Dështon gjetja e ekspertëve, gjyqi i Metës shtyhet në shtator
Tiranë- Gjykatës së Lartë nuk i kanë mjaftuar 14 ditë për gjetjen e ekspertëve që do të analizojnë videon Meta-Prifti, duke shtyrë kështu shqyrtimin e kësaj çështjeje në javën e dytë të shtatorit. Që në seancën e datës 11 korrik, kur Gjykata e Lartë rrëzoi akt-ekspertimet e dy ekspertëve të huaj, avokatët kërkuan caktimin e ekspertëve të tjerë dhe vijimin e dëgjimit të dëshmitarëve të akuzës. Kjo kërkesë u përsërit sërish në seancën e datës 22 korrik, ku i pranishëm ishte edhe ish-zv.kryeministri Ilir Meta, ndërsa kolegji penal i rezervoi të drejtën vetes të caktonte ekspertët dhe t’i thërriste ata në sallën e gjyqit për të kryer betimin dhe marrë detyrat. Kjo ishte arsyeja përse seanca e djeshme do të ishte tërësisht në dispozicion të ekspertëve që do të caktoheshin nga gjykata. Edhe pse kolegji penal priti 1 orë e 20 minuta, asnjë prej strukturave ku është kërkuar informacion për ekspertët nuk kishte sjellë një përgjigje për këtë çështje pranë shkallës më të lartë të gjyqësorit. Të paktën ky ishte shpjegimi që relatori i çështjes dha për të pranishmit në sallën e gjyqit, duke sqaruar kështu për herë të parë arsyen e vonesës së djeshme, edhe pse këto vonesa kanë qenë të vazhdueshme nga ana e gjyqtarëve. Ardian Dvorani tha se me gjithë përpjekjet e gjykatës deri në këto momente, nuk u arrit të gjendej informacion për ekspertet. Sipas tij, asnjë prej strukturave të cilave u është kërkuar informacion nuk kanë sjellë ende asnjë të dhënë mbi ekspertët, njohuritë e tyre të posaçme dhe mundësinë e kryerjes së një ekspertimi të tillë. Por në relatimin e tij, gjyqtari nuk sqaroi se për cilat struktura bëhej fjalë, edhe pse jo zyrtarisht thuhet që ekspertët do të jenë shqiptarë. Një gjë e tillë nuk konfirmohet zyrtarisht nga Gjykata e Lartë, por burime shprehen se procedurat e ndjekura deri tani kanë treguar se gjykata u drejtohet vetëm ekspertëve vendas. Në këtë situatë, trupi gjykues pritet të kthejë sytë nga ekspertët e Laboratorit të Kriminalistikës në varësi të Ministrisë së Brendshme, ose në ata pak ekspertë privatë që operojnë në kryeqytet. Pavarësisht zgjedhjes së gjykatës, përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme do të këmbëngulin që ekspertët të cilët do të analizojnë video-përgjimin të jenë të huaj. Sinjali u dha nga prokurori i çështjes, qysh në seancën e datës 11 korrik, kur gjykata rrëzoi akt-ekspertimet, i cili tha se prokuroria do të kërkojë sërish ekspertin amerikan Glenn Brand. Edhe avokatët e ish-zv.kryeministrit Ilir Meta nuk e kundërshtojnë një kërkesë të tillë, pasi në një prononcim për mediat pas seancës së djeshme, avokat Gëzim Veleshnja tha se pala mbrojtëse është dakord edhe me ekspertë të huaj. Në sallën e gjyqit avokat Vleshnja kërkoi nga gjykata që paralelisht me caktimin e ekspertëve të procedohet me dëgjimin e dëshmitarëve, duke rikujtuar kërkesën e bërë një seancë më parë. Por relatori i çështjes tha se kjo seancë, pra seanca e djeshme, ishte caktuar vetëm për ekspertët, të cilët do të paraqiteshin, të bënin betimin si dhe të merrnin detyrat që do u caktonte gjykata. Sipas gjyqtarit, kjo për faktin që sipas mundësive të procedohet me gjykim të pandërprerë, edhe pse shqyrtimi u ndërpre dje për të rifilluar në datën 8 shtator, kur gjykata do të thërrasë në sallën e gjyqit ekspertët që do të ekspertojnë video-përgjimin mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-vartësit të tij, Dritan Prifti.