E Shtunë, 31 Tetor 2026

Batuta mes palëve për sekretarët e rinj të PS-së

07/12/2011  Komisioni i Ligjeve

Zgjedhja e katër prej anëtarëve socialistë të Komisionit të Ligjeve në forumet e larta drejtuese dhe sekretariatin e selisë rozë nuk mbeti jashtë vëmendjes dhe u komentuan nga kryetari demokrat i Komisionit Ilir Rusmali. Duke përgëzuar katër sekretarët socialistë - Gjiknurin, Xhafën, Finon dhe Subashin - Rusmaili në fjalën e tij theksoi: “Do të doja të shprehja kënaqësinë dhe krenarinë tonë si komision për zgjedhjet e tyre në pozicionet e larta partiake që mbajnë. Mbani parasysh faktin, të nderuar kolegë: Partia Socialiste ka 9 sekretarë dhe katër prej tyre ndodhen me ne përditë në mbledhjet e Komisionit, dhe kjo sigurisht që është një burim i madh kënaqësie”, - tha Ilir Rusmali. Por fjalimi i kreut të Komisionit është shoqëruar nga komenti i deputetit socialist Bashkim Fino. “Rritet përgjegjësia juaj, zoti kryetar, sepse rritet performanca e Komisionit dhe natyrisht rritet dhe përgjegjësia juaj. Kujdes herë të tjera!” – u shpreh Fino, duke e kthyer në të qeshura bisedën e tij me kolegun demokrat të Komisionit të Ligjeve. Ky është një ndër komisionet që ka juristët më të mirë të të dy krahëve dhe që udhëhoqi me sukses përmbylljen në afatin e parashikuar në marrëveshjen PS-PD të kalendarit për miratimin e katër kodeve me shumicë të cilësuar votash. Në mbledhjen e djeshme Komisioni kishte në rend dite miratimin e një konvente, që nuk mori shumë kohë, madje më fort u shërbeu anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, që mundësisht të hidhnin piketat e mbledhjes tyre jo gjatë kësaj jave, por javën që vjen. Deputetët Damian Gjiknuri e Viktor Gumi e shfrytëzuan atë për të koordinuar edhe veprimtarinë e mëtejshme të Komisionit. Mësohet se palët kanë rënë dakord t’u dërgojnë një ftesë të gjitha partive politike për të dëgjuar propozimet me shkrim për ndërhyrjet në ligjin elektoral. Komisioni i Reformës pritet të mblidhet javën e ardhshme, edhe për shkak se një pjesë e ekspertëve ndodhen jashtë vendit këto ditë.

Alfred Moisiu

Ish-presidenti Alfred Moisiu mbështeti dje tezën që zgjedhja e kreut të shtetit të bëhet direkt nga populli. “Të mos kalojë zgjedhja e presidentit në çështje pazaresh politike. Kështu ka ndodhur, por zgjedhje të lira përfaqëson kualitetin e popullit. Del e nevojshme që vërtet ta rishikojmë këtë problem. Në shumicën dërrmuese presidentët zgjidhen direkt nga populli”, - tha Moisiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›