i ftuar në këtë mbledhje, ju mund vetëm të dëgjoni nëse dëshironi, përndryshe, ja ku e ke derën dhe nuk ke nevojë të na pengosh”, iu drejtua Rexhepi Kasapollit.
Ndërsa Kasapolli iu kundërpërgjigj Rexhepit në këtë mënyrë: “Ju jeni ‘lakragji’, ju vonë keni ardhur në basketboll. Deri dje keni shit lakra e tash më tregon mua për basketboll. Mjerë basketbolli se nga kush po udhëhiqet”, u shpreh Kasapolli i cili më pas i zemëruar e lëshoi sallën ku mbahej debati.