E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i hashashit, Dauti dënohet me 7.4 vjet

Tiranë- Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me 11 vjet burg një të akuzuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh në bashkëpunim. Sipas gjykatësit Idriz Mulkurti, i pandehuri Shaban Dauti duhet të qëndrojë 7 vjet e 4 muaj në qeli për shkak të gjykimit të shkurtuar nga i cili përfiton uljen e një të tretës së dënimit. 36-vjeçari nga Peshkopia u akuzua nga Prokuroria për Krime të Rënda si një ndër pjesëtarët e grupit të shqiptarëve që kanë trafikuar drejt Turqisë një sasi të konsiderueshme hashashi. Ngjarja për të cilën akuzohet Dauti ka ndodhur në Turqi në vitin 2001, kur policia turke zhvilloi një operacion antidrogë në Stamboll. Pas informacioneve të marra, policia ushtroi një kontroll në dyqanin e shtetasit turk Mesut Korkmoz, ku u sekuestrua një sasi prej 381.5 kg hashash. Veç arrestimit të shtetasit turk, policia nisi hetimet për linjën e trafikut të hashashit, e cila u zbardh nga pronari i dyqanit ku u sekuestrua lënda narkotike. Gjatë kohës që qëndronte në qeli shtetasi turk Mesut Korkmoz pranoi të bashkëpunonte me policinë dhe tregoi të gjithë emrat e personave të përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të narkotrafikut. Sipas dëshmisë së tij, droga e sekuestruar në dyqan ishte sjellë nga Shqipëria nga një person me emrin Shaban. Nga hetimet shqiptaro-turke, u arrit të identifikohej shtetasi shqiptar Shaban Dauti si personin që kishte trafikuar drogën drejt Turqisë dhe menjëherë autoritetet turke lëshuan ndaj tij një urdhër-arresti ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›