Bastiset shtëpia e biznesmenit, vidhet kasaforta me 5 mijë euro
Tiranë- Rikthehet “gjuetia” e shtëpive të kyçura nga të zotët, që kanë ikur me pushime verore. Një biznesmen në Tiranë ka denoncuar grabitjen e shtëpisë së tij, gjatë kohës që ishte me pushime verore, ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorëve.
Ngjarja në fjalë është denoncuar dy net më parë në komisariatin 2 në kryeqytet, ku biznesmeni ka denoncuar grabitjen e orendive shtëpiake dhe kasafortës, në të cilën ndodheshin një sasi e konsiderueshme lekësh dhe bizhuterish. Menjëherë pas marrjes së denoncimit, forca të shumta kanë mbërritur në banesën e biznesmenit, e cila ndodhet pranë zonës së ish-Bllokut dhe nisën mbledhjen e provave për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes. Në bazë të verifikimeve të kryera deri më tani, rezulton se grabitësit, numri i të cilëve ende nuk dihet, kanë hyrë nga ballkoni, pasi banesa gjendet në katin e dytë dhe prej aty kanë hyrë më pas në ambientet e brendshme të shtëpisë, ku pasi kanë “kthyer përmbys” gjithë mobiliet, kanë arritur të marrin disa objekte me vlerë si dhe kasafortën e biznesmenit, brenda të cilës ndodheshin 5 mijë euro dhe disa bizhuteri me vlerë të madhe. Efektivët e komisariatit 2 mblodhën dëshmitë e banorëve të zonës, por asnjëri prej tyre nuk ka parë asgjë të dyshimtë, gjë kjo që e bën më të vështirë zbardhjen e autorëve të kësaj grabitje. Nga ana tjetër, ekspertët kanë ngritur dhe dyshimet e para në lidhje me autorët e mundshëm të kësaj grabitje. Duke grumbulluar të gjitha provat e gjetura në vendngjarje dhe skemën e grabitjes, është ngritur dyshimi i fortë se grabitësit mund të jenë banorë të zonës, ose persona që kanë ndjekur për një kohë të gjatë lëvizjet e biznesmenit dhe kanë ruajtur momentin kur ky i fundit është larguar me pushime, për të hyrë më pas në banesë dhe për të kryer grabitjen. Nga ana e saj, Policia e Tiranës është duke vijuar hetimet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje dhe për të identifikuar autorët. Th.Samarxhiu