E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça ’89 zgjedh Sejdiun

Gani Sejdiu është emëruar trajner i ri i Trepçës ’89. Strategu mitrovicas me klubin xehetar në sezonin pranveror synon mesin e tabelës. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 15 janar 2011 në ora 11:28

Gani Sejdiu është emëruar trajner i ri i Trepçës ’89. Ky post në klubin xehetar kishte mbetur bosh, pasi Afrim Tovërlani me të përfunduar pjesa e parë e kampionatit, kishte ofruar dorëheqje.

Lajmin për angazhimin e Sjediut në klubin nga stadiumi ‘Riza Lushta’ e ka konfirmuar për Express kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, i cili tregoi se trajneri i ri punës në këtë skuadër do t’ia nisë të shtunën.

Ndërsa Gani Sejdiu, i cili së fundmi drejtoi rivalin lokal Trepça, është shprehur i kënaqur me angazhimin e tij në Trepçën’89, derisa ka shpalosur synimet për sezonin pranveror.

“Sivjet synojmë të mbesin në atë pozitë ku jemi aktualisht. Me dy-tri përforcime eventuale synoj ta bëj një ekip solid. Sivjet nuk kemi ambicie të mëdha. Por, do të përpiqem gradualisht ta ndërtoj një skuadër të fortë, e cila në kampionatin e ardhshëm do të luftojë për trofe”, deklaroi Sejdiu i cili nga Federata e Futbollit e Kosovës është zgjedhur trajneri më i mirë për vitin 2010.

Sejdiu, i cili sezonin e fundit fitoi titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës, nuk ndien emocione të veçanta për faktin se tani do ta udhëheqë rivalin lokal të ish skuadrës së tij, Trepçës.

“Në Trepçën ’89 i kam bë hapat e parë. Së fundmi isha në Trepçë, ku kam kaluar shumë mirë duke fituar trofe. Jemi ndarë miqësisht me atë skuadër dhe i uroj suksese. Por, kjo është jeta e një trajneri – dikur isha në Trepçë ‘89, pastaj në Trepçë, sot jam në Trepçën ’89 dhe nuk i dihet nesër mund të shkoj prapë në Trepçë”, u shpreh Sejdiu.

Edicionin vjeshtor Trepça ’89 e ka përmbyllur duke u pozicionuar në vendin e gjashtë të tabelës, me 22 pikë të tubuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›