Hapen kutitë e Nard Ndokës në Shkodër

Prokuroria e Shkodrës ka hapur në mënyrë të fshehtë pesë kutitë e votimit të ankimuara nga kryetari i PDK-së
Sipas prokurorisë, në kuti nuk janë vënë re manipulime. Diferenca ishte vetëm një votë
TIRANà - Prokuroria e rrethit Shkodër ka hapur pesë kuti votimi të kontestuara nga Partia Demokristiane dhe ka deklaruar se në to nuk kishte asnjë shkelje ligjore. Hapja e kutive është bërë pak ditë më parë, rreth 27 muaj pas procesit të votimit, dhe pa praninë e asnjë nga palëve të interesuara.
Denoncimi i PDK-së
Partia Demokristiane ka depozituar 27 muaj më parë një kallëzim në prokurori duke pretenduar vjedhjen e votave në qarkun e Shkodrës, në një shumë të tillë sa ka ndryshuar edhe rezultati përfundimtar. "Nga të dhënat tona, PD-ja është manipulatore përmes komisionerëve të vet.
Në çdo qendër votimi i ka shtuar vetes 30-70 vota sipas madhësisë së qendrave të votimit, ku në total, PD flitet që ka vjedhur ndaj partive të tjera 9 deri në 11 mijë vota, duke e deformuar totalisht rezultatin për Qarkun e Shkodrës", - thuhet në kallëzimin e bërë në prokurori.
Sipas tij, grupi i punës në selinë e PDK-së ka verifikuar përmes pamjeve filmike të marra nga KQZ-ja me vështirësi, se procesverbalet nuk përputhen me votat që grupi i tij i punës po numëron përmes filmimeve një për një në çdo qendër votimi.
Një pjesë e atyre votave që i janë hequr PDK-së, i kanë kaluar PD-së. "Në zonën e votimit nr. 42 në qendrën 107, rezulton që PDK-ja ka 78 vota, ndërsa në kutitë e votimit janë 138 vota. Në këtë rast, 60 vota i janë vjedhur kësaj partie nga PD-ja.
Në zonën e votimit 255, PD-ja ka në procesverbal 327 vota në një kohë që ka 273 vota faktike, pra i ka ndryshuar vendet numrit 3 dhe 2, duke i shtuar vetes 54 vota", - thuhet në kallëzimin e PDK-së.
Hapja e kutive
Burime zyrtare të Prokurorisë së Shkodrës pohuan dje se hapja e kutive është bërë në fshehtësi të plotë pa njoftuar askënd tjetër. "Këtë e dinim vetëm ne dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sepse ai na dha kutitë. Ne kemi hapur kutitë me procesverbal dhe kemi kryer verifikimet përkatëse.
Në fund ka rezultuar se nuk ka vjedhje të votave dhe ndryshim të rezultatit. Bazuar në këtë, ne kemi vendosur pushimin e procedimit penal dhe kemi njoftuar KQZ-në për rezultatin e hetimit. Lajmi nuk është bërë publik nga institucioni ynë", - tha dje prokurori i Shkodrës, Përparim Kulluri. Dokumenti për hapjen e kutive mban numrin e protokollit 8990.
Flet Nard Ndoka: "Këtu ka vetëm një gjykatë, Sali Berisha"
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka konfirmuar dje hapjen e kutive, por ka shprehur rezerva në lidhje me këtë veprim të prokurorisë. Sipas tij, hapja e kutive është bërë 27 muaj pas ankesës dhe pasi më parë kutitë janë manipuluar nga KQZ.
Zoti Ndoka, Prokuroria e Shkodrës pretendon se janë hapur kutitë e votimit në bazë të kallëzimit tuaj dhe nuk ka rezultuar të ketë vjedhje votash. Jeni informuar për këtë gjë?
Prokuroria kështu thotë. Pas 27 muajsh ka hapur kutitë që tashmë janë të rimanipuluara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kutitë janë hapur pa praninë tonë. Nuk ka pasur fare transparencë.
Zoti Ndoka, cila ishte kërkesa juaj dhe cili është vendimi i prokurorisë?
Partia Demokristiane kërkoi rinumërimin e pesë kutive të votimit në qarkun e Shkodrës. Në këto kuti ne kemi pasur prova të shumta se janë kryer manipulime.
Tani prokurorët thonë që i kanë hapur dhe ka "diferencë" vetëm një votë! Nuk ka asnjë diskutim që kutitë janë manipuluar më parë nga KQZ-ja, por edhe prokuroria ka shkelur ligjin duke i hapur kutitë pa praninë tonë si palë ankuese.
Ju do ta ankimoni këtë vendim të prokurorisë?
Ne do ta ankimojmë këtë vendim, por kjo do të jetë vetëm një formalitet. Në këtë vend për momentin ka vetëm një gjykatë, Sali Berisha.
Seanca plenare pritet të kalojë në shqyrtim një numër të madh projektligjesh që do të debatohen gjatë
Kuvendi, sot "beteja" për 19 ligje
TIRANà - Moszhvillimi i seancës plenare të enjten e kaluar për shkak të përmbytjeve, ka ngjeshur shqyrtimin e projektligjeve për seancën e sotme. Në rendin e ditës së Kuvendit janë parashikuar 19 projektligje si pensionet suplementare të ushtarakëve, planifikimi i territorit, profesionet e rregulluara, disa ligje për taksat etj.
