Bastet, Doni: Jam brenda rregullave
Mijëra euro dhe drogimi i futbollistëve. Më këtë mekanizëm mafia e futbollit arrinte të trukonte rezultatet e ndeshjeve në kategoritë e ndryshme të kampionatit italian. Hetimet kishin nisur prej muajsh, ndërsa prokurorët vazhdojnë të zbardhin hallka të tjera të një skandali që ka tronditur nga rrënjët sportin në Itali. Deri tani janë nën hetim 18 ndeshje të dyshuara si të trukuara, ndërsa përgjimet e telefonatave kanë vënë në pranga 26 persona mes tyre, emra të mëdhenj të futbollit italian si Beppe Signori, Stefano Bettarini apo Cristiano Doni, por edhe një shqiptar, Ismet Mehmetin. Megjithatë, dje kanë ardhur reagimet e para. Është Kristiano Doni i pari që hedh poshtë akuzat. “Pas lajmit për përfshirjen e tij në hetimet e Kremonës – lexohet në deklaratë -, Kristiano Doni, i sigurt se ka vepruar brenda rregullave, deklaron se ka besim të madh te organet e drejtësisë dhe është i hapur tërësisht që të bashkëpunojë”. Doni, 38 vjeç, trekuartist me teknikë shumë të mirë, ka një mënyrë të tijën për të festuar golat: vendos dorën në mjekër dhe mban kokën lart. Kjo pasi ai ka pasur një tjetër eksperiencë me bastet në vitet 2000-01, kur u akuzua se kishte “pilotuar” rezultatin e Atalanta-Pistoieze në Kupën e Italisë. Atëherë doli i pafajshëm.
Por Hetimet e prokurorisë italiane kanë zbuluar nëpërmjet përgjimit të telefonanatave të të dyshurave teknikat tepër të sofistikuara si ajo e në ndeshjen Cremonese-Paganese, ku një lojtar i skuadrës vendase gjatë pushimit të ndeshjes ka hedhur në shishet e ujit një bar gjumëndjellës, duke bërë që shokët e ekipit të ulnin performancën e tyre në fushë. "Duke përdorur teknikat dhe aparaturat tona ne kemi zbuluar fakte që disa lojtarë janë droguar me anë të ujit dhe pijeve të tjera duke ndikuar negativisht në performancën e tyre në fushë. Po ashtu mijëra euro kanë qarkulluar për të përacaktuar rezultatet në favor të grupeve kriminale të industrisë së basteve’, ka bërë të ditur kreu i hetimeve Serxho Lo Presti.
Po ashtu, sipas prokurorisë italine, futbollistë të ndryshëm kanë marrë shuma që variojnë nga 40 deri në 450 mijë euro për ndeshje të trukuar rezultatin. Të gjitha këto fakte paralajmërojnë tjetër tërmet në futbollin italian që vetëm 5 vjet më parë u trondit nga çështja “Calciopoli”. Ashtu si atëherë kur Juventus zbriti në Seria B, ndërsa Milani e Fiorentina u penalizuan me heqjen e pikës, tani skuadra si Siena, Ascoli dhe Atalanta rrezikojnë denime të ashpra nga Liga e futbollit italian.