E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bayern e bën Shaqirin milioner

Me transferimin te Bayern Muchen, Xherdan Shaqiri pritet të përfitojë 1 milion franga pa përfshirë bonuset. Edhe pse ka nënshkruar me gjigantin gjerman, mesfushori kosovar ka treguar se e ka ëndërr Barcelonën. Kurse 20 vjeçari ka paralajmëruar se karrierën dëshiron ta mbyllë te Baseli.

Përveç që ka nënshkruar me një klub të madh si Bayern Munchen, Xherdan Shaqiri gjatë qëndrimit në ‘Allianz Arena’ do ta mbushë edhe kuletën me para.

Sipas të përditshmes zvicerane Blick, gjiganti gjerman do ta paguajë 20 vjeçarin 1 milion franga në vit, pa përfshirë bonuset tjera.

Mesfushori i talentuar i Baselit nuk ka dashur të flasë rreth të ardhurave që do t’i përfitojë te klubi nga Bundesliga, me të cilin ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2016.

Megjithëkëtë, Shaqiri ka bërë të ditur se për gjigantin gjerman ka refuzuar edhe oferta më të majme.

“Nëse do të nënshkruaja me Zenit St.Petersburgun ose Galatasarayn, unë do të kisha fituar më shumë”, ka thënë reprezentuesi zviceran për Blick.

Ndërkohë, reprezentuesi i Zvicrës ka treguar disa objektiva që synon t’i arrijë me klubin e ri.

Përveç që dëshiron të zë vend në ekipin e parë të Bayernit, Shaqiri synon që një ditë të transferohet në Barcelonë. “Të gjithë e dinë që ëndrra ime është Barcelona”, ka deklaruar gjilanasi.

Në anën tjetër, ‘Xhuxhi magjik’ ka paralajmëruar se dëshiron që karrierën ta përfundojë në Basel, aty ku bërë emër si futbollist.

”Po. Dua të përfundoj karrierën time në Basel. Ndoshta pas 10 apo 15 vite. Në një moment do të kthehem”, ka theksuar ai.

Derisa ka folur për klubin e ri, 20 vjeçari i është kundërpërgjigjur ish trajnerit të tij

Thorsten Fink, i cili kishte thënë se Shaqiri duhet të humb 4 kilogramë nëse dëshiron të shkojë në Bayern.

“Thorsten Fink ka shqetësime të tjera para se të më shikojë mua. Ai duhet të shikojë Hamburgun e tij që po rrezikon të bie nga Bundesliga”, ka theksuar gjilanasi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›