Një nga pikat që pritet të ngjallë debate midis forcave politike është ai për ushtarakët, i cili ka hasur në kundërshtimin e kësaj shtrese.
Nëpërmjet këtij Akti Normativ, qeveria vendos uljen e përfitimeve që do të marrin ushtarakët në formën e pensioneve suplementare. Ulja është bërë duke mos llogaritur pensionin në bazë të pagës bruto por duke u bazuar në pagën referuese neto.
Sipas këtij akti, në rastet kur pensioni është i lartë, ai do të shpërndahet me këste. "Efektet financiare shtesë që kalojnë limitin e pensionit maksimal, për shkak se nuk janë të mbuluara me fonde nga buxheti i vitit do të likuidohen për çdo përfitues me këste", - thuhet në VKM.
Efektet financiare kësaj shtese në ligjin bazë "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë", prek rreth 7 400 persona përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
Qeveria ka tentuar edhe më parë që të ulë rregullojë shumën e përfituar nga pensionistët, por që është rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese.
Në vendimin e saj kjo gjykatë e vendosi që një përfitues i pensionit të parakohshëm të shërbimit nuk do të kufizohet me dyfishin e pensionit baze, por çdokush që ka të paktën 15 vjet shërbim do të marrë një pension sa gjysma e pagës referuese mesatare si dhe një shtesë 2 për qind të saj.
Një tjetër ndryshim i kërkuar nga Këshilli i Ministrave lidhet me rregullimin e profesionit të mësuesit. Pas miratimit të ndryshimeve, mësuesit do ta përfitojnë të drejtën për ushtrimin e profesionit pa u certifikuar më parë nga një komision special i krijuar nga qeveria. Projektligji nuk prek ata që janë të punësuar në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, si dhe ata që kanë qenë më parë në marrëdhënie pune.
Në rend të ditës:
1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60').
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 02.12.2010.
3. Projektligj "Për ratifikimin e Protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Turqisë për njësinë shqiptare që operon nën komandën e forcës turke në Afganistan, brenda fushës së veprimit të operacioneve të forcës ndërkombëtare të ndihmës për sigurinë (ISAF)".
4. Projektligj "Për një shtesë në ligjin nr. 10.171, datë 22.10.2009, "Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë".
5. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9695, datë 19.3.2007, "Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit".
6. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995, "Për miratimin me ndryshime të Dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995, "Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit)", dhe dekretit nr. 1049, datë 27.3.1995, "Për disa plotësime në dekretin nr. 1030, datë 23.3.1995"", të ndryshuar".
7. Projektligj "Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve"
8. Projektligj "Për krijimin e Shoqërisë "Nxitja e Biznesit Social" sh.a."
9. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.119, datë 23.04.2009 "Për planifikimin e territorit" të ndryshuar".
10. Projektligj "Për një shtesë në ligjin nr. 8530, datë 23.9.1999, "Për Shërbimin Postar në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar".
11. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9072, datë 22.5.2003, "Për sektorin e energjisë elektrike", të ndryshuar".
12. Akt - Normativ nr. 5, datë 10.11.2010 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.142, datë 15.5.2009, "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë".
13. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", të ndryshuar".
14. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, "Për tatimin mbi të ardhurat", të ndryshuar".
15. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002, "Për akcizat në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar".
16. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008, "Për miratimin e niveleve të tarifës doganore", të ndryshuar".
17. Projektvendim "Për një shtesë në vendimin nr. 95, datë 30.4.2007 "Për miratimin e strukturës dhe organikës së Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë Elektrike".
18. Projektvendim "Për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë".
19. Projektvendim "Për caktimin e datës së shqyrtimit në Kuvend të kërkesës së 35 deputetëve për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë qershor 2009".
KQZ, të majtët bojkotojnë mbledhjet
Anëtarët e majtë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bojkotuan mbledhjen, e cila kishte parashikuar miratimin e strategjisë së edukimit të zgjedhësve për zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore. Në mbledhje mungoi nënkryetarja Dëshira Subashi, si dhe dy anëtarët, Artan Laze dhe Pandeli Varfi. Bojkoti vjen pas debateve të një mbledhjeje më parë kur tre anëtarët braktisën punimet e mbledhjes.
Gjatë diskutimit të projektvendimit për përdorimin e sistemit të kamerave, Pandeli Varfi kërkoi që të merrej edhe mendimi i forcave politike për efektshmërinë e këtij sistemi në zgjedhjet parlamentare. Në mungesë të informacionit, një sistem i tillë, sipas Varfit, do t'i ngjante një "kopshti zoologjik me kafshë prej druri".
Ka qenë pikërisht kjo shprehje, e cila ka ndezur debatin me anëtarët e tjerë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i anëtarit të djathtë, Hysen Osmanaj, i cili e cilësoi një fyerje për anëtarët e KQZ-së. Për shkak të mungesës së Kuorumit, KQZ nuk mundi që të shqyrtojë dje ngritjen e Zyrave Rajonale.