E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Realizoni 12 rekomandimet për integrimin

07/12/2011  Komisioni Europian në një raport të publikuar dje përshëndet bashkëpunimin politik në vend

Fyle: Kemi vërejtur progres javët e fundit lidhur me sfidat e vendit për anëtarësim

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fyle, duke iu referuar zhvillimeve më të fundit politike në vend, deklaroi dje se Shqipëria ka bërë progres javët e fundit. Në përfundim të takimit me ministrat e Jashtëm të BE-së komisioneri Fyle tha se “përveç Serbisë dhe Malit të Zi ne patëm një diskutim të mirë me ministrat e Jashtëm mbi Maqedoninë, mbi Shqipërinë, ku kemi vërejtur progres javët e fundit, një progres të vazhdueshëm në Islandë, si dhe mbi Bosnjën lidhur me sfidat e vendit para se të aplikojë për anëtarësim”. Ndërkohë Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian ka vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës në ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore si dhe për ngritjen e një grupi pune për reformën parlamentare.

Raporti i KE-së

Në një raport të publikuar dje nga Këshilli në pjesën për Shqipërinë thuhet se Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian mirëpritet ngritjen e një grupi pune për reformën në rregullat dhe procedurat e funksionimit të parlamentit. “Përfshirja në axhendën e punës për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 3/5-at e votave ka bërë të mundur miratimin e tri ligjeve të para. Këta hapa pozitivë duhet t’i shërbejnë tejkalimit të ngërçit që ka karakterizuar dhe dominuar skenën politike. Zgjedhjet lokale të 8 majit u vlerësuan në përgjithësi si konkurruese dhe transparente. Ende procesi zgjedhor u karakterizua nga probleme, të cilat duhet të zgjidhen mbi bazën ligjore në procesin e reformës zgjedhore. Në tërësi Shqipëria ka bërë një progres të limituar në përmbushjen e kriterit politik të anëtarësimit dhe 12 prioritetet që konsiderohen kyç për hapjen e negociatave të pranimit”, - thuhet në raportin e Këshillit të Jashtëm të BE-së. “Gjithashtu Këshilli inkurajon qeverinë dhe opozitën të ndërtojnë mbi këta hapa pozitivë një rikthim të plotë dhe substancial të dialogut konstruktiv politik në mbështetje të funksionimit të duhur dhe pavarësisë së institucioneve demokratike, veçanërisht për parlamentin dhe gjyqësorin”, – theksojnë anëtarët e Këshillit të Europës në raportin e tyre të publikuar një ditë më parë në lidhje me progresin e Shqipërisë. Raporti thekson më tej se “Është thelbësore që qeveria dhe opozita të bashkëpunojnë edhe me shoqërinë civile, në mënyrë që reforma zgjedhore të përfundojë para zgjedhjeve të ardhshme dhe të zgjidhë të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE–ODIHR-i të bëra që nga viti 2007.

Reagimi i PS-së

Menjëherë pas publikimit të raportit të Këshillit të Europës për Shqipërisë Partia Socialiste reagoi në lidhje me konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Europian për Shqipërinë, duke i cilësuar si “një kuadër kuptimplotë mbi deficitin demokratik e institucional të vendit tonë”. Në një deklaratë për mediet PS-ja thekson se konkluzionet e BE-së tregojnë qartë se çfarë e ka lënë Shqipërinë mbrapa të gjithëve në rrugën e integrimit. Ndërkohë në reagimin e saj PS-ja nënvizon vullnetin e saj për të bërë gjithçka i takon, në mënyrë që një dështim i tretë për Shqipërinë të shmanget.

Zgjedhjet e 8 majit

Në vlerësimin e tij Këshilli i Europës theksoi se ndërhyrja në ligjin elektoral është e domosdoshme. “Zgjedhjet e fundit të muajit maj u konsideruan në përgjithësi konkurruese dhe transparente. Megjithatë, procesi elektoral u shënua nga disa mangësi, të cilat duhen zgjidhur brenda kornizës ligjore të reformës. Në mënyrë të përmbledhur, Shqipëria ka bërë progres të limituar për të përmbushur kriteret politike për anëtarësim dhe për 12 prioritetet kyçe për hapjen e negociatave”, - thuhet në raportin e Këshillit të Europës.

