E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentojnë të shpëtojnë njëri-tjetrin, mbyten motër e vëlla

FATKEQËSIA/ Dy fëmijë të moshës 4 e 6 vjeç u mbytën në Shijak. Një 12-vjeçar vdiq në Tale të Lezhës

DURRËS - Gjenden 2 fëmijë të mbytur në afërsi të banesës së tyre. Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orëve të pasdites në vendin e njohur si "4 rrugët e Shijakut", që i përkasin komunës Xhafzotaj të rrethit të Durrësit.

Fëmijet kanë qenë vëlla e motër dhe ishin djali 4 vjeç A.Allamani, si dhe vajza 6 vjeçe F.Allamani. Policia mbërriti në vendngjarje për të hetuar shkaqet e kësaj mbytjeje tragjike.

Ndërkohë, mësohet se duke përfituar nga një moment i uljes së vëmendjes së banorëve të shtëpisë, dy fëmijët e mitur, të cilët ishin duke luajtur, janë larguar edhe disa metra më shumë.

Dyshohet se koha e keqe me shi e lagështirë, ka bërë që njërit prej fëmijëve t'i rrëshqasë këmba dhe të bjerë në kanalet anësore të rrugës, të cilat kanë qenë të mbushura me ujë. Më pas, fëmija tjetër është munduar që t'i shkojë në ndihmë të parit, por ka pasur edhe ai të njëjtin fat.

Mungesa e tyre ka rënë në sy dhe familjarët kanë filluar që t'i kërkojnë të shqetësuar. Kur ata janë parë në kanalizimet anësore të rrugës, në familjen Allamani ka pllakosur tmerri i humbjes së dy fëmijëve. Menjëherë për këtë fatkeqësi është lajmëruar policia, e cila pasi ka mbërritur në vendngjarje ka filluar hetimet rreth kësaj çështjeje.

Nga pyetjet dhe hetimet e kryera ka rezultuar se mbytja e dy fëmijëve ka qenë aksidentale. Policia ka konfirmuar se vëlla e motër janë gjetur të mbytur në një kanal me ujë. Fëmijët kanë qenë duke luajtur jashtë shtëpisë, kur kanë rënë në ujë.

Mendohet, sipas ekspertimit që ka bërë policia në vendngjarje, që i pari që ka rënë në kanalin anësor të rrugës ka qenë djali, dhe e motra më e madhe ka tentuar ta nxjerrë, por nuk ka arritur që ta bëjë këtë gjë, pasi edhe ajo ka rënë brenda ujërave.

Fëmijët kanë bërtitur me të madhe në ato momente, por fakti që përreth nuk ka pasur asnjë të rritur që t'u vijë në ndihmë ka qenë fatal për dy vogëlushët.

Ata kanë humbur jetën pas pak mes ujërave të ftohta të kësaj stine, duke zhytur në zi familjen Allamani e cila humbi dy fëmijët e saj, vogëlushët 4 dhe 6 vjeç në këtë fundviti.

Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, ngjarja ka qenë aksidentale. Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, i cili po kryen dhe veprimet e para për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik.

Gjithashtu, një 12-vjeçar është gjetur i mbytur në një kanal pranë shtëpisë së tij në fshatin Tale të Lezhës. Sipas të dhënave të para, mbytja ka qenë aksidentale.

Fëmija që u mbyt në Tale vuante nga epilepsia ndaj dyshohet se mund ta ketë kapur semundja gjatë rrugës kur ishte nisur të shkonte në dyqan. Ai u gjet nga një fqinj që njoftoi familjarët e mandej policinë. Kjo e fundit është në vendngjarje dhe pritet të zbardhë gjithë ngjarjen e rëndë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›