Nuk e frikësojnë largimet
Kampioni vjeshtor, Prishtina edicionin pranveror mund ta nisë pa dy-tre futbollistë kyç të saj. Behar Maliqi, Astrit Fazliu e Taulant Dajaku janë lojtarët të cilët mund të angazhohen nëpër skuadra të shteteve tjera.
Maliqi veç ka arrit një marrëveshje me Shkëndijën e Tetovës, derisa është ftuar për t’u provuar edhe në Spartë të Pragës dhe në klubin nga Bundesliga 2, Karlsruher. Fazliu ka paralajmëruar se do të testohet në Nurnberg, ndërsa Dajaku po provohet te Kastrioti i Shqipërisë.
Megjithatë, edhe nëse Prishtina mbetet pa këta futbollistë, trajneri i kësaj skuadre, Ramiz Krasniqi, nuk mërzitet fort. Ai thotë se ka në dispozicion edhe shumë lojtarë tjerë cilësorë, me të cilët beson se do ta rrëmbejë titullin e kampionit të Kosovës.
Strategu i ekipit prishtinas nuk e ka ndërmend të kërkojë përforcime të reja, nëse ekipi i tij mbetet pa treshen e lartpërmendur.
“Natyrisht, largimi eventual i këtyre futbollistëve ndikon në dobësimin e ekipit. Por, kjo nuk do të vërehet shumë, sepse Prishtina ka shumë futbollistë cilësorë dhe kualitativë. Në ekip kemi një konkurrencë të shëndoshë. Atmosfera dhe harmonia është jashtëzakonisht e mirë dhe besoj se në pranverë do të vazhdojmë me paraqitje të mira, sikurse në pjesën e parë të kampionatit”, deklaroi Krasniqi për Express.
Ai theksoi se skuadra e tij do të gëzohet nëse futbollistët e saj kalojnë nëpër klube më të mëdha me histori, apo më të pasura financiarisht.
Nëse Krasniqi mbetet pa tre futbollistët e lartpërmendur, ngushëllim për të mund të jetë Isuf Llumnica, i cili shpejt do të rikthehet në fushën e blertë pas një lëndimi që e ka lënë jashtë skuadrës për një kohë të gjatë.
Në edicionin pranveror, Llumnica mund të jetë armë e fortë e ekipit kryeqytetas, andaj Krasniqi nuk planifikon përforcime të reja, edhe nëse mbetet pa Maliqin, Fazliun e Dajakun.
“Llumnica po kthehet prej lëndimit, 100 për qind i shëndoshë. Po ashtu kemi shumë lojtarë tjerë cilësorë. Andaj, si shtab teknik kemi vendos të mos përforcohemi, edhe pse shumë futbollistë kanë shprehur dëshirën të na bashkohen”, shtoi Krasniqi.
Krasniqi beson në fuqinë e skuadrës së tij, me të cilën është i bindur se do ta rrëmbejë titullin e kampionit të Kosovës.
Stinori pranveror nis më 5 mars
Stinori pranveror i kampionatit të Kosovës në futboll do të nisë më 5 mars. Këtë vendim e ka marrë të premten Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Ndërsa është vendosur që më 26 shkurt të zhvillohen ndeshjet e Kupës së Kosovës në futboll.
Njëherësh, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka njoftuar se e ka emëruar Ramadan Cimilin përzgjedhës të përfaqësueses së Kosovës në futsall.