Zgjedhjet e ardhshme

“Në përputhje me konkluzionet e 20 qershorit 2011, Këshilli inkurajon autoritetet shqiptare të intensifikojnë përpjekjet për axhendën e reformave, veçanërisht në përmbushjen e 12 kritereve. “Përpjekje të mëtejshme kërkohen veçanërisht në fushat që përfshijnë gjyqësorin, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ashtu si dhe mbrojtjen e minoriteteve dhe të drejtave të pronës”, - thuhet në raportin e Këshillit të Jashtëm të BE-së, i cili parashikon përparimin në rrugën e integrimit të Shqipërisë sapo të përmbushen kërkesat e BE-së. “Sapo këto kërkesa të përmbushën, Shqipëria do të jetë e gatshme të lëvizë përpara drejt Bashkimit Evropian në përputhje me konkluzionet e dhjetorit 2010”, - theksohet në raportin e një dite më parë të Komisionit Europian në lidhje me progresin politik në Shqipëri.

Raporti i Komisionit të Venecies dhe OSBE–ODIHR-it

Raporti: Komisionet partiake zgjedhore të zëvendësohen me elemente jopolitike

Komisioni i Venecies dhe OSBE–ODIHR-i në një raport të posaçëm për Shqipërinë kanë dhënë rekomandimet për reformën zgjedhore në Shqipëri. Në projektin e hartuar nga dy anëtarët dhe një ekspert i Komisionit të Venecies si dhe një ekspert i ODIHR-it, të publikuar nga “Zëri i Amerikës”, jepen sugjerime për ndryshime dhe përmirësime në shumë prej neneve të Kodit aktual Zgjedhor. Për ekspertët zgjedhorë sfida kryesore mbetet largimi nga përbërja aktuale e komisioneve zgjedhore të bazuar në ekuilibrin mes dy partive kryesore drejt një administrate zgjedhore ku të jenë përfshirë edhe elementë jopolitikë dhe të paanshëm. “Ky ndryshim është i domosdoshëm, nëse kërkohet të ulet polarizimi dhe konfliktet në administratën zgjedhore”, - theksojnë specialistët e Komisionit të Venecies. Sipas tyre, “ka disa variante për të reduktuar polarizimin, që nga rritja e numrit të institucioneve, që emërojnë anëtarë, duke ftuar institucione të ndryshme publike që të emërojnë përfaqësuesit e tyre, mes të cilëve një anëtar i sistemit gjyqësor ose anëtarë të pavarur të shoqërisë civile”. Në dokumentin e përbashkët të Komisionit të Venecies dhe OSBE–ODIHR-it saktësohet se një peshë të madhe ka vullneti i forcave politike për të zbatuar ligjet. “Nuk është e sigurt se problemet e përsëritura në zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri mund të zgjidhen vetëm me ndryshime në legjislacionin zgjedhor”, - theksohet në projektopinion. Duke iu referuar diferencës shumë të vogël të votave në garën për Bashkinë e Tiranës, saktësohet se “çdo detaj kthehet potencialisht vendimtar dhe detyra e administratës zgjedhore që të veprojë në mënyrë të paanshme është jetike”.

Festa e Hashures

Topi: Filozofia e islamit është një filozofi bashkimi

Me rastin e Festës së Hashures Presidenti Bamir Topi paraditen e djeshme zhvilloi një vizitë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku u prit nga haxhi baba Edmond Brahimaj dhe krerë të tjerë bektashinj. Gjatë takimit dhe bashkëbisedimit të ngrohtë e miqësor kreu i shtetit shprehu urimet më të mira për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë kudo ku ata ndodhen, duke theksuar njëkohësisht dëshirën që këto tradita të veçanta të vazhdojnë të japin si kurdoherë mesazhet e rëndësishme të dashurisë, mirëkuptimit, paqes e harmonisë me njëri-tjetrin. Në njoftimin e publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës theksohet se pas vizitës Presidenti Topi iu përgjigj edhe interesimit të medieve të pranishme: “Unë në këtë ditë plot kuptim për bektashinjtë, kur përkujtohen sakrificat e profetëve dhe të gjithë luftëtarët e martirët që luftuan në Qerbela për liri dhe demokraci, patjetër që jap urimet për çdo besimtar. Nga ana tjetër, Festa e Hashures ka një kuptim shumë interesant. Ju e dini që baza e Hashures është gruri, është ai që përbën elementin themelor të jetës së njeriut, pra atë po disktutonim edhe me baba Mondin për këtë filozofi kaq të bukur të islamit, që në thelbin e vet ka atë që u shërben të gjithë njerëzve: ka mirëkuptim, dhënien e ndihmës, komunikim dhe për të qenë të gjithë bashkë në një jetë që na ka sjellë të gjithëve së bashku në këtë botë”, - theksoi dje Topi. Gjatë ditës së djeshme Presidenti Topi ka zhvilluar një vizitë edhe në qytetin e Rrëshenit me rastin e 15-vjetorit të krijimit të dioqezës. Ai u prit nga ipeshkvi Kristoforo Palmieri dhe kryebashkiaku Ndue Gega.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›