E Diel, 1 Nëntor 2026

Batistuta del në skenë, kërkon të drejtojë Argjentinën

ARGJENTINE- Të gjithë e mbajnë mend Gabriel Omar Batistutën, ish-sulmuesin argjentinas, që ka lënë gjurmë në Serinë, sidomos me Fiorentinën, por që titullin e vetëm e mori me Romën, ndërsa vitin e fundit në Itali u aktivizua edhe me Interin. Batistuta e ka mbyllur me futbollin e luajtur në Katar, atje ku u mbulua me ar në dy sezonet ky “vari këpucët në gozhdë”.

Por Batistuta është edhe një legjendë e kombëtares argjentinase, teksa në 11 vjet karrierë me kombëtaren ka fituar dy tituj të Kupës së Amerikës Latine, është aktivizuar në 78 ndeshje dhe ka shënuar 56 gola, shifra të frikshme, që vetëm Mesi po i thyen. Por duke marrë licensën e trajnerit, ai tashmë kërkon pikërisht stolin argjentinas. Batistuta nuk e fsheh dëshirën për t’u bërë trajneri i kombëtares argjentinase. Ai deklaron se e di që është e vështirë, pasi për momentin ai nuk po drejton asnjë skuadër.

44-vjeçari shtoi se Marko Van Basten në Holandë dhe Jurgen Klinsman në Gjermani janë bërë trajnerë të kombëtareve pa drejtuar më parë ndonjë skuadër. Gjithashtu, Batistuta theksoi se Agjentina e drejtuar nga Alejandro Sabella ka një shans të madh për të fituar Botërorin e Brazilit, por nëse nuk fiton do t’i duhet të presë shumë kohë për të pasur një shans të tillë.
(m.a/Eduard Